Ripërtërirja shpirtërore Ruse!

Ripërtërirja shpirtërore Ruse!
Ripërtërirja shpirtërore Ruse!

Shqiprim Pula

  • 14 March 2022 - 09:28

Shkruan: Shqiprim Pula-njohës i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Pak kohë përpara vitit 2000 para se të zgjidhej President i federatës Ruse Vladimir Putin, kishte deklaruar, Rusinë nuk e sheh larg Evropës dhe botës. Por, lindi një shqetësim i ri, edhe i rrezikshëm!. Po kush e shkaktoi? Ku është pikënisja? Në ditët e sotme, Rusia e pas 22 viteve, e drejtuar nga Vladimir Putin për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, nga Evropa e bota u izolua, me disa përjashtime.

Përbrenda Unionit Sovjetik ishin 15 republika, po cilësuar për nga madhësia e rëndësia, Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia ishin liderët e Unionit të atëhershëm. Të përbashkëtat e tyre tregonin ngjashmëritë si ndërmjet vëllezërve, por nga baballarë të ndryshëm. Përgjatë shekullit 20-të, kombi, religjioni dhe rregullimi shtetëror morën kuptim dhe formë, për të gjitha vendet që vazhdonin të përmbushnin formësimin si të mëvetësishëm. E si rrjedhojë, përgjatë 1989-1991 kjo frymë morri rrjedh edhe brenda vendeve të Unionit Sovjetik, prandaj dhe vendosën të ndaheshin. Por, drejtuesit e tanishëm të Kremlinit dhe mbështetësit e tyre, shpërbërjen e Unionit Sovjetik e konsideruan si fatkeqësia më e madhe globale gjeopolitike.  

Perandori Nikolai i Parë dhe Ivan Aleksandrovich Ilyin, dy personazhet shpirtëror të ripërtëritjes - ortodoksia dhe identiteti kombëtar si përkufizime ishin kultivuar nga perandori Rus Nikolai i Parë, sipas të cilit, Rusia duhet të mbetet e bazuar dhe e udhëhequr. Dhe po këto parime, u përvetësuan edhe nga Putin, kështu duke e krijuar kultin të një udhëheqësi të pagabueshëm politik të progresit social e ekonomik, përmes medieve që e mbështetnin Kremlinin.

Kurse, filozofia e Ivan Aleksandrovich Ilyin shërbeu si ripërtëritje shpirtërore Ruse e preferuar për Putinin, ndërkaq, libri i tij “Detyrat Tona” si frymëzim për patriotizmin, ndjenjën e nderit për Rusinë, sakrificën për të mirën e atdheut dhe disiplinën politike si udhëzues, për rivendosjen dhe rilindjen e një Rusie në kërkim të pozicionimit botëror.  

Lufta e ditëve të sotme në Ukrainë,  pos tjerash, ka të bëjë edhe me Rusinë e Kievit. Federata Ruse e sotme e konsideron Kievin, shteti i parë sllavo-lindor i krijuar diku në shekullin e 9-të nga fiset vikinge, nga ku dolën rusët, ukrainasit bjellorusët e të tjerë, ndërsa ortodoksinë e kultivuan nga Bizanti. Filozofi Ivan Ilyin, të cilin Vladimir Putin e konsideron frymëzues shpirtëror, përveç identitetit kombëtar Rus i mohonte të tjerët si ukrainas, bjellorusë, estonezë, letonezë apo pakica të tjera. Rol të theksuar kishte edhe Kisha Ortodokse Ruse e cila ndihmonte Kremlinin politikë duke u kujdesur në edukimin e brezave mbi trashëgiminë e vlerave Ruse, për ruajtjen e ‘botës ruse’, qoftë edhe duke ndërhyrë ushtarakisht. Në 2008-tën, ndërhyrja në dy territoret e Gjeorgjisë (Abkhazia dhe Osetia Jugore) si dhe në 2014-tën, ndërhyrja në dy territoret e Ukrainës (Donbasi dhe Krimea) ishte kundërvënie ndaj perëndimit, e për rrjedhojë, nga konflikti i ngrirë u krijua paqëndrueshmëri reale mbi perspektivën politike të tyre.   

Lufta e ditëve të sotme në Ukrainë, si pikënisje mbeti nga konflikti midis Viktor Janukovyç dhe rivalit të tij kryesor politik, Julia Timoshenko. Në Shkurt 2014 ‘Revolucioni i Dinjitetit’, ndërmjet rivalëve politikë krijoi trekëndëshin Ukrainë-Rusi-Perëndim; nëse Ukraina do mbetej me lindjen, nëse Ukraina do të rrugëtoj drejt Perëndimit apo të mbetej ura lidhëse midis tyre!.  

Historiografia politike e tyre tregon afërsinë që kishin thurur ndër-shekujsh, shteti Rus i Kievit, besimi ortokos i përhapur nga Kievi, kuptimi i Ukrainës konsiderohej kuptimi i vet Rusisë; prandaj Ukraina e djeshme dhe e sotme, nuk do të konsiderohet asnjëherë një territor më afër perëndimit e larg Rusisë. Një nga kushtet për ndalimin e luftës u tha të jetë zëvendësimi i qeverisë që do nënkuptohej të jetë pro-Ruse, dhe se çfarë donë Rusia nga Ukraina është atë që praktikisht e bën Bjellorusia. Ukraina, është fushëbeteja gjeopolitike e konfrontimit Lindje-Perëndim, e specifikisht Evropës me Rusinë. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".