Pse e vranë Ilir Konushevcin?
Eshref Ymeri
Shkruan: Prof.dr. Eshref Ymeri
Një krim i rëndënë traditën e tradhtisë kombëtare
Prof.dr. Mehdi Hyseni, intelektual i shquar i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, historian erudit me formim të shkëlqyer nacionalist, meriton përgëzimet më të mira për përgatitjen e këtij libri-homazh, në nderim të heroit të Kosovës Ilir Konushevci, të vrarë pabesisht 20 vjet më parë, në veri të Shqipërisë, natën duke u gdhir 09 maji i vitit 1998. Profesor Mehdiu, në analizat dhe artikujt e vet publicistikë, si edhe në studimet e vazhdueshme që ka botuar me tema historike, ka mbrojtur vendosmërisht figurat e shquara, të cilat, gjatë tërë periudhave të rënda që kombit shqiptar i është dashur të përballojë në ndeshjet e pandërprera me shovinizmin e ndërkryer serb, kanë shkruar faqe të ndritura burrërie dhe heroizmi të pashoq.
Një figurë emblematike të kombit shqiptar përfaqëson edhe djaloshi sypatrembur Ilir Konushevci, bir i dashur i Kosovës dhe i mbarë kombit shqiptar, i lindur në fshatin Llugë të Podujëvës, më 20 qershor të vitit 1969. Iliri u rrit dhe u edukua në një familje me tradita të kahershme atdhetarie. Gjatë viteve ’80, megjithëse në moshë fare të re, Iliri pati përjetuar tronditje të rënda shpirtërore për shkak të masakrave të egra që shovinizmi gjakatar serb pati shpërthyer në mbarë Kosovën, sidomos pas demonstratave të vitit 1981 në Prishtinë. Krimet gjakatare të bandave të Millosheviçit në mbarë Kosovën, Ilirit i kishin krijuar bindjen e patundur se vetëdija kombëtare do të shkonte drejt forcimit të vazhdueshëm dhe se e vetmja rrugë për të hequr qafe shfrytëzimin kolonial serb, ishte vetëm lufta e armatosur. Prandaj, në fillim të viteve ’90, ai, së bashku me shumë shokë të idealit për çlirimin e vendit nga çizmja serbe, krijoi grupin ilegal që quhej “Shqiponjat”. Në vitin 1997, Iliri, së bashku me disa shokë besnikë, vendoset në Prishtinë në ilegalitet dhe prej andej kalon në Republikën e Shqipërisë. Ishte koha kur situata po ndizej edhe më shumë për organizimin e luftës së armatosur kundër forcave policore dhe paramilitare serbe. Prandaj kërkesa për furnizimin me armatimin e nevojshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte shndërruar në detyrë të dorës së parë.
Duhet theksuar me forcë se kontributi i Ilir Konushevcit dhe i rrjetit të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, për sigurimin e furnizimit me armatime nga Republika e Shqipërisë, ka qenë i jashtëzakonshëm. Këtë kontribut të shquar për armatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me armë të të gjitha llojeve, e dëshmojnë më së miri më shumë se tridhjet hyrjet e Ilirit në Kosovë, duke shoqëruar makina të ngarkuara në Shqipëri me municionet e nevojshme.
Po atëherë pse e vranë Ilir Konushevcin?
Nënkuptohet që edhe strukturat sekrete të shovinizmit serb, punonin me ngarkesë të plotë për sabotimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj Beogradi, që pa dalë në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, gjatë luftës dhe pas mbarimit të saj, në qëndrimin ndaj Kosovës, ndoqi të njëjtën taktikë që pati ndjekur edhe ndaj Shqipërisë gjatë viteve 1941-1948. Siç e ka theksuar historiani i talentuar Kastriot Dervishi, Boegradi, përmes emisarëve të tij Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, themeloi partinë komuniste në Tiranë më 08 nëntor 1941, me tre objektiva kryesore: shndërrimin e partisë komuniste shqiptare në agjenturë të shovinizmit serbokriminal, futjen e Shqipërisë në luftë civile dhe shfarosjen e përfaqësuesve të shquar të nacionalizmit shqiptar. Këto tre objektiva titizmi jugosllav i realizoi plotësisht, në saje të krerëve komunistë, argatë të bindur të Beogradit, me në krye kriminelin Enver Hoxha. Pas Konferencës së Mukjes, Enver Hoxha, nën vëzhgimin e rreptë të Miladin Popoviçit dhe të Dushan Mugoshës, partinë komuniste e vuri tërësisht në shërbim të Beogradit, shpërtheu luftën civile në radhët e popullit shqiptar dhe shfarosi përfaqësuesit e shquar të nacionalizmit shqiptar, si gjatë luftës, ashtu edhe pas përfundimit të saj, nëpërmjet zbatimit me egërsi të famëkeqes luftë e klasave.
I njëjti skenar u zbatua edhe në Kosovë. Atje u krijua Partia Demokratike e Kosovës, me në krye Hashim Thaçin, i cili, siç e ka theksuar në internet përfaqësuesi i shquar i diasporës kosovare në Gjermani, zotëria Xhafer Leci, qe vënë kokë e këmbë në shërbim të Beogradit. Me këtë rast, ai deklaron:
“Hashimi me shokë janë zënë peng nga Beogradi dhe këtë ata e dinë vetë pse? Pse Hashim Thaçi u tregua aq lojal ndaj kërkesave të Beogradit, gjithëherë duke pranuar, plotësuar e nënshkruar kërkesat serbe, me dokumente-garanci përmes Brukselit, në dëm të Prishtinës e në dobi të Beogradit?!”(Citohet sipas: Xhafer Leci. “Thaçi nën hijen e Millosheviçit”. Faqja e internetit e gazetës “Zemra Shqiptare”. 22 prill 2014).
Në këtë mënyrë, tërë veprimtaria atdhetare e Ilir Konushevcit ka qenë nën vëzhgimin e pandërprerë të agjentëve të Beogradit, të rekrutuar me kohë e me vakt nga shërbimi sekret serb. Ky rrjet agjenturor brenda Kosovës domosdo që kishte mbështetjen e fuqishme të rrjetit agjenturor të Republikës së Shqipërisë, po në shërbim të Beogradit. Prandaj edhe lëvizjet e Ilir Konushevcit për transportimin e armatimit nga Shqipëria drejt Kosovës, janë ndjekur me shumë kujdes nga ana e të ashtuquajturit “Shtabi i Rognerit” në Tiranë. Pra, objektivi i parë i Beogradit ishte sabotimi luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vënia e drejtuesve të saj kryesorë në shërbim të shovinizmitt serb, përmesnjë mbikëqyrjeje të rreptë. Kjo strategji e Beogradit kishte si pikësynim që krejt përfaqësuesit me formim nacionalist në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,të zhdukeshin fizikisht që gjatë luftës dhe pas përfundimit të saj. Prandaj edhe Ilir Konushevci u vra në një pritë, të organizuar në një mënyrë të pabesë, kur gjatë natës, duke u gdhirë 09 maji i vitit 1998, në veri të Shqipërisë, ashtu si shumë herë të tjera, ishte duke transportuar armë me një kamion për në drejtim të Kosovës.
Pra, siç u përmend më lart, zhvillimi tragjik i ngjarjeve në Kosovë gjatë dhe pas luftës, ishte një kopje e zhvillimit po aq tragjik të ngjarjeve në Shqipërinë Londineze të viteve 1941-1948. Dhe s’mund të ndodhte ndryshe. Prandaj nacionalisti i shquar i diasporës kosovare në Gjermani, zotëria Idriz Zeqiraj, deklaron:
“Serbia i kishte argatët e vetë të gatshëm. Ajo kishte planifikuar, që, sido që të rrjedhin ngjarjet në Kosovë, donte që njerëzit e saj të vihen në pozicione favorizuese për atë, Serbinë. Por asaj nuk i mjaftonte vetëm ndihma e social-komunistëve të Tiranës. Bëri si bëri, koordinoi me miken tradicionale të Serbisë, Francën, e cila do t’ia ofronte Hashim Thaçit “mikun” e gatshëm, Arnaud Danjean, agjent i Sigurimit francez, DGES. Kurse, ish-shefi i shërbimit francez, Pierre Siramy, në një kanal televiziv, ka thënë: “Hashim Thaçi është agjent i Francës”… Lista emërore e ekzekutimeve vijoi me vrasjet serike… për të arritur kuotën shifrore të 1820 viktimave politike, të ekzekutuar nga komandantët dhe bandat e tyre, të cilët sot vazhdojnë pushtetin e tyre të përgjakur në Kosovën, kinse, të “lirë” e “demokratike!”. Vrasjet politike në Kosovë janë masive, madje shifra e tyre tejkalon numrin e dëshmorëve faktikë, të rënë në luftën e Kosovës (Citohet sipas: Idriz Zeqiraj.“Hashim Thaçi u arrestua për vrasjen e Ali Ukajt, u lirua pas telefonatës së Xhavit Halitit”. Faqja e internetit “MekuliPress. Kritikë për media dhe për retorikë”. 14 gusht 2017).
Kjo është arsyeja kryesore që Ilir Konushevci, si një përfaqësues i shquar i nacionalistëve shqiptarë në Kosovë, duhej të vritej nga dora tradhtare e shërbëtorëve të UDB-së jugosllave, të cilët, me rrjetin e tyre agjenturor, i kanë shërbyer dhe vazhdojnë t’i shërbejnë shovinizmit serbokriminalme një zell të jashtëzakonshëm. Prandaj Shtabi i Rognerit dhe krerët e politikës në Tiranë e kishin të koordinuar veprimtarinë e tyre të përbashkët kriminale për shfarosjen e nacionalistëve kosovarë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe jashtë radhëve saj, në mënyrë që të shtrohej rruga për ardhjen në pushtet të Hashim Thaçit dhe të bandës së tij. Nënkuptohet vetvetiu që deklarata që lëshoi asokohe nga Lisbona kryetari i partisë socialiste Fatos Nano se “kryeqyteti i Kosovës është Beogradi”, nuk ishte absolutisht e rastësishme. Ajo deklaratë ishte sinjal i hapur për organizimin e veprimeve të koordinuara të Tiranës zyrtare, të rrjetit të saj agjenturor dhe të rrjetit agjenturor kosovar në shërbim të Serbisë, me të vetmin objektiv përjetësimin e sundimit kolonial të Beogradit në Kosovë. Pikërisht në saje të punës intensive të këtyre dy rrjeteve agjenturore, nën regjisurën e kryepolitikanëve të sotëm tradhtarë të Tiranës dhe të Prishtinës, Kosova e ditëve tona përfaqëson thjesht një “koloni të pavarur” të Serbisë.
Vrasja e Ilir Konushevcit është një krim i rëndë në vazhën e traditës së tradhtisë kombëtare nga ana e krerëve të politikës shqiptare. Por situata bëhet edhe më e rëndë për heshtjen tërësore të sistemit të drejtësisë shqiptare për vrasjen e Ilir Konushevcit. Ekzekutimi mafioz i Ilir Konushevcit duhet ta kishte shqetësuar drejtësinë shqiptare për arsye se ai u vra brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Por drejtësia shqiptare nuk ndërmori asnjë hap për zbulimin e vrasësve në veri të Republikës së Shqipërisë. Madje ajo nuk e vuri ujin fare në zjarr as për vrasjen disa muaj më vonë të ministrit të mbrojtjes Ahmet Krasniqi, i cili u ekzekutua në mes të Tiranës më 21 shtator të vitit 1998. Moszbulimi i vrasësve të Ilir Konushevcit dhe të Ahmet Krasniqit, është një damkë turpi në ballin e sistemit gjyqësor shqiptar, i cili e ka vënë veten kryekëput në shërbim të politikës tradhtare dhe tërhiqet zvarrë pas saj, duke braktisur misionin e shenjtëruar për vënien në vend të drejtësisë.
Kaliforni,14 mars 2018
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".