Lexoni edhe:
“Pas përfundimit të mandatit Lumezi në bankën e të akuzuarve së bashku me Shpend Ahmetin”
Shkruan: ANALISTI – Gani Qarri
Me rikthimin në zero të çështjes Telekom-Z-Mobile, të gjitha paratë që ishin përmbaruar, Telekomi i Kosovës do të kërkojë t’i rikthehen në llogari kësaj ndërmarrje Publike Qendrore, pasi që me shtytjen e politikës kriminale, është vepruar padrejtësisht dhe tërësisht kundërligjshëm dhe për ta dëmtuar sa më rëndë Telekomin e Kosovës i gjithë procesi gjyqësor ishte përcjellë me shkelje të rënda serioze.
-Duket se sipas njoftimit më të ri që së fundi është publikuar nga Telekomi i Kosovës, pas fitores në Gjykatën e Apelit e cila e ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Telekomi me plot të drejtë po kërkon hetim të ri mbi dyshimet për vepër penale të pagesës së një gjobe të paarsyeshme shumë milionëshe në rastin Z-Mobile, në llogari të oligarkëve Devolli dhe kompanisë fiktive të ashtuquajtur "Dardafon- Z-Mobile", të cilën Gjykata e Apelit e ka kthyer në pikën zero.
Madje shihet qartë se kjo do të jetë edhe njëra prej aferave më të mëdha kriminale të plaçkitjes së ndërmarrjes publike të Telekomit, e cila ngadalë, por sigurt, ka hy në rrugën e zbardhjes dhe nxjerrjes para drejtësisë të gjithë rrjetit kriminal, i cili kishte përgatitur skenarin e shkatërrimit të Telekomit, me qëllim të privatizimit të tij, nga Devollët në kooketim me ish pushtetarët dhe njerëzit e tyre në sistemin e drejtësisë së kapur nga politika e kriminalizuar, në qeveritë e kaluara. Ndaj pas ndryshimeve politike në vend,Telekomi i Kosovës, ka iniciuar kërkesën për fillim të hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë të kësaj ndërmarrjeje dhe personave privatë e politik, të përzier në këtë aferë shkatërruese, për keqpërdorimin e mbi 100 milionë eurove në favor të kompanisë "nën hije" të politikës kriminale, si Z-Mobile.
Kështu që edhe inicimi i kërkesës zyrtarisht është parashtruar për dyshimet mbi lidhjen e kontratës së dëmshme, fshehje dhe manipulim të provave, deklarata të rreme dhe veprime inkriminuese që kanë dëmtuar hapur Telekomin e Kosovës, për përfitime personale e grupore, si njëra nga kompanitë më fitimprurëse shtetërore në vend. Prandaj në kërkesën për inicim të hetimeve sqarohet se të njëjtët kanë iniciuar, hartuar, nënshkruar dhe gjatë kohës së zbatimit të kontratës nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar, e madje edhe kanë fshehur dëmin që ka shkaktuar në vijimësi kontrata, duke mundësuar kështu humbje të pariparueshme qindra milionëshe ndaj Telekomit, duke dëmtuar me shuma marramendëse edhe vet buxhetin e Republikës së Kosovës.
Për aq më tepër, nuk përjashtohet mundësia që edhe vet zyrtarët e inkriminuar të Telekomit të Kosovës, të kenë përfituar në forma të ndryshme kriminale dhe mënyra të paligjshme nga lidhja e kontratës së dëmshme në kurriz të Telekomit të Kosovës, nga e cila kësaj kompanie iu shkaktua dëm prej mbi 100 milionë eurove. Vetëm dëmi nga humbjet komerciale dhe zbatimi i kontratës llogaritet të jetë mese 102 milionë euro, prej të cilave 51.4 milionë vijnë si pasojë e vendimeve të arbitrazhit. Telekomi ka akuzuar Dardafon.net edhe për shmangie të tatimit në vlerë prej 16.2 milionë eurosh,për çka Sindikata e kësaj ndërmarrjeje ka kërkuar nga organet e hetuesisë që përfundimisht të marrin masat e parapara ligjore, kundër shkaktarëve të këtyre dëmeve.
Ndërsa shpresat për ta quar drejtësinë në vend dhe shpëtuar kompaninë shtetërore të Telekomit të Kosovës, nga falimentimi i orkestruar prej politikës kriminale të qeverive të kaluara, vijnë vetëm pas ndryshimeve në qeverisjen e vendit, nga e cila pritet dhe kërkohet të ndërmarr masat e duhura, që edhe drejtësia e kapur nga politika, të jetë në nivel të detyrës. “Ne si sindikatë u bëjmë thirrje institucioneve, Qeverisë, Prokurorisë dhe të gjitha institucioneve ligjore në vend, edhe pasi menaxhmenti ka ndërmarrë vendimin e mirëpritur, për të hetuar dëmet në Telekom, të mos heshtin e të marrin veprime të mirëfillta, sepse Telekomi është dëmtuar jo 100, por ndoshta diku rreth 200 milionë euro, nga kontrata me kompaninë fiktive "Z-Mobile" dhe njëherë e përgjithmonë përgjegjësit e inkriminuar dhe përfituesit e dyshuar në këtë aferë kriminale, të cilët kanë përvetësuar miliona euro dhe janë duke iu shmangur tatimeve dhe fshehjeve të tjera, inkriminuese, të dalin para drejtësisë", thuhet në reagimin e sindikatës së Telekomit të Kosovës.
Kurse për të mos e dëmtuar procesin hetimor paraprakisht, Telekomi as sindikata e Telekomit nuk i kanë bërë publik emrat e personave të dyshimtë, ndaj cilëve kanë kërkuar hetime, pasi që vetëm Javën e kaluar, Gjykata e shkallës së dytë- Apeli, ka nxjerrë aktvendiminin me të cilin ka kthyer në pikën zero rastin kontestues ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Dardafon (Z-Mobile). Me rikthimin në zero të çështjes Telekom-Z-MOBILE, të gjitha paratë që ishin përmbaruar, Telekomi i Kosovës do të kërkojë t’i rikthehen në llogari kësaj ndërmarrje Publike Qendrore, pasi që me shtytjen e politikës kriminale, është vepruar padrejtësisht dhe tërësisht kundërligjshëm dhe për ta dëmtuar sa më rëndë Telekomin e Kosovës i gjithë procesi gjyqësor ishte përcjellë me shkelje të rënda serioze. Shkelje të cilat bënë që muajin e kaluar, në ballafaqim para arbitrazhit ndërkombëtar, ndërmarrja publike ta humbë betejën e dytë ligjore, ndaj kompanisë fiktive "Z-Mobile", akt i pasqaruar plotësisht që detyron t’ia paguajë Blerim Devollit shumën prej 13.5 milionë eurosh për mos vazhdim të kontratës, gjë që pas kthimit të çështjes në pikën zero, nga Gjykata e Apelit,fati i Telekomit, përfundimisht mbetet në dorën e institucioneve të drejtësisë vendore, Prokurorisë dhe gjyqësorit, të cilat kanë për detyrë dhe obligim të vendosin drejtë, shpëtojnë Telekomin nga falimentimi dhe nxjerrin para gjyqit të gjithë personat e kriminalizuar, të inkriminuar në këtë aferë tronditëse, jo vetëm për shkatërrimin e Telekomit por edhe për vet shtetin e Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".