Notë pozitive për Qeverinë për aksionin e filluar kundër krimit të organizuar!

Notë pozitive për Qeverinë për aksionin e filluar kundër krimit të organizuar!

Hajrullah Tërnava

  • 05 January 2022 - 17:22

Shkruan:Analisti- Harullah Tërnava

Aksionet e muajve të fundit që janë ndërmarrur nga policia në nivel vendi, e që janë të koordinuara nga institucionet e zbatimit të ligjit me Qeverinë, janë shumë premtuese për të filluar çrrënjosjen e qëndrueshme të krimit dhe korrupsionit, por edhe të zhvatjes së shtetit nga hajnia e “jakave të bardha” në bashkëveprim me krimin e organizuar. Shikuar realisht, një dinamikë e tillë e punës së institucioneve të sigurisë në Kosovë nuk është parë kurrë më parë si në këtë mandat të parë të kësaj Qeverie, prandaj shpresat se kjo Qeveri do e mbaj fjalën që e kishte dhënë në proceset parazgjedhore po dëshmohet tash në praktikë.

 

 

Me këto veprime që janë ndërmarr deri më tani, nga kjo Qeveri, tani po dëshmohet mjaftueshëm se nuk do të ketë kthim mbrapa dhe  harresë për premtimet e dhëna në funksion të  sundimit të ligjit, prandaj njëherë nuk ka nevojë që ti bëhet presion ekzekutivit që të vazhdojnë të dëshmohen më shumë të gjithë mekanizmat e sigurisë në këtë fushë, ndonëse lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon lëvizje e veprime serioze nga të gjitha institucionet ligj zbatuese dhe të gjithë mekanizmat tjerë të shtetit, pa e përjashtuar as mbështetjen serioze nga Qeveria aktuale dhe Presidenca e shtetit dhe politika qe po drejton vendin, gjë që  deri më tani po tregohet se  është duke mirë funksionuar dhe vetëm duhet të inkurajohet me mbështetje të opinionit publik për të vazhduar. Sidomos Aksionet e pjesës së dytë të vitit që po mbetet pas, janë tregues i sigurt që na siguron se  me këtë dinamikë pune jo të gjithë ata që e kanë “mizën prapa veshi “ mundë të ndjehen "komod".

Kalkulimet dhe pazaret se cilat vepra penale duhet të hetohen e cilat jo duhet t’i përkasin të kaluarës së degraduar e kriminale. Epoka e amnistimit të krimit e "jakës së bardhë" nën justifikimin e "mos-përzierjes në punë të njëri-tjetrit" duhet të merr  fund sepse siguria dhe drejtësia për qytetarët garantohet vetëm atëherë kur të gjitha institucionet respektive janë në krye të detyrës siç e kërkon ligji e sikur që kemi disa nga veprimet e 6 mujorit të dytë të vitit që po e përcjellim.

Deri më tani, për dy dekada, shumë dëme të qëllimshme i janë bërë shoqërisë sonë nga mospuna, mosveprimi, fshehja prapa pozitave e privilegjeve, avokatia e tyre ndaj krimit dhe ikja nga përgjegjësia kushtetuese. Mjerisht se ka qenë e zakonshme deri më tash në vendin tonë që ajo çka do të ishte e papranueshme në një shtet normal, ligjor, të jetë përditshmëri në vendin tonë, lidhja e ngushtë dhe bashkëpunimi i drejtësisë me krimin duke ja bërë avokatinë mbrojtëse krimit te organizuar.

Por kjo traditë duhet të ndërpritet dhe më nuk duhet lejuar  që të jetë kështu sepse populli kërkon rezultate çdo ditë dhe institucionet duhet të jenë në krye të detyrës, ashtu siç e kërkon ligji dhe kushtetuta, dhe popullata njëherë e për gjithmonë duhet të mësohen me jetësimin e ligjeve të shtetit, ashtu që ky shtet të ju përngjaj shteteve ligjore që janë të avancuara në zbatimin  ligjeve dhe lehtësimin e jetës së tyre demokratike. Sundimi i ligjit është ajo çka duhet ta karakterizon vazhdimin e kësaj qeverie me institucionet e reja të drejtësisë për çka e morri besimin duke e dhënë premtimin.

 

 Është kohë jo e gjatë për përvojat e qeverive që vijnë në pushtet që të pritet më shumë për efikasitetin e tyre, prandaj qeverisë në pushtet duhet ti lejohet të punoj ashtu si e ka filluar, dhe për këta muaj çfarë ka ndërmarr kjo qeveri  është për tu vlerësuar dhe lavdëruar, prandaj nuk ka nevojë ti  bëhet akoma më shumë presion nga opinioni publik dhe mediet, Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Brendshme.

Të gjitha këto institucione duhet të jenë aktive në vazhdimësi për të mos i lënë të pushojnë por që që t’i zgjojnë nga gjumi të gjitha nivelet e prokurorive të kapura nga krimi, nga ato Themelore, Prokuroria e shtetit dhe ajo Speciale për t’u vënë në hetime  aktive dhe gjueti të krimit të organizuar të lidhur me mafio politikën kriminale dhe grupet e interesit të mafio oligarkëve po ashtu  të sajuar dhe të mbrojtur deri më tani nën ombrellën e politikës së inkriminuar.

Nëse në të ardhmen Qeveria në pushtet e ndal aktivitetin e saj në luftimin e të këqijave të këtij vendi, atëherë do të duhej bërë presion nga opinioni publik dhe mediet që të riaktivizohen dhe të mos e amnistojnë krimin. Është e kuptueshme se tani në proces e sipër të kompletimit të Prokurorisë së shtetit me prokuror të rijnë është duke u proceduar konkursi për  16 pozita të prokurorit të shtetit në kuadër të prokurorive themelore, për të cilat pozita kanë konkurruar dhe janë duke u testuar 185 kandidat.

 

Në çdo kohë duhen avancime dhe përparime brenda institucioneve të cilat e luftojnë krimin në përgjithësi, e sa ju përket njerëzve kompetent të institucioneve shtetërore duhet ti përcjellin avancimet e shërbimeve të shteteve më të zhvilluara dhe më të suksesshme të botës, ti kopjojnë ato metoda dhe ti jetësojnë në shtetin tonë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ecet në hap me kohën, dhe sukseset në luftimin e të këqijave nuk do të mungojnë, kështu që shumë shpejtë edhe shteti ynë mundë të bëhet  shembull për të mirë se si luftohen të këqijat në një shtet, për një jetë më të pastër dhe demokratike.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".