Lexoni edhe:
Krijimi i Qeverisë nën hije të PDK-së rimobilizim i SHIK-ut për ta kapur pushtetin dhe zhvatur e tregtuar me shtetin
Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava
Në këto rrethana të situatave që po i jetojmë, oligarkët mafioz po përdorin derën e hapur të Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar për ta zhvatur shtetin dhe buxhetin e shtetit të Kosovës, duke i dërguar rastet në Gjykatën ndërkombëtare të Arbitrazhit dhe duke ikur nga trajtimi dhe gjykimi i rasteve kontestimore në institucionet e drejtësisë të shtetit të Kosovës. Miliona euro të buxhetit të shtetit por edhe të ndërmarrjeve të ndryshme publike, shkojnë brenda vitit, në llogari të oligarkëve të ndryshëm të lidhur me krimin e organizuar, duke e shfrytëzuar Arbitrazhin si mundësi të sigurt dhe fare më interesim për ruajtjen e shtetit, arrijnë për tu pasuruar.
- Rasti më i freskët është ai i kontestit në mes të AKP-s dhe kompanisë SharrCem që, e humbi rastin në arbitrazh, AKP-ja dhe i pagoi SharrCem-it rreth 1.8 milion euro. Mësohet se AKP-ja transaksionin bankar në xhirollogarinë e “Sharr Beteiligungs GmbH”, privatizuesit të SharrCem-it, e ka finalizuar me 15 prill 2022 komfor vendimit të Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit. Më 7 mars 2022 Tribunali Ndërkombëtar i Arbitrazhit me shumicë të votave (dy në favor dhe një kundër), kishte vendosur që “Sharr Beteiligungs GmbH”, privatizuesi i “Sharr Cemit” ka të drejtë dhe e fiton rastin. 9 dhjetor 2010, kur Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe SharrB kishin nënshkruar Marrëveshjen për Shitblerjen e Aksioneve (MSHA) të ndërmarrjes SharrCem me seli Hani i Elezit me një çmim të përgjithshëm të blerjes prej 30.1 milionë euro. Kjo me kusht që kushtet e tregut të mbeten materialisht të pandryshuara, të implementojë një “program investimi” 5-vjeçar, me një vlerë të parashikuar prej 35 milionë eurove.
10 dhjetor 2015, AKP-ja i ka shkruar SharrCem-it duke e informuar se afati për përmbushjen e obligimeve investuese sipas MSHA-së kishte skaduar një ditë më parë. AKP-ja e ka përsëritur se, në përputhje me nenin 5.03 të MSHA, do të angazhonte një firmë për të kryer një auditim për të përcaktuar nëse SharrB kishte përmbushur zotimet e veta për investime në kuadër të MSHA. Agjencia ne vitin 2016 kishte angazhuar firmën ndërkombëtare të auditimit BDO. Rreth një vit më vonë, më 19 dhjetor 2016, BDO publikoi raportin e auditimit (“Raporti i Parë”). Në raportin e parë është vënë në dukje se SharrCem kishte raportuar 35,170,654 euro në investime ndërmjet periudhës 9 dhjetor 2010 dhe 31 dhjetor 2015. Megjithatë, BDO ka arritur në përfundim se disa nga këto investime të raportuara nuk mund të “klasifikoheshin si investime kapitale për përmbushjen e marrëveshjes së zotimit për investime.” “Në veçanti, 7.891.000 euro janë paguar për blerjen e aksioneve në tri kompani, Rudmak DOOEL (“Rudmak”), MillCo DOOEL Shkup (“MillCo”) dhe Cement Plus shpk (“Cement Plus”), si dhe 1,495,660 euro të “Investimet në vazhdim”, u konstatuan nga BDO se nuk janë investime kapitale në kuptimin e MSHA’së. 225,757 euro në investime të raportuara që ishin “faturuar dhe kontraktuar” pas 9 dhjetorit 2015 deri më 31 dhjetor 2015 u përjashtuan gjithashtu nga BDO.
Si e tillë, BDO i ka konstatuar “investimet kapitale të pranueshme që nga 9 dhjetori 2015” të jenë 25,558,237 euro”, thuhet në përgjigjen e AKP-së. Në relacion me këtë Sharr B kishte ngritur shqetësimet e saj se mospërmbushja e pjesës tjetër të investimeve kishte rezultuar si shkak i vështirësive në kushtet e tregut që kishin ndodhur në Republikën e Kosovës. Më 31 korrik 2017, AKP-ja e ka njoftuar SharrCem-in se Bordi i Drejtorëve të AKP-së kishte vendosur të angazhojë “një firmë prestigjioze audituese ndërkombëtare” për të analizuar kushtet e tregut që mund të ndikojnë në zbatimin e programit të investimeve në kuadër të MSHA-së. Në fund të muajit janar të vitit 2018, saktësisht më 26 janar, AKP-ja ka lidhur kontratë tjetër me BDO-në për të “konstatuar nëse ka ndonjë ndryshim të kushteve të tregut i cili mund të ketë ndikim në realizimin e investimeve kapitale nga blerësit e Ndërmarrjes së Re “Sharrcem” Hani i Elezit”. Në konkluzionin e raportit të saj të përgjithshëm, BDO ka konstatuar se “nuk ka pasur ndonjë ndryshim material në kushtet e tregut që mund të ketë ndikuar në realizimin e investimeve kapitale nga blerësi i Ndërmarrjes së Re ‘Sharrcem’ sh.p.k, Han i Elezit”. Më 23 nëntor 2018, Bordi i Drejtorëve të AKP-së vendosi që SharrCem “të paguajë” 9,441,768,83 euro “për diferencën e mosplotësimit të investimeve” dhe caktoi afatin e pagesës “60 ditë pune pas njoftimit”.
“Pas marrjes së vendimit nga AKP-ja, SharrCem dhe SharrB i kanë shkruar ndaras AKP-së, duke pohuar se SharrCem nuk ishte palë e MSHA-së dhe për këtë arsye nuk kishte asnjë detyrim sipas kësaj marrëveshje”, thuhet në përgjigjen e AKP-së. AKP-ja nuk u pajtua me qëndrimet e tyre, dhe më 30 janar 2019, Bordi i Drejtorëve të AKP-së ndryshoi vendimin e mëparshëm duke theksuar se SharrB dhe SharrCem “do të paguajnë” në lidhje me “mospërmbushjen e investimeve. Më 29 janar 2019, paditësi ka dorëzuar Njoftimin për Arbitrazhin, duke u thirrur në nenin 9.04 të MSHA-së dhe nenin 3 të Rregullave të Arbitrazhit të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Tregtisë Ndërkombëtare të rishikuar në vitin 2010 (“Rregullat e UNCITRAL”). Marrëveshja për shitblerjen e ndërmarrjes e kishte paraparë Klauzolen e Arbitrazhit si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në mes palëve”. Dhe në krejt këtë kontest, sipas Arbitrazhit, humbës ka dal AKP-ja duke u detyruar që ti paguaj SharrCem-it rreth 1.8 milion euro.
Nuk është ky rast i vetëm i përfitimit zhvatës nga shkelësit e ligjit dhe oligarkët e lidhur me grupet e nëntokës kriminale, sepse ngjashëm është vepruar edhe me Telekomin e Kosovës nga Devollët por edhe te raste të tjera tek të cilët oligarkët e lidhur me Mafio politikën anashkalojnë institucionet tona të drejtësisë dhe padisin shtetin dhe institucionet tona në arbitrazhin ndërkombëtar. Prandaj tani e tutje duhet që të shfrytëzohet Gjykata Komerciale e Kosovës, e themeluar në janar të këtij viti për ti adresuar të gjitha kontestet lidhur me çështjet ekonomike dhe konfliktet administrative në kontestet ekonomike që do të lindin në të ardhmen, në mënyrë që të mos dëmtohet shteti dhe interesi publik, nëpërmes lidhjeve që gjejnë oligarkët e kompanive të ndryshme, e të cilat deri më tash i kanë kushtuar me qindra miliona shtetit të Kosovës, duke u rrezikuar jo vetëm zhvillimi, por shumë ndërmarrje publike janë sjellë edhe buzë falimentimi. Në të ardhmen kërkohet që t’iu përmbahemi ligjeve në fuqi dhe mbi të gjitha ta kuptojmë se mbi të gjitha shteti i Kosovës duhet ti përngjaj shteteve tjera demokratike ku në rend të parë mbrohen ligjshëm interesat e shtetit tonë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".