Skandali që u zbulua, ish-pushtetarët e inkriminuar e qitën në pazar për ta shitur territorin e shtetit

Skandali që u zbulua, ish-pushtetarët e inkriminuar e qitën në pazar për ta shitur territorin e shtetit

Gani Qarri

  • 30 December 2021 - 07:39

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Ashtu siç ka dëshmuar mjerisht edhe praktika e gjatë mbi 21 vjeçare, partitë e inkriminuara kishin shtrirë rrjetin e tyre kriminal në gjithë sistemin juridik dhe shtetëror të vendit, duke shkuar deri atje sa, pa fije frike, të futen në pazare me toka, si dhe në aventura të rrezikshme për ndarjen e vendit dhe shuarjen e shtetësisë së Kosovës.

-Në maj të vitit 2020, ishte zbuluar se si Ministrja e Integrimeve Evropiane të Kosovës, Dhurata Hoxha në vitin 2019 i ka paguar 168,000 euro para të taksapaguesve të Kosovës, kompanisë franceze "Majorelle PR & Events" me seli në Paris për të lobuar për ndarjen e Kosovës, aventurë kjo, e ideuar nga kuislingu Hashim Thaçi, gjatë intrigave të tij, për kamuflimin e faljes së Veriut të Kosovës, Serbisë okupatore të Aleksandër Vuçiqit.

Madje, sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, kompania "Majorelle PR & Events" ishte e paguar, të formësoj edhe një mendim evropian në favor të ndarjes së Kosovës, me tendencën që ndarja, të kamuflohej si “pozicioni i Kosovës” për “modifikimin territorial”!?. Kështu që Prokuroria Speciale pas një hetimi disamujor, bazuar në faktet e shumta të gjetura autentike, ka konstatuar se kontratat në fjalë ishin në kundërshtim të plotë me ligjin, ndaj dhe me plot të drejtë, miratoi aktakuzën kundër Dhurata Hoxhës & Co. Ky fakt i arishtë, dëshmon më së miri, se vetëm miratimi i ligjit për dekriminalizim dhe një Vettingu të thellë, në gjithë sistemin e drejtësisë, do ti jepte përfundimisht fund kësaj katrahure dhe një praktike të tillë të keqe, të mos funksionimit ligjit në Kosovë, kur në pyetje janë, pushtetarët e lartë.

Kurse në shkëputjen e prokurorisë e të gjyqësisë si dhe gjithë Sistemit të Drejtësisë nga politika e inkriminuar uzurpatore, pritet të ndikojë edhe presioni i opinionit të vetëdijesuar publik, ai i shoqërisë civile si dhe ndryshimi në qeverisjen e vendit, që më në fund të shpresojmë se do të kemi edhe në Kosovë, një drejtësi vepruese dhe gjyqësi të pavarur e ndëshkuese të krimit, të dëshmuar me prova bindëse materiale, e të pa kontestueshme dhe reale. Disa nga rastet e këtij viti të trajtuara nga institucionet drejtësisë me veprime më të shpejta, si vjedhja spektakolare e me vlerë rreth 2.1 milionë eurove nga arka e shtetit, pastaj super skandali i aferës së abuzimit me subvencionet në Ministrinë e Bujqësisë, aksionet antikrim në veri të Kosovës, arrestimet për rastin e ryshfeteve dhe ndërtimeve kriminale në Brezovicë e më gjerë që janë në vazhdim e sipër, japin shpresat e para për fillimin e kthjellimit të sistemit të drejtësisë edhe në Kosovë.

Shto kësaj konfirmimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale ndaj ish ministres Dhurata Hoxha dhe zyrtarëve tjerë, të gjitha këto janë tregues faktik, se me paralajmërimin e miratimit të Ligjit Vetting dhe Reformës së thellë, sado që me mjaft vështirësi, ngadalë por sigurte, sistemi i drejtësisë ka filluar të shkëputët detyrueshëm nga lidhjet me politikën mafioze dhe krimin e organizuar në vend. Madje javën që shkoi, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, Departamenti Special i Gjykatës së Apelit të Kosovës, ka konfirmuar edhe aktakuzën ndaj ish ministres së integrimeve Dhurata Hoxha dhe zyrtarëve tjerë, duke refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve të inkriminuar dhe është vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, PS.nr.31/2021 i datës 12.10.2021. si i drejtë, i dëshmuar dhe argumentuar me fakte bindëse nga ana e Prokurorisë. Kështu që të gjithë të pandehurit; Dhurata Hoxha, Fitim Mustafa, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani veç e veç akuzohen në mënyrë të bazuar, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 414, paragrafi 2. lidhur me nenin 71, paragraf 1. të KPRK.

Ndërsa rast special dhe me interesim të veçantë për mbarë opinionin publik dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, paraqet konfirmimi i aktakuzës nga Gjykata e Apelit ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha e cila në vitin 2019, si Ministre e Integrimeve Evropiane të Kosovës i ka paguar hiq më pak se rrafsh 168,000 euro para të taksapaguesve të Kosovës, kompanisë franceze "Majorelle PR & Events" me seli në Paris për të lobuar për ndarjen e Kosovës, aventurë kjo, e ideuar nga kuislingu Hashim Thaçi, gjatë intrigave të tij, për kamuflimin e faljes së Veriut të Kosovës, Serbisë okupatore të Aleksandër Vuçiqit.

Bashkë me Dhurata Hoxhën e cila gjatë kohës sa ishte ministre i kishte tejkaluar kompetencat e saj duke vazhduar kundërligjshëm kontratën dhe paguar qindra mijëra euro kompanisë franceze, "Majorelle PR& Events" për ndarjen e Kosovës, janë akuzuar edhe drejtori i prokurimit, Fitim Mustafa, si dhe tre ish sekretarët e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, nga Prokuroria Speciale e Kosovës,të cilët edhe ata kishin keqpërdorur pozitën dhe detyrat e tyre me rastin e inicimit dhe nënshkrimit të kontratës me kompaninë franceze për lobim për ndarjen e Kosovës. Demush Shasha megjithëse fillimisht më 23 qershor 2018,e kishte pezulluar kërkesën, më pas ai e kishte aprovuar vet, po të njëjtën kërkesë të drejtorit Fitim Mustafa dhe kishte lejuar zbatimin e procedurës së prokurimit edhe pse ka qenë në dijeni se kërkesa ishte në kundërshtim me ligjin dhe se ministrja Hoxha nuk ishte personi kompetent për ta iniciuar procedurën që të vazhdonte kontrata e kundërligjshme, duke i mundësuar përftim kompanisë franceze në fjalë, që buxhetit të Kosovës i kishin kushtuar qindra mijëra euro. Prandaj, Prokuroria Speciale pas një hetimi të detajuar, me të drejtë, ka konstatuar se kontratat në fjalë ishin në kundërshtim të hapur me ligjin, madje në dosjen e Prokurorisë, përshkruhet se kompania franceze, kishte marrë kot paratë, duke raportuar edhe për çështje që nuk kanë qenë relevante me kontratën e nënshkruar, e cila në raportet e saj kishte shkruar pa asnjë nevojë edhe për procesin zgjedhor në Kosovë, si dhe kishte raportuar edhe se Richard Grenell, ishte emëruar emisar i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa një, prej pak rezultateve konkrete, në këmbim të 168,000 eurove të taksapaguesve të Kosovës, që mund të përmendet, është vetëm raporti pesë faqesh, i datës 20 shtator 2019, i shkruar me një anglishte tejet të dobët, të cilin kjo kompani e kishte adresuar te ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, ku thuhet se: “Rihapja e diskutimeve për paqen është përqendruar në modifikimin e kufirit territorial dhe ka vënë në tavolinë debatin/tabunë për rishqyrtimin e mundshëm të hartës së Ballkanit…”!? Pra vet raporti i kompanisë "Majorelle PR & Events" e bën plotësisht të qartë se agjenda e lobimit të saj, ishte ndryshimi i kufijve, që po ndiqej nga klienti i saj kosovar kuislingu Hashim Thaçi, por që pas burgosjes,nga Gjykata Speciale në Hagë,edhe aventurat të tij kuislinge, kundër shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, përfunduan dhe për fat të mirë, do të rezultonin të pasuksesshme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".