Lexoni edhe:
Lidhja me krimin e organizuar në fushën e energjisë do qasje gjithëpërfshirëse, nuk zbulohet me improvizim hetimi të një rasti të izoluar
Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava
Sa më parë të fillohet me spastrimin e institucioneve aq më mirë do të ishte për Kosovën, e sidomos reformimin e sistemit të drejtësisë që nga shumë analiza konfirmohet konstatimi se ky institucion është më i kriminalizuari në këto institucione të shtetit, dhe mos të ishte një gjë e tillë tani Kosova nuk do të ishte në këtë gjendje të mjerueshme sikur që gjendet tani, prandaj sa më parë duhet të ndërmerret një veprim i tillë e pse jo edhe të jetë muaji maj, vendimtar për hedhjen e hapave konkret në procesin serioz të fillimit te reformimit të sistemit të drejtësisë, dërgimin e pakos ligjore për Vettingun dhe Konfiskimin e pasurisë së pa justifikueshme për miratim në Kuvendin e Kosovës.
-Gjithsesi se duhet të fillon ky proces, në proces të emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dekretimi i të cilëve varet nga Presidentja e shtetit, duke filluar nga propozimi për kryeprokurorin e shtetit i cili ”po pushon” në kabinetin e presidentes Vjosa Osmani për tu refuzuar pas vërejtjeve serioze nga ambasadorët e vendeve mike dhe ekspertët e pa varur mbikëqyrës të shoqërisë civile. Se ky proces i vendosjes së sistemit të drejtësisë në binar normal dhe funksional, me personel të pastër kredibil e profesional, është zotuar edhe Ministrja e drejtësisë në raportimin e fundit që ka zhvilluar para Komisionit për Integrime Evropian, ku ka folur për rreth zhvillimeve të fundit në adresimin e reformave në fushën e drejtësisë si dhe përmbushjen e veprimeve të Ministrisë së Drejtësisë nga Agjenda për Reforma Evropiane (ERA) dhe nga Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.
Ministrja Haxhiu para anëtarëve të Komisionit tha se Ministria të cilën ajo e drejton, është duke punuar intensivisht me qëllim të avancimit të reformave në Sektorin e Drejtësisë me theks të veçantë në përmirësimin e legjislacionit penal, kundër korrupsionit dhe atë të reformave gjyqësore, në kuadër të sfidave të dala nga Agjenda Evropiane në Republikën e Kosovës. Si hap të rëndësishëm të Ministrisë së Drejtësisë, ministrja Haxhiu përmendi miratimin nga ana e Qeverisë të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, e cila tha ajo, synon të promovojë integritetin, llogaridhënien dhe besueshmërinë në sistemin e drejtësisë, sigurinë dhe rendin publik.
Ajo ka bërë të ditur se sa ju përket zhvillimeve të fundit në sektorin e Drejtësisë, procesi i Vettingut në kohë reale është miratuar Koncept dokumenti për Vetingun dhe njëherit është përfunduar edhe drafti i amendamenteve kushtetuese për këtë çështje dhe Projektligji për Vettingun në sistemin e drejtësisë, derisa është në proces të finales hartimi i Projektligjit i cili themelon Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të Pajustifikueshme. Ndryshe hap pozitiv për ballafaqim me luftimin dhe parandalimin e korrupsionit është cilësuar Miratimi dhe fillimi i zbatimit të Ligjit për Gjykatën Komerciale,, Gjykatë që ka filluar së funksionuari, ndërkohë që është proceduar edhe Projektligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Projektligjit për deklarimin, origjinën dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve publikë. Me miratimin e këtyre ligjeve institucioni i Drejtësisë do të pasurohet me ligjet në fjalë dhe në të ardhmen do të spastrohet ky institucion nga të shumtat e krimeve që janë krye në këto institucione të Drejtësisë, duke filluar me reformime dhe konfiskime të pasurive të pajustifikueshme, dhe me këto veprime pritet që të spastrohen këto institucione njëherë e mirë, dhe nga këto veprime do të përfitohet një eksperiencë dhe kulturë që kush punon në të ardhmen në këto institucione, duhet t’iu përmbahen ligjeve dhe jetosit të këtyre ligjeve në praktikat e përditshme të institucionit të Drejtësisë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".