Sundimi dhe qeverisja e korrupsionit, ky është sistemi në Shqipëri e Kosovë
Skender Kapiti
Shkruan: Skënder Sadri KAPITI
Korrupsionokracia, pra sundimi dhe qeverisja e korrupsionit instalohet atëhere kur politika, pushteti, mediat dhe paraja bëhen bashkë. Në të tilla rrethana demokracia dhe ligji asfiksohen .
Betejat politike në demokracinë shqiptare janë bërë vetëm për të kapur shtetin e pushtetin dhe për t’i përdorur e për t’i shfrytëzuar shtetin, shoqërinë e pushtetin për të bërë e fituar para, autoritet e pasuri me abuzim, me vjedhje dhe me korrupsionin.
Në Shqipëri korrupsioni politik është gjithpërfshirës, ka korrupsion te të gjitha partitë politike, por të cilat janë ndarë në tabore kundërshtish e bëjnë sikur akuzojnë njëri-tjetrein, por në fakt deri më sot politika ka mbrojtur njëri-tjetrin me një dakordësi shëmbullore mosndëshkimore të korrupsionit gjithinstitucional: politik, publik, shtetëror, social, intelektual, juridik, nepotik etj.
Dhe e keqja tjetër e dytë e madhe është se edhe publiku bëjnë tifo ndaj korrupsionit të politikës.
E treta, e korruptuar është edhe media e cila edhe ajo tregon anshmërinë, bën avokatinë dhe manipulon e keqinformon publikun për korrupsionin.
Opinionistët, analistët, gazetarët edhe sikur të duan të jenë të vërtetë e të pavarur ata ose duhet t’i nënshtrohen e t’i binden presionit politik dhe të patronatit të mediave, ose duhet që të largohen nga puna.
Gazetat e televizionet në të shumtën e rasteve mbajnë anën e politikës së më të fortëve të korrupsionit, janë përkrah atyre që kanë, fitojnë apo e marrin me para pushtetin.Mediat bëjnë sikur e demaskojnë korrupsionin, por vetëm të atij krahu që i urdhëron mercenarizmi politik, korrupsioni e paraja.
Elita mediatike në Shqipëri ka 30 vite me po ato fytyra, ajo është më e korruptuar se sa politika prej së cilës është edhe e blerë dhe shërben si mercenare e saj.
Shumica mediatike në Shqipëri nuk lejojnë mendimin e lirë, kompetent, akademik e patriotik që të shpehet e të bëhet publike, por pëkundrazi atyre u bëhet embargo mediatike.
Mediat në Shqipëri, shumica e tyre manipulojnë e spekulojnë me informacionin dhe corientojnë publikun me lajme, programe dhe emisione të paracaktuara e të mirëseleksionuara për interesa materialiste të veta dhe në shërbim të atyre prej nga ato marrin paratë.
Individëve dhe atyre të cilët përpiqen të ndërmarrin ndonjë nismë të re, atyre u vihen pengesa dhe nuk u lejohet hapësirë mediatike, por përkundrazi, manipulatorët,egoistët dhe profesionistët mediatikë të mashtrimit e të korrupsionit bëjnë të kundërtën, bëjnë maksimumin kundër tyre për të mos lejuar që e reja, e pakorruptuara, vizionarja dhe e moralshmja e patriotikja të mos bëhen agjenda publike.
Kjo elitë e keqe mediatike bën maksimumin që t’u bëhet bllokadë mediatike elitës së re mediatike që atyre të mos u shkojë kush pas. Mediat, madje edhe ato që mbahen si kombëtare në Shqipëri janë ashtu si politika të korruptuara, servile e nepotike, janë biznese dhe ortakë me biznesin politik.
Korrupsionokracia, pra sundimi dhe qeverisja e korrupsionit instalohet atëhere kur politika, pushteti, mediat dhe paraja bëhen bashkë. Në të tilla rrethana demokracia dhe ligji asfiksohen .
Shqipëria ka 30 vite që pas regjimit komunist vëndi ka mbetur në prapambetje e në moszhvillim civil, demokratik,ekonomik, juridik e gjithpërmasor; ka mbetur në prapambetje e mosintegrim, pra ka mbetur në tranzicion traumatik.
Kjo do të thotë, dhe kjo gjëndje është keshtu sepse në Shqipëri është montuar jo nje sistem demokratik, por një sistem korrupsioni mirëfunksional dhe i mirëorganizuar ku aktorët dhe përfituesit e këtij sistemi janë politika, politikanët dhe partitë politike, mafia oligarko-politike.
Shqipëria funksionon si shtet privat ku sudimtarë të saj janë e sillen edhe si pronarë të shtetit e ata janë: politika, pushteti,mfiooligarkia, pra një pakicë njerëzish të cilët helmojne opinionin dhe e keqadministrojnë shtetin, paranë e pasuritë.
Kjo reflektohet si shëmbull negativ edhe në Kosovë, por tani pas zgjedhjeve të 14 Shkurtit 2021 me qeverinë Kurti dhe me Presidente znj. Osmani duket sikur gjëndja në Kosovë po lëviz nga e duhura dhe se punët kanë filluar të ecin në kahjen e duhur.
Ata të cilët i zgjedh demokracia, edhe ata që qeverisin,edhe shoqëria civile, edhe mediat e drejtësia dhe kudo flitet e “ndeshkohet” korrupsioni me thashetheme, me fjalë, me hipokrizira e me deklarata,por lufta kundër tij, edhe kjo është betejë e humbur dhe e korruptuar pasi edhe ligji, edhe drejtësia, edhe politika, e pra sistemi i gjithi, pothuajse është i korruptuar.
Më sakt mund të thuhet se në Shqipëri sundon korrupsioni,pra korrupsionokracia.
Korrupsioni ka kapur dhe e sundon politikën, shtetin, drejtësinë dhe e prish dhe e infekton rëndë shoqërinë sa që e bën atë të paralizuar e të paaftë për të vepruar e ndëshkuar korrupsionin dhe shkelësit, përfituesit, abuzuesit, hajdutët dhe politikanët e pushtetarët e kriminalizuar e të korruptuar.
Pikërisht pse shteti, ligji, drejtësia dhe shoqëria shqiptare ishin kapur dhe ishin paralizuar nga korrupsioni politiko-gjithinstitucional, dhe prandaj SHBA dhe BE ia imponuan politikës shqiptare,kundër vullnetit të saj, miratimin e Vetting-ut në drejtësi.
Kjo ndërmarrje me mbështejen e fuqishme nga SHBA-të u bë për cmontimin e korrupsionit nga sistemi politiko-juridik dhe shtetëror në Shqipëri, pra për të shëmbur e rrëzuar nga pushteti korrupsionokracinë dhe për ta cliruar shtetin, demokracinë dhe drejtësinë nga kthetrat e korrupsionit.
Gjatë këtij tranzicioni 30 vjecar në Shqipëri ndodhi tjetërsimi apo zëvëndësimi i sistemit totalitar komunist me sistemin monopolist oligarko-politik të korrupsionit; pasi: ligjin, drejtësinë, karrierën politike, dhe “aftësinë” e “meritën” e lëviz dhe e zgjedh korrupsioni, pra ato i zgjedhin sjellja dhe veprimi i parasë, ryshfetit, miqësisë e akrabaja fisnore dhe shpërblimi që duhet dhënë , paguar e ofruar atyre të cilët i kërkojnë ato si dhe për shërbimin qoftë edhe atë më të vogël që u duhet bërë shtetesve dhe qytetarëve shqiptarë.
Nga një gjëndje e tillë ku korrupsioni bën kërdinë është shumë e vështirë që shoqëria të dalë e të lëvizë drejt përmirësimit.
Korrupsioni në Shqipëri është krimi më i madh dhe më i përhapuri, sepse gjithcka pothuajse është shndërruar në pazar e ankand, ku e drejta dhe ligji përkulen nga paraja dhe e drejta i jipet dhe e fiton ai që paguan më shumë.
Jo vetëm ligji e drejtësia, jo vetëm shërbimet, jo vetëm liria e konkurenca ekonomike, ajo e punësimeve shtetërore, arsimi e shëndetësia, por edhe mediat janë arenë e agjensi promovimi e servilizmi ndaj korrupsionit, si dhe derisa edhe vota është bërë edhe mall pazari elektoral, pra deri aty ka arritur puna sa që demokracinë dhe sistemin e saj e devijon dhe e manipulon paraja e korrupsioni, atëhere si mund të quhet ndryshe ky sistem i kapur, i qeverisur dhe i sunduar nga korrupsioni?!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".