Lexoni edhe:
Kryeministri në Samitin e Ohrit, të dëshmoj dhe bindur edhe të tjerët pse nuk duhet pranuar “Ballkanin e Hapur”!
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Siç është njoftuar opinioni, me 29 maj, dështoi edhe një gjykim i para programuar, për tu shtyrë, akt që po dëshmon edhe njëherë më tepër, se në Kosovë po vazhdon të luhet pingpong dhe zvarritet pafundësisht nga gjykata e kapur prej krimit të organizuar, procesi gjyqësor, tanimë edhe kundër vjedhësve të kapur në flagrancë të cilët sulmuan arkën e shtetit dhe në grup të organizuar plaçkitën 2.8 milion euro, qysh më 9 tetor të vitit 2020.
-Ashtu siç jemi mësuar të dëgjojmë, serish për shkak të mungesës, por tani të gjykatëses Shadije Gërguri dhe jo të ndonjërit nga të bashkë-akuzuarit, më 29 maj, është shtyrë edhe një seancë tjetër gjyqësore e paraparë të mbahej kundër Labinot Grudës dhe Kadri Shalës, të akuzuar për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 eurove, që në fillim-tetorin e gati,para dy viteve, nga Thesari i Shtetit. Madje për tu bërë rasti edhe më ironik, për të mos thënë edhe tërësisht qesharak, anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Arben Hoti, mos mbajtjen e seancës gjyqësore e ka arsyetuar me faktin se gjyqtarja Gërguri, paska munguar për shkak të një “urgjence” dhe me krijimin e rrethanave të "pa pritura" qenka shtyrë seanca deri më 13 qershor 2022.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), pak më tepër se një vit, pas vjedhjeve të rreth 3 milion eurove nga Thesari i shtetit të Kosovës, më 12 tetor të vitit 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala. Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, Gruda, akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrje e paautorizuar në sistemet kompjuterike”, “Vjedhje të identitetit dhe pajisjes së qasjes”, si dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe parandalimin e financimit të terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Kadri Shala.
Edhe Kadri Shala, akuzohet për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Labinot Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Në aktakuzë thuhet gjithashtu, se Labinot Gruda veprat e lartcekura penale i kreu në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ dhe Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve-Thesari i Shtetit. Ndërsa, Kadri Shala ishte i autorizuar ligjor në kompaninë “LDA Group SHPK” dhe sipas PSRK-së, si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala buxhetit të Republikës së Kosovës, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë. Lidhur me këtë akt kriminal të vjedhjes së rëndë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave, të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës,nga ana e të pandehurve deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar, ose në të kundërtën, gjykata të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës”.
Padia e ngritur kundër Labinot Grudës e akuzon atë se më 9 tetor të vitit 2020, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët, dhe për t’i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e vendit të punës ka ndërhyrë në mënyrë antiligjore, në ndarjen buxhetore, dhe ka transferuar kundërligjshëm shumën prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë, në llogarinë bankare të “LDA GROUP”, SH.P.K. Dhe pas kyçës së kundërligjshme në Sistemin e Menaxhimit të Financave të Kosovës (SIMFK), Gruda ia ka shtuar userit të tij mundësinë e shtimit të klasës funksionale në sistem, me ç’rast ka regjistruar furnitorin “LDA GROUP” SH.P.K, si dhe më pastaj, ka krijuar edhe përdoruesit fiktiv përmes të cilëve ka ndërmarrë veprimet për qasje, urdhër-blerje, pranim të mallit dhe krijim të kuponëve të shpenzimit!? I akuzuari Labinot Gruda, ka ndërruar edhe fjalëkalimin e përdoruesit ekzistues “FAZLIUF”(Fadil Fazliu), i cili kishte qasje në sistem, si zyrtar certifikues i Ministrisë së Infrastrukturës, dhe duke keqpërdorur ndërrimin e fjalëkalimit, ai ka certifikuar vet, kuponët e shpenzimit për operatorin “LDA GROUP” SH.P.K., me ç’rast Thesari i Kosovës sipas procedurave standarde të SIMFK-së, ka ekzekutuar pagesat në llogari të këtij operatori.
Edhe Kadri Shala akuzohet se më 9 tetor të vitit 2020 me dashje dhe qëllim të krijimit të mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese të të akuzuarit Labinot Gruda, i ka ndihmuar të akuzuarit Gruda duke i vënë në dispozicion, të dhënat e plota të subjektit juridik “LDA GROUP” SH.P.K, si dhe llogarinë bankare të firmës "LDA GROUP" SH.P.K, pasi që personi i autorizuar me kompetenca të plota të saj, ishte vet i akuzuari Kadri Shala. Në këtë mënyrë, Kadri Shala, me 9 tetor të vitit 2020, i ka mundësuar të akuzuarit Labinot Gruda që shumën e parave prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë, t’i transferojë në mënyrë të kundërligjshme në llogarinë bankare të firmës së tij me emrin, "LDA GROUP" SH.P.K. Prokuroria Speciale, pretendon gjithashtu se të akuzuarit Gruda dhe Shala nga 9 deri më 15 tetor 2020, pra për rreth 6 ditë me radhë, me qëllim të fshehjes dhe maskimit të rastit, lëvizjes dhe pronësisë së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshme, Labinot Gruda fillimisht i ka transferuar këto para në llogarinë bankare të “LDA GROUP”, e më pastaj në emër të blerjes, huazimit, avansit, donacionit dhe kryerjes së obligimeve,i ka transferuar në llogari të ndryshme bankare të personave fizik dhe juridik.
Madje për tu bërë ky rast sa më i vështirë dhe tërësisht spektakular për hetim, shumën prej 1 milionë e 416 mijë e 413 euro e 64 centë, i ka shpërndarë brenda Kosovës, ndërsa shumën prej 440 mijë eurove, jashtë saj, por duket se Kadri Shalës, nuk i kishte munguar gjithë kjo hajni, ndaj për të mos e lënë vetëm me kaq, ai ka tërhequr nga banka edhe 221 mijë e 582 euro e 26 centë, gjoja për pagesa dhe nevoja të kompanisë!!!
Por përkundër rastit të tillë kaq të rëndë të hajnisë dhe nevojën urgjente për dhënien sa më parë, të verdiktit ligjor të drejtësisë kundër kriminelëve, në Kosovë, veçanërisht kur janë në pyetje, raste si këto me zyrtar të lartë të akuzuar, loja e zvarritjeve të qëllimshme të gjykimit me skenar të paramenduar të shtyrjes pa afat, vazhdon, në mënyrë që të zhvlerësohet tërësisht gjykimi dhe bëhen pazare sa më të favorshme, me nëntokën e krimit të organizuar, ashtu sikur ka ndodhur në dhjetëra raste të profilit të lartë, prandaj dhe nga mbarë opinioni vendor, po kërkohet me këmbëngulje, futja e VETTING-ut, për ta pastruar përfundimisht drejtësinë e kapur, nga gjyqësori i shitur dhe korruptuar.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".