Abuzuesit e Fondit 3% dhe Vendlindja thërret duhet të ndiqen e të dënohen, jemi shtet dhe hajnat nuk guxojnë të amnistohen!

Abuzuesit e Fondit 3% dhe Vendlindja thërret duhet të ndiqen e të dënohen, jemi shtet dhe hajnat nuk guxojnë të amnistohen!

Hajrullah Tërnava

  • 19 December 2021 - 07:42

Shkruan:ANALISTI-Hajrullah Tërnava

Drejtësia duhet të qoj në vend hetimin serioz dhe gjykimin për shpërdorimet e fondeve të luftës, fondeve të diasporës, sepse diaspora ishte bazamenti i këtyre fondeve, Fondit 3% dhe Vendlindja Thërret, prandaj duhet dhënë llogari dikush për shpërdorimin e tyre sepse nëse na jepet rasti edhe në të ardhmen për ndonjë ndihmë të ngjashme,  si të viteve 90-99, me këtë përvojë të deritashme është vështirë që do të ndodhë të përsëritet një shembull i tillë, derisa po i shohim këto pakënaqësi që po i shpreh diaspora dhe populli në përgjithësi, duke mos i luftuar këto veprime kriminale të abuzuesve  të këtyre fondeve nga institucionet ligjzbatuese te drejtësisë, policisë, prokurorisë e gjyqësorit.

Një shtet i posa krijuar pas luftës e deri në stabilitetin e tij kohor, e ka një kuptim të vetin që të gjitha gjërat  nuk mundë të përmirësohen  menjëherë dhe të filloj ligjshëm ndërtimi dhe stabilizimi i shtetit në fjalë, siç është në këtë rast historiku i shtetit të Kosovës. Megjithatë tani kaluan mbi dy dekada dhe është e kuptueshme që gjërat duhen të lëvizin dhe shteti si shtet të funksionoj shëndetshëm dhe në ndërtimin e tij shekullor,  që duhet të jetë  shtet i popullit të tij, ku populli me rregullimin e ligjor duhet ta ndërtoj  shtetin e  përhershëm dhe të shëndetshëm ligjor. 
 Vetëm në këtë mënyrë do të jetësohen parimet e plota  të shtet ndërtimit dhe  mundi i kontribuesit kryesor, popullit të sajë,  që në të kaluarën bëri çmos, sakrifikoj shumë  për të fituar dhe ndërtuar shtetin duke ndarë edhe kafshatën e gojës. Shtyllë e rëndësishme në procesin e çlirimit dhe shtet ndërtimit të Kosovës  ishte diaspora, e rreshtuar dhe përkushtuar pa kursim që  ta ndihmoj Kosovën që nga vitet e 1990-ta  e deri në çlirimin e viteve 1999,  duke krijuar fondin 3% si dhe fondin „Vendlindja Thërret“. Qeveria në ekzil i qeverisi këto fonde për vite të tëra, që  nga krijimi i këtyre fondeve,  e sidomos sa ishim të okupuar. Këto fonde e kishin bazamentin nga popullata shqiptare në diasporë,  në shtete të huaja,  si në Gjermani e shtete tjera të BE-së, që u menaxhue nga Qeveria Bukoshi me bashkëpunëtorët e tij.


 Me mbarimin e luftës u zbuluan shumë veprime antiligjore të keqpërdorimeve të këtyre fondeve të  krijuara nga kontributet e diasporës nga ku pati edhe padi e ankesa të ndryshme në ato shtete ku ishin keqpërdorur këto fonde. Por keqpërdorimi vazhdoj të ndodhë edhe pas luftës kur ato fonde u sollën në Kosovë, dhe personat që kishin qasje në ato fonde,  me veprimet e tyre u pasuruan skajshëm dhe përkundër  shumë padive dhe përndjekjeve gjyqësore personat e përndjekur asnjëherë nuk u dënuan, pavarësisht  që ishin ngritur aktakuza ndaj tyre. Është për tu habitur me institucionet e drejtësisë që paguhen me rroga të majme e që janë të obligueshme për ta luftuar krimin, pse këto institucione nuk i kryejnë detyrat e tyre të përditshme duke i luftuar gjërat negative kriminale, dhe me këtë me e kthye kulturën ligjore në popull.
 Ajo kulturë duhet ta ketë parimin bazë që kush punon e jeton duhet të sillet në përputhshmëri me ligjet pozitive të Kosovës, e jo si në  rastet që nëse të jepet rasti me u pasurua, të shfrytëzohet rruga e pasurimit përmes  krimit edhe jo konfrom ligjeve. Që nga paslufta e deri me tani po vazhdon të tejzgjatjet, të manipulohet e të zhvlerësohet nga ana e institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës, të kapur nga mafio politika, mega afera e madhe abuzimit të me Fondin 3%, duke e futur në rrugë pa krye për të dështuar procesi i cili ka vite që është iniciuar dhe  gjykimi është duke vazhduar... e vazhduar. Lidhur me këtë aferë që vetëm sa i është zënë filli, po  akuzohen ish deputeti i LDK-s Naser Osmani, Atdhe Gashi dhe ish-këshilltari i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil Bujar Bukoshi. Lidhur me këtë mega aferë penale në nëntor të 2020-ës, Osmani dhe Gashi ishin shpallur fajtorë për veprën penale të shpërdorimit, për çka ishin dënuar me nga 3 vite burgim, mirëpo, më 15 shtator 2021, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim ku rastin e kishte kthyer edhe njëherë  në rigjykim. Sipas këtij vendimi të gjykatës së shkallës së dytë, shpallja e aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë nuk është bërë sipas aktakuzës së ngritur ndaj Naser Osmanit e Atdhe Gashit dhe se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë me shkelje esenciale. 

Aktakuza ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit ishte ngritur qysh më 28 prill 2017, nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Lidhur me këtë aktakuzë  të këtyre tre personave,   në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 23 maj 2018, kishte mbajtur shqyrtimin fillestar ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit, ishte marr vendim  për veçimin e procedurës penale ndaj Bujar Bukoshit, me arsyetimin se ai ishte i sëmurë dhe nuk kishte mundur të paraqitej në këtë shqyrtim fillestar. Më pas, më 26 tetor 2018, është mbajtur edhe shqyrtimin e dytë ndaj të akuzuarve Osmani dhe Gashi, e të cilët brenda afatit ligjor kishin paraqitur kundërshtimet për provat dhe kishin ushtruar kërkesë për hedhje të aktakuzës. Mirëpo më 3 dhjetor 2018, ishte marrë vendim që të refuzoheshin kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave. Lidhur me këtë, të akuzuarit Osmani dhe Gashi, kishin ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, e cila më 17 janar 2019, kishte refuzuar këto ankesa, duke konfirmuar aktakuzën në fjalë. Ndërsa, më 18 janar 2019, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses së Departamentit të Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dhe më 13 mars të këtij viti, kjo lëndë nga Apeli, ishte kthyer në zyrën e kësaj gjykate. 


Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të KPK-së dhe veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par. 1 të KPK-së, kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257 par.3 lidhur me par. 1 të KPK-së, lidhur me par. 31 të KPK-së, kundër Naser Osmanit për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par. 1 të KPK-së dhe kundër të akuzuarit Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së. 
Po ashtu, Prokurori i Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, Atdhe Demaj, më 30 nëntor 2018 kishte dorëzuar në gjykatë një parashtresë, përmes së cilës kishte bërë plotësimin dhe qartësimin e aktakuzës së ngritur më 28 prill 2017. Sipas kësaj parashtrese, dispozitivi nën pikën II të aktakuzës, është plotësuar ashtu që tani të akuzuarit Bujar Bukoshi-Kryetar i Bordit të UFORK, me seli në Prishtinë, Naser Osmani në cilësinë e anëtarit të bordit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, dhe Atdhe Gashi në cilësinë e arkëtarit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë që u është besuar atyre, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe vendeve tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimum 3% të të hyrave të tyre personale mujore, e të cilat janë transferuar në xhirollogarinë e “UFORK”, në Bankën “BPB” në Prishtinë, ashtu që kanë tërhequr shumën prej 154, 132,47 euro në kesh, nuk kanë arsyetuar dhe as dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume, vlerësim dhe konstatim ky i vërtetuar me ekspertizën e datës 21 prill 2017. Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257 par.3 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës.
Tani gjithsesi se është koha e fundit, që kjo qeveri e re, e pa interes dhe e pa përfshirë nga asnjë anëtar e saj në shpërdorimin e fondeve të luftës, ta ushtron ndikimin e vetë pozitiv ligjor e kushtetues, duke kërkuar nga drejtësia që ta fillon një hetim të plotë për zbardhjen e së vërtetës lidhur me fondet e luftës, sepse po kalojnë dy dekada në liri e shtet ndërtim dhe askush akoma nuk ka dhënë llogari, qoftë për avullimin e Fondit 3%, qoftë për atë Vendlindja Thërret, edhe pse dihen mirëfilli menaxhuesit e tyre dhe destinimi i mjeteve për çka ishin kërkuar dhe ishin  deponuar, duke u dhuruar nga qytetarët, brenda dhe jashtë vendit.Duhet ta kemi të qartë se tani jemi shtet i pavarur, dhe i kemi institucionet tona që e qeverisin vendin, dhe në këtë kontest duhet të tregohemi vigjilent dhe të aftë që ta qeverisim vendin, mjaft ma me gjyqe ndërkombëtare sikur Gjykata Speciale ne Hagë. Në vendin tonë ne duhet të tregohemi të aftë për krijimin e shtetit tonë dhe të jetësimit të ligjeve pozitive, për zhvillimin me plot kuptimin e plotë  të fjalës të shtetit tonë. Ata të cilët kryejnë krime e kanë vendin në burg, kurse ata që ju përmbahen ligjeve pozitive të këtij shteti duhen ta kenë përkrahjen dhe perspektivën si në shtetin tonë dhe në të gjithë botën.  

Nga një luftim serioz i krimeve, qytetarëve ju kthehet besimi në shtetin e tyre, dhe kultura e luftimit të të këqijave do të kultivohet në mendjet e tërë qytetarëve, dhe me këtë kulture pozitive kosovarët do ti kenë vlerat e tyre pozitive edhe jashtë Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".