Kosova ta ndjek modelin për një sistem të pavarur të drejtësisë, për veprim kundër mafies

Kosova ta ndjek modelin për një sistem të pavarur të drejtësisë, për veprim kundër mafies

Gani Qarri

  • 12 May 2022 - 07:35

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Kështu që tanimë është momenti i duhur që edhe në Kosovë ti shohim gjyqtarët, ish gjyqtarët, kryeprokurorë, ish kryeprokurorët dhe kryetarët e gjykatave nga të gjitha nivelet duke u hetuar dhe zbuluar lidhja e tyre prej dy dekadash me krimin e organizuar, grupet mafioze dhe rrjetet kriminale dhe përfunduar në pranga për kooketimet e tyre dhe lidhjet e kundërligjshme me krimin e organizuar.

-Pas më tepër se dy dekadash anarki e mosfunksionim normal të rendit dhe ligjit, është momenti vendimtar që edhe Kosova përfundimisht ta instalojë një sistem të mirëfilltë të drejtësisë të pa varur në veprime dhe aq të guximshëm e profesional, sa të jetë në gjendje që të mund të përballet me strukturat e korrupsionit dhe krimit të organizuar deri në nivelet më të larta, i vendosur të intervenojë edhe brenda vetë sistemit të drejtësisë sikur që po ndodhë edhe në vendet fqinjë. Në Mal të Zi, me urdhër të Prokurorisë Speciale, vet Kryetari i Gjykatës Ekonomike Blazho Jovaniq, si dhe disa persona të tjerë, të hënën u arrestuan nga policia e shtetit, nën dyshimin për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Në këtë vend, lufta kundër të gjitha llojeve të krimit të organizuar, grupeve mafioze dhe abuzimit me ligjin ishin shpallur pika kryesore në të dyja qeveritë e fundit të Malit të Zi, ku edhe shqiptarët mbajtën dhe po mbajnë pozita të rëndësishme në krye të shtetit, si mandatin e kaluar postin e zëvendëskryeministrit, kurse tani edhe atë të kryeministrit të këtij shteti me Dritan Abazoviqin, i cili agjendën e sundimit të ligjit po e vazhdon si top prioritet të qeverisë së tij. Madje kryeministri Dritan Abazoviq e ka përshëndetur edhe aksionin aktual të Prokurorisë Speciale të Shtetit duke thënë se kjo paraqet përgjigjen më të mirë ndaj kritikave për përpjekje të pamjaftueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në këtë vend. Për aq më tepër edhe ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi e ka mbështetur aksionin e Drejtorisë dhe të Policisë së shtetit, duke u shprehur se ky akt, është treguesi më i mirë i përkushtimit dhe luftës së pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i cili edhe është proklamuar si një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së re.

Prandaj për kushtin e përshpejtimit të hapjes së perspektivës evropiane edhe institucionet e drejtësisë në Kosovë do të detyrohen që pa vonesë të fillojnë me hetimin dhe zbulimin e lidhjeve të kundërligjshme brenda për brenda grupeve bashkëvepruese me korrupsionin, krimin e organizuar dhe nëntokën kriminale. Kjo për vet faktin se, siç dihet nga të gjithë, nuk janë të pakta rastet, ku eksponent të lartë të sistemit të drejtësisë, u pasuruan për kohë shumë të shkurtër,dhe ua mundësuan grupeve dhe klaneve të lidhura me politikën e inkriminuar për të përvetësuar, kundërligjshëm prona shtetërore në emër të blerjes me çmime të volitshme.

Në këtë mënyrë, ata kanë fituar pasuri të mëdha në dëm të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, si dhe punëtorëve të ndërmarrjeve të mëdha shtetërore, të cilat u shkatërruan dhe kthyen brenda natës, në prona private të personave oligarkë të lidhur me ish pushtetarët e korruptuar dhe politikën e inkriminuar në vend. Kështu që tanimë është momenti i duhur që edhe në Kosovë ti shohim gjyqtarët, ish gjyqtarët, kryeprokurorë, ish kryeprokurorët dhe kryetarët e gjykatave nga të gjitha nivelet duke u hetuar dhe zbuluar lidhja e tyre prej dy dekadash me krimin e organizuar, grupet mafioze dhe rrjetet kriminale dhe përfunduar në pranga për kooketimet e tyre dhe lidhjet e kundërligjshme me krimin e organizuar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".