Zgjedhen me votën e popullit, mbrojnë interesat partiake ne Kuvend!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Jo të gjithë politikanët janë të njëjtë, por me veprimet e tyre duken të jenë të njëjtë. Politikanët, në veçanti deputetët derisa janë në opozitë i “qajnë” të gjitha hallet e popullit, ndërsa në momentin që vijnë në pushtet i zbatojnë urdhërat e liderëve partiak dhe mbrojnë interesat e tyre personale.
Kosova duke u zbrazur, deputetët në gjumë të thellë dimërorë
Përderisa deputetët e përgjumur të partive në pushtet i kanë harruar qytetarët, opozitarët ndezin motorët, jo për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, por për rikthimin e tyre në pushtet. Së paku deri më sot nuk më ka rënë ta dëgjojë asnjë deputet qoftë të pushtetit apo opozites të merret me dukurinë e zbrazjes në heshtje të Kosovës nga qytetarët e saj, filluar nga të rinjët e papunë, nga mjekët dhe infermierët, nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe FSK-së, nga të punësuarit në sektorin publik dhe privat, nga arsimtarët dhe profesorët, nga intelektualët dhe shtresat akademike!
Pushtetarët aktual derisa ishin në opozitë krrekoseshin për zbrazjen e Kosovës nga të rinjët dhe akuzonin pushtetarët paraprak, ndërsa sot kur janë në pushtet heshtin përballë largimit masiv të të rinjëve dhe jo vetëm!
Një largim kaq masiv i popullatës nga Kosova nuk ka ndodhur në asnjë periudhë historike, madje as në kohën e okupimit klasik të Serbisë!
Mërgimtarët, të harruarit e të gjitha pushteteve
Sikurse bashkatdhetarët në Kosovë, edhe ata në mërgatë i kanë problemet dhe pripecitë e panumërta në shtetet perëndimore. Për shkak se, jo në të gjitha vendet shtetasit kosovar trajtohen në mënyrë të barabartë dhe si shtetas të Kosovës!
Duket paradoksale, por disa nga shtetet njohëse të shtetit tonë, edhe pse me pasaportë të Republikës së Kosovës, bashkatdhetarët tonë i trajtojnë si shtetas të Serbisë apo ish Jugosllavisë së dikurshme!
Si shembull po i marrë dy nga shtetet më të fuqishme të Bashkimit Europian, Italinë dhe Gjermaninë, të cilat në mënyrë parciale i trajtojnë mërgimtarët tonë si shtetas të Kosovës!
Përderisa në Itali, shtetasve kosovar lejet e qëndrimit (“Permesso di Soggiorno”) ende ju lëshohen me kodin fiskal të ish Jugosllavisë (118), në disa republika të shtetit Gjerman, shtetasve kosovar që aplikojnë për shtetësi gjermane, ju kërkohet të bëjnë ç’regjistrimin nga shteti i Serbisë, peripeci këto të mundimshme dhe me kosto të lartë financiare!
Për këto probleme, ju kam drejtuar me letër hapur të gjithë Ministrave të Diasporës me radhë, nga i pari deri tek kjo e fundit (edhe Ministre e Punëve të Jashtme), por nga asnjëri prej tyre nuk kam marrë përgjigje!
Problemi nuk qëndron në faktin pse më injoruan më përgjigje, por tek papërgjegjësia e tyre politike dhe diplomatike, papërgjegjësia shtetërore dhe mungesa e kultures njerëzore. Një fjalë e urtë italiane e thotë; “E legittimo chiedere, cortesia da rispondere” (Është legjitime të pyesësh, mirësjellje të përgjigjesh).
Përderisa një ministër i jashtëm dhe i diasporës, një ambasador apo konsull nuk merret me problemet e mërgatës, atëherë kush duhet të merret me to?!
Heshtja e pushtetarëve në Prishtinë dhe diplomatëve të akredituar në vendet perëndimore ndaj problemeve të sipërcekura, përveqse e pajustifikueshme dhe e papranueshme, është fyese dhe nënçmuese ndaj mërgimtarëve.
Në fund, edhe një herë po i kthehem përfaqësimit në Kuvend. Të zgjedhurit e popullit, përkatësisht deputetët, më shumë sesa interesin e partive politike, duhet të mbrojnë interesin e qytetarëve, gjegjësisht interesin e votuesve të tyre, duke e trajtuar me urgjencë në Kuvend largimin masiv të qytetarëve nga Kosova, për arsye se, nëse nuk ndalet trendi i zbrazjes së Kosovës, në të ardhmen e afërt Kosova do të mbetet vend pa qytetarët e saj, ndërsa Parlamenti do të mbushet me familjarë të politikanëve të pasur dhe militant partiak, kurse republika parlamentare do të kthehet në monarki të oligarkëve politik dhe ekonomik!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".