Lexoni edhe:
Veprimi retroaktiv i ligjit për konfiskimin e pasurisë që nga viti 2008, zgjidhje racionale për t’i ndëshkuar të pasuruarit me veprimtari kriminale!
Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava
Kjo qeveri që tash po e mbush një vit mandat në pushtet, nëse e ka seriozisht qëllimin dhe projektin që të mbetet në pushtet për një kohë më të gjatë, më shumë se një mandat, gjithsesi se duhet të punoj me përkushtim të madh për të mirën e popullit, e sidomos në fushën e luftimit të dukurive negative, atyre të këqijave që për dekada e kaluara e kanë bllokuar dhe pamundësuar zhvillimin e vendit. Për të pasur sukses në luftimin e krimit, në secilën fushë duhet të ketë kthim mbrapa dhe vlerësim e hetim në kohë, pra retroaktivitet të hetimit dhe vlerësimit të mënyrës së menaxhimit dhe pasurimit të njerëzve në pushtetet e kaluara.
- Të këqijat e deritanishme që e kanë njollosur shtetin e Kosovës çrrënjosen vetëm me një hetim dhe vlerësim aktiv retroaktiv, me pastrim dhe dekriminalizim, me konfiskim të pasurisë së kundërligjshme nga të gjithë ata zyrtar të shtetit që e kanë fituar dhe nuk kanë bazë ligjore për ta arsyetuar. Vetëm kështu qartësohet dhe përshpejtohet rruga e perspektivës evropiane të shtetit të Kosovës , sepse Kosova në këtë situatë të tanishme që është si i vetmi shtet që se ka fituar Liberalizimin e vizave, ka të bëjë me mbetjen peng nga krimet e deritanishme që janë krye nga të “mëdhenjtë” e shtetit, prandaj kjo ngecje dhe ky izolim ka të bëjë me krimet që janë bërë në të kaluarën, dhe kjo qeveri e ka për detyrë të bëjë çmos që për luftimin e të gjitha të këqijave nga çlirimi e deri më tani.
Vetëm me veprimet e tilla do ta bind edhe faktorin ndërkombëtar, ato vendet kyçe që po hezitojnë akoma , për një vendim pozitiv lidhur me Liberalizimin e vizave t, si dhe për procesin e anëtarësimit më të shpejtë në BE. Prandaj çdo luftim i të këqijave në të ardhmen është veprim i qëlluar, dhe i mjaftueshëm për ta zhbërë kastën e zhvatësve të shtetit, zbatimi me veprim retroaktiv i Ligjit për Konfiskimin e pasurisë së pa Justifikueshme, ashtu siç e ka planifikuar dhe po e paraqet Ministria e Drejtësisë Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se edhe në konsultime me ekspertët e fushës, kanë sugjeruar që të shkohet me efekt retroaktiv të zbatimit të ligjit, duke filluar hetimin dhe vlerësimin prej vitit 2008, pra prej shpalljes së pavarësisë, pasi deri në atë kohë ka pasur informalitet e gjëra të tjera. Por nëse deputetët mendojnë se nuk është e përshtatshme dhe e mjaftueshme, ajo ka thënë se mundë të shkohet edhe më larg edhe nga paslufta, por mund të ketë më shumë problem dhe vështirësi.
Gjithsesi se opozita është duke e përdorë fushatën kundër këtij ligji, vetëm për ta mjegulluar e mashtruar opinionin, dhe për ti mbrojtur oligarkët e inkriminuar që janë ngritur e pasuruar duke zhvatur shtetin dhe qytetarin, prandaj e presin me frikë dhe nën ethe miratimin dhe fillimin e zbatimit të këtij ligji, por kjo përpjekje është e dënuar për të dështuar, dhe ligji duhet miratuar.
Për ti hequr dilemat dhe atë frikën që po e shpërndajnë të pasuruarit me korrupsion e krim te organizuar, ish pushtetarët dhe vartësit e tyre, ministrja e drejtësisë ka sqaruar se në momentin që do të hyjë në fuqi ky ligj askush nuk duhet ta ketë frikën nëse pasurin e ka krijuar në mënyrë dhe rrugë të ligjshme, sepse nuk është qëllimi i askujt që të pengohet puna dhe fitimi I ligjshëm, kështu që secili që e ka fituar pasurinë me nder do të duhet të rrinë i qetë, dhe vetëm ata që e kanë keqpërdorur djersën e popullit duhet ta kthejnë atë pasuri, sepse ajo i takon popullit.
Përndryshe Ministrja Haxhiu ka thënë se modeli i këtij ligji është I standardeve më të larta evropiane dhe nuk ka asnjë mundësi që të keqpërdoret për ti keqtrajtuar dhe ndëshkuar at që me djersë dhe nderë kanë punuar dhe kanë fituar. Ajo ka thënë se shumë ekspertë që kanë ndihmuar në këtë veprim kanë rekomanduar që të ketë një prag si bazë dyshimi ose kur byroja mund të nis verifikimin e asaj pasurie, dhe është caktuar pragu me 25 mijë euro, nëse zyrtari nuk mund ta arsyetoj atë pasuri ia bën propozimin gjykatës nëse ky institucion vlerëson se byroja ka të drejtë atëherë ta bëj konfiskimin e pasurisë.
Ajo çka është e rëndësishme dhe duhet të insistohet, është që të mos lejohet hapësirë e abuzimit me ligjin dhe institucionin, prandaj në krye të Byrosë për konfiskim të pasurisë duhet të instalohet personel i pa varur profesional dhe krejtësisht jashtë kontrollit partiak. Vetëm një luftim ligjor dhe i drejtë ndaj krimit në Kosovë, neve do të na i hapë dyert drejtë BE-së, kurse nëse edhe kjo qeveri dështon në luftimin e krimit dhe vazhdohet ashtu si ka qenë deri më tani, Kosova do të zbrazet nga të rinjtë dhe do të ballafaqohet me shpërngulje të hatashme të popullatës së sajë. Kjo qeveri e tanishme, siq po shihet se ka filluar dhe po punon deri me tani, është shpresa e vetme e pasluftës për një kthesë pozitive, që do t’ia arrij qëllimit dhe ti sjell rehatin dhe prosperitetin popullit për një të ardhme më të mirë për Kosovën.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".