Si i mashtroi Serbia të gjitha shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara?
Ragip Guraziu
Shkruan:Ragip Guraziu
U tha më lartë se në sesionin e 63 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me datën 8 tetor 2008, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiqi, shtroi për miratim një projekt – Rezolutën A/63/L.2 përmes së cilës kërkohej që kjo asamble të kërkonte mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Asambleja e miraton me të njëjtën datë rezolutën, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara z. Ban Ki – Moon i dërgon këtë kërkesë Kryetarit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, më datën 9 tetor 2008.
Serbia do të deklarojë se do të respekton dhe se do të pranojë vendimin e gjykatës çfarëdoqoftë ai. Por Serbia edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të bërë publik më 22 korrik të vitit 2010, me të cilin dëshmohet dhe argumentohet përgjigjja në pyetjen se: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës në pajtim me të drejtën ndërkombëtare?”, thuhet :” Pra, duke u mbështetur në argumentet e trajtuara dhe të ekspozuara me 121 paragrafë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpall vendimin e vet se akti: ‘ i miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshme ndërkombëtare”. Siç tha më lartë Serbia si zakonisht mashtroi të gjitha anëtaret e Asamblesë Kombeve të Bashkuar kur kishte thënë: ”… se do të respekton dhe se do të pranojë vendimin e gjykatës çfarëdo qoftë ai”, duke mos e mbajtur fjalën, duke kërkuar që ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të zhvillohen bisedime teknike për rregullimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Këtë kërkesë, Kosova nuk e kundërshtoi, andaj dialogu teknik në Bruksel, për Rregullimin e raporteve të qeverive të Beogradit dhe të Prishtinës, me insistimin e BE, kanë filluar më 8 mars 2011. Ky dialog gjoja ka pasur për qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si edhe pozitën e qytetarëve të Kosovës. Udhëheqëse e grupit të palës shqiptare të Prishtinës ka qenë Edita Tahiri, ndërsa udhëheqës i palës serbe së Serbisë deri në gjysmën e dyte të vitit 2012, ka qenë Borisllav Stevafanoviq. Ky më pas është zëvendësuar nga Dejan Pavićeviq, e ky më pas nga Marko Gjuriq , një alater-ego e kasapit të Slobodan Millosheviqit. Dialogu teknik është zhvilluar në periudhën 2011-2012. Por biseda e inicuar nga Serbia në Bruksel ka qenë një projekt mashtrues, sepse në thelbin e tij ky projekti, siç do të vërtetohet shumë shpjet ka qenë demontimi e Pavarësisë së Republikës së shpallur dhe kthimi i ndikimit të Serbisë në Kosovë, si dhe krijimi i mundësive eventuale për një konferencë të re ndërkombëtare në të cilën do shtrohej sërish çështja e statusit Kosovës.
QËLLIMI I BISEDAVE NË BRUKSEL
Qëllimi i bisedave në Bruksel ka qenë dhe është ruajta e Status Quo-s, i cili nënkupton mosrealizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, sepse bisedat në Bruksel nga Serbia janë inicuar për zvarritjen e rregullimi të marrëdhënieve që kishin për qëllim blerjen e kohës dhe destabilizimin e Kosovës, nëpërmjet shantazheve ( burgosjes se shqiptarëve qytetarëve të Kosovës dhe të vendeve perëndimore me origjinë nga Kosova, inskenimi i konflikteve ndëretnike (vrasja e qytetarëve serbe, me qëllim të fajësimit të shqiptarëve- rasti i Oliver Ivanoviqit) inkursioneve (treni rus, skenari për vjedhjet, plaçkitjet e shtëpive serbe nga serbët, për të fajësuar shqiptarët dhe për krijuar nje casus belli për të intervenuar në veri të Kosovës të paralajmëruar nga gënjeshtari Sava Janjiq dhe për ta aneksuar këtë pjesë me armë që ishte planifikuar të bëhet më 5 korrik të vitit 2018, Lajmi se shqiptarët do të sulmojnë Kurshumlinë etj.
Gjatë dhjetorit 2012, dhe fillimit të vitit 2013, Serbia ka ndërmarrë një nismë të fuqishme ideopolitike ndërkombëtare për formimin Bashkësisë së Komunave Serbe. Lidhur me këtë në Serbi është arritur konsensusi politik ndërmjet kreut shtetëror dhe të partive politike opozitare. Kjo ka qenë edhe një ndër pikat themelore e vazhdimit të dialogut me Prishtinën. Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë, më 13 janar 2013 e ka miratuara “ Rezolutën për parimet themelore të bisedave politike me Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse në Kosovë dhe Metohi”. Kjo rezolutë politike për vazhdimin e dialogut politik, është vazhdimësi e projektit të gjenocidal të Branislav Krstiqit i vitit 1994, si dhe projektit të tretë të këtij autori serb, që për traditë dhe amanet ia kishte lënë babai i tij Gjorgje Krstiqi , një ndër propaganduesit kryesor të shfarosjes së shqiptarëve nëpërmjet projektit të: “Kolonizimit të Kosovës me serbë dhe malazezë” duke i dëbuar shqiptarët nga tokat dhe pronat e tyre autoktone, duke i vrarë dhe masakruar. Kjo ide e bashkimit horizontal dhe vertikal të serbëve me kryeqendrën e tyre në Beograd ishte paraparë, siç e kam theksuar më lartë me Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, ashtu edhe me projektin e Qoviqit, Koshtunicës dhe projektet tjera. Bazuar në projektin e tij të Ridefinimit të territorit të Kosovës së vitit 1994, Branisllav Krstiqi (1922-2016), në vitin 2001, për nevojat e “Platformës Qendrës Koordinuese për Kosovë dhe Metohi (të cilin e kishte përkrahur, siç kemi thënë më parë Hashim Thaçi, dhe nuk e kishin refuzuar as Ibrahim Rugova e as Ramush Haredinaj[9] që në vitin 2001 e që ishte një model i menduar mirë i kthimit triumfal të Serbisë në Kosovë dhe të ndarjes së saj në vija etnike dhe në parimin e ekstraterritoralitetit të objekteve fetare të Kosovës të uzurpuara me dhunë dhe falsifikime të historiografisë serbe). Ky autor në studimin e tij, si edhe në projektin e vitit 1994 të cilin e kam trajtuar me lartë në këtë studim : ”… kërkon territore të ndara në vija etnike, ku viseve të ndara shqiptare ( e hijezuar në hartë) do t’u jepej një autonomi e shkallës së papërcaktuar, por gjithnjë në kuadër të Serbisë- nën mbrojtjen e NATO-s dhe të Rusisë) që do ishte pjesa më e madhe e Kosovës dhe Metohisë, me numër më të madh të qyteteve dhe që do t’i kishte 1.063.600 shqiptarë, përkatësisht 86.7 për qind e gjithë popullatës së krahinës , si dhe 67.700 serbë dhe malazez, përkatësisht 13.3%. Shumica e përmendoreve të shqiptarëve do të ishin në atë entitet.
me shumicën e popullsisë sllave do t’i kishte 174.600 serbë dhe malazez; 163.100 shqiptarë dhe , 53.400 etnitete tjera.” Autori këto të dhëna statistikore i bazon në regjistrimin e rregullt zyrtar të vitit 1981). Sipas tij “Raporti i popullsisë do të ishte 44.6 për qind serbë me 41.7 për qind të etnive të tjera”. Krstiqi konsideron:”… se asnjë entitet nuk bën të mbetet pa qytete. Kjo dy entiteteve do të siguronim arsimin, shëndetësi dhe jetën publike pa diskriminim. Ky konsideron se:”… entiteti serb duhet t’i ketë Mitrovicën e Kosovës (të cilën gjermanët ia kanë lënë Serbisë gjatë okupimit); një pjesë të Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit. Entiteti serb dotë ishte tërësisht i pavarur dhe i lidhur me Serbinë. Entitetit serb si pas natyrës së gjerave, duhet t’i takon ujëmbledhësi i dy lumenjve kryesor serb : Ibrit ( Kollashini i Ibrit që me ngulm sot e kërkon Alesandër Vuçiqi ) dhe i Moravës” ( janë kërkesa të këtij lugati i cili besojmë që për dëmet, tragjeditë dhe fatkeqësite që ky dhe babai i tij Gjorgje Krstiqi [10] i kanë sjell popullit shqiptar, janë duke u djegur në ferr). Mbi këto ide, Vojisllav Koshtunica, më 2 mars të vitit 2004, në fjalimin e tij inaugurues paraqiti vizionin e tij për Kosovën, si provincë autonome e Serbisë, dhe me një autonomi të serbëve të Kosovës brenda asaj autonomie. Lexuesi i vëmendshëm do të hetoi propozimin e Branislav Krstiqit si e drejta e etnike e shqiptarëve në një autonomi brenda Serbisë, dhe e drejta historike e serbëve, e drejta në territor, si autonomi e serbëve për të jetuar në tokat “historike të shtetit serb”. Sipas kësaj del se shqiptarët në tokat e tyre duhet të jetojnë si refugjatë në “ pronën historike serbe” ( thonjëzat e H.H). Kështu siç shihet dhe argumentohet, Serbia në bisedime në Bruksel me vendimin e Kuvendin e Serbisë dhe me pajtimin nacional e dërgon delegacionin e saj në bisedime, deri sa Kosova pa koncept dhe pa platformë, me lejen e Kuvendit të Kosovës e çon cjapin te kasapi! Nga 8 marsi i vitit 2011 deri më datën 20 shkurt 2013, zhvillohen pesë takime të bisedave teknike. Në takimin e 20 shkurtit 2013, ka filluar dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, lidhur me pozitën e Serbëve në veriun e Kosovës, përkatësisht katër komunat me popullsi shumicë serbe. Më pas kanë filluar raundet tjera të shumta dhe rraskapitëse. Në emër të pushteteve në Beograd dhe në Prishtinë, lidhur me pozitën e serbëve në veri të Kosovës, me ndërmjetësimin e BE, kanë zhvilluar bisedimet Ivica Daçiqi dhe Hashim Thaçi. Mbi bazën e parimeve preliminare për arritjen e marrëveshjes, të cilat i ka prezantuar përfaqësuesja Ketrin Eshton, më 20 mars 2013, Serbia ka konsideruar se nuk ka garanci të forta për mbrojtjen e të drejtave të bashkësisë serbe dhe nuk i ka pranuar, por ka pasur edhe përpjekjet e konsiderueshme të Hashim Thaçit që në Marrëveshje të futet dispozita për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare (veçmas në KB). Me insistimin e Serbisë, në bisedimet gjatë prillit 2013, është përfshirë edhe pakti NATO-s, si garant unik i bisedave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me qëllim që të parandalohet rrezikimi potencial i sigurisë në veri të Kosovës, andaj dhe rezultat i bisedimeve raundit të nëntë në Bruksel, të mbajtur më 19 prill 2013, të ka qenë nënshkrimit i Marrëveshjes mbi parimet për rregullimin e raporteve. Kjo marrëveshje ka paraparë edhe Formimin e Bashkësive të Komunave me shumicë serbe (ang. Assocication/Communty of Serb Majority municipalities in Kosovo) të cilën do ta përbënin pos katër komunave në veri të Mitrovicës edhe komunat e caktuara me vendbanime serbe në pjesën qendrore të Kosovës. Me marrëveshje për themelimin e AKS është paraparë që AKS të veprojë në pajtim me statutin e vet; ta ketë kryetarin, nënkryetarin, asamblenë dhe këshillin. Po ashtu, është theksuar se ajo do të veprojë në përputhje me rendin kushtetues të Kosovës, si dhe me legjislaturën ekzistuese në fuqi të Kosovës. Komunat, po ashtu do të bashkëpunojnë në kuadër të autorizimeve të tyre dhe në pajtim me Kartën evropiane për vetëqeverisjen lokale të Këshillit të Evropës dhe do të kenë të drejtën e mbikëqyrjes në:’ fushat e arsimit, zhvillimit ekonomik, shëndetësisë, urbanizmit dhe të zhvillimit rural . AKS do të ketë rol përfaqësues në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve pakice që vepron në institucionin e kryetarit të Kosovës dhe që i përfshinë përfaqësuesit e romëve, egjiptianëve, ashkalive, malaziasve, boshnjakëve dhe serbëve. Pushteti qendror i Kosovës, në pajtim me këtë marrëveshje mund të bartë edhe autorizime shtesë asociacionit të përmendur. Me këtë marrëveshje është paraparë që gjatë vitit 2013 të zhvillohen zgjedhjet lokale edhe në veri të Kosovës me ndihmën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OEBS) duke pasur parasysh dispozitat në fuqi të legjislaturës së Kosovës. AKS, në Kosovë nuk do të paraqes formë klasike të autonomisë territoriale, komunitetit do t’i përmirësohen të drejtat kolektive nëpërmjet rolit të fuqizuar të vetëqeverisjes lokale. Pra nuk është fjala për konstituimin e Kosovës si tërësi komplekse (federatës, konfederatës, unionit e të ngjashme ), por ruajtjen thelbësore strukturë së saj ekzistuese në të cilën do të ketë një proces i rëndësishëm i decentralizimit dhe i forcimit të pushteteve në nivele lokale”. Siç shihet, Serbia ishte e përgatitur mirë, bazuar në projektet të cilat i kemi analizuar dhe në vazhdim, si dhe në 35 projekte të mëhershme antishqiptare me të cilat synohej shfarosja biologjike e shqiptarëve. Duhet pranuar se me këto projekte pushtuese antishqiptare dhe gjenocide, me shkathtësi të jashtëzakonshme, krijohet një bërthamë etnike e cila në esencë është realizim i kërkesës së Memorandumit famëkeq të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë të viti 1986, për lidhjen vertikale të gjithë serbëve me Republikën e Serbisë dhe qendrën e saj kryesore dhe të vetme në Beograd, si dhe të lidhjes horizontale të etnitet serb brenda Kosovës në vija etnike që është në pajtim me deklaratat e Vojisllav Koshtunicës, i cili deklaroi haptas se shqiptarët dhe serbet nuk mund jetojnë së bashku, por afër njeri – tjetrit, të cilën gjë e përsëriti edhe Aleksandër Vuçiqi në një deklaratë të tij në Bruksel. Me pranimin e formimit të këtij asociacioni është shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës si shtet multietnik, sepse multietniciteti nuk parasheh ndarje dhe ndërveprime mono-etnike dhe mono-kulturore, por ndërveprime dhe bashkëpunime multietnike dhe /ndër/kulturale.[11] Me ndarjen e pjesës veriore, në të cilin Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk kanë të drejtë të shkojnë pa pëlqimin e NATO-s, dhe me krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në një etnitet të veçantë etnik me autorizime parashtetërore dhe me tendenca centripetale – largimit që destabilizon dhe paraqet mundësi të mëdha për konflikte ndëretnike dhe rrezikon paqen, jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit dhe të botës. Me këtë marrëveshje janë marrë edhe vendime të tjera politike siç janë: integrimi i përfaqësuesve të Mbrojtjes civile dhe të strukturave të tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë /Civiljna Zaštitas) e cila si po del nga informacionet e publikuara edhe në shtypin ditor të Kosovës është strukturë e veçantë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (“Koha Ditore” ). Kështu do të jetë edhe me gjyqësinë, prokurorinë, arsimin, shëndetësinë, ekonominë, minierat etj / veçmas pas asaj që Isa Mustafa ka nënshkruar më 15 gusht të vitit 2015 në Bruksel me të cilin nënshkrim janë shkelur 37 nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Bazuar në këto shkelje, Isa Mustafa, jo vetëm që është dashur të japë dorëheqje nga kryetari i Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga kryetari i LDK-ës si dhe të largohet edhe Kryesia e LDK-së, por ai është dashur edhe të ndiqet penalisht sepse ka cenuar sovranitetin e Republikës së Kosovës. Por, meqë Kosova nuk është shtet ligjor, jo vetëm që Isa Mustafa nuk u përballë me ligjin, por ai siguroi shumë favore personale. Derisa shqiptarët e rinj vdesin në Kosovë, për shkak mohimit të mbështetjes funanciare për shërim në institucionet e jashtme shëndetësore, për të, dhe, Bujar Bukoshin, dy përgjegjës kryesorë për shumë dështime të shtetit të Kosovës[12], Qeveria e Kosoves, mbështet me mjete financiare me qindra mijëra eure për shërimin e tyre në Gjermani. Për më keq, Isa Mustafa, akoma krekoset me patriotizëm, duke shitur mend dhe duke akuzuar të tjerët për keqveprime. Për këto veprime nuk ka nevojë për koment[13]. Me vendimet në Bruksel, në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, vendoset një komisar policor serb për pjesën veriore. Në këto bisedime, po ashtu, është vendosur që pas formimit të komunave në veri struktura policore të jetë në përputhje me strukturën etnike, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe frymën e saj multietnike. Bisedat në Bruksel paraqesin një fantazmë e cila së paku deri më tani ka shkuar në dëm të shtetndërtimit e Kosovës, duke e kthyer Kosovën, një hap prapa, nga shpallja e Pavarësisë, sepse në këto biseda, jo që pjesa veriore nuk po integrohet, por tani edhe enklavat janë dezintegruar nga Kosova, duke mos respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Se është atakuar Pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës dëshmohet me fusnotën, fuqizimin e Rezolutës 1244, e cila vlen vetëm për Kosovën, por të cilën e shkel Serbia sepse bazuar në këtë Rezolutë, Serbia nuk ka asnjë kompetencë administrative në Kosovë. Sikur të ishte respektuar Rezoluta 1244, nuk do të mund të funksionin organet paralele serbe, arsimi dhe shëndetësia në gjuhen serbe do të ishin pjesë integrale e sistemit administrativ të Kosovës. Kjo ka ndodhur për shkak të udhëheqësve të papërgjegjshëm, pa integritet personal dhe kombëtar të Kosovës. Me bisedime në Bruksel në Kosovë, është instaluar diskriminimi racor që është në kundërshtim me të gjitha dokumentet e të drejtës ndërkombëtare, sepse e gjitha politikat dhe të gjitha veprimtarit politike, ekonomike, arsimore dhe shëndetësore janë përqendruar në favorizimin e 5% të popullsisë serbe, duke lënë anash 95 % të komuniteteve shqiptare, boshnjake, turke, rome, egjiptiane, ashkalive dhe kroate. Me gjithë bisedimet e zhvilluara në Bruksel, në pjesën veriore nuk ka lëvizje të lirë, nuk respektohen Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, strukturat paralele jo që nuk janë shuar, por ato po rriten dhe fuqizohen. Në momentin kur po shkruaj rreshtat e fundit të këtij studimi, më datën 15 dhjetor 2016 , edhe Marko Gjuriqit alter ego e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, i cili futet në Kosovë sa herë dëshiron, ka hapur tri pompa benzine me të cilat shtohet ndikim Federatës Ruse në Kosovë me çka ky rajon bëhet i pasigurt. Në bisedat në Bruksel “Kosova” e ka fituar një “fusnotë” me të cilën ka pranuar ”në një formë “ të tërheqjes nga shpallja e pavarësisë, pozita e shqiptarëve të Kosovës Lindore është përkeqësuar sepse në bisedat asimetrike të zhvilluara në Bruksel, objekt bisedimesh ka qenë vetëm pozita e bashkësisë serbe në Kosovë, jo edhe pozita e shqiptarëve të diskriminuar në Kosovën Lindore ( Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë- nga ku shqiptarët dëbohen me projektin: ” PASIVIZIMI). Po ashtu, në këto biseda nuk është përfshirë pozita tepër e vështirë dhe e diskriminuar e shqiptarëve në Mitrovicën veriore. Atje, në këto treva shqiptaret edhe pse janë në tokën e tyre, janë duke jetuar si refugjatë në “pronën/tokën serbe”. Në bisedat në Bruksel nuk janë trajtuar krimet e tmerrshme gjenocide të Serbisë në Kosovë, nuk është trajtuar çështja e të pagjeturve, nuk është trajtuar vjedhja e fondit pensional i Kosovës, nuk janë trajtuar çështjet e reperacionit dhe të kompensimit të dëmeve që Serbia ka bërë në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, nuk është trajtuar çështja e dhunimeve seksuale të 20.400 femrave shqiptare para prindërve, burrave, vëllezërve, fëmijëve; nuk janë hapur çështja e fatit të Ukshin Hotit, vrasja dhe ekzekutimi i Bajram Kelmendit dhe të dy djemve të tij, të prof. Fehmi Aganit; çështja e dëbimit të mbi 859.000 shqiptarëve të dëbuar me projektin Patkoi; nuk është trajtuar organizimi dhe administrimi ilegal i arsimit dhe i shëndetësisë në Kosovë që funksionojnë me ligjet e Serbisë; nuk është trajtuar edhe çështja e presionit të Serbisë që bën mbi pjesëtarët e komuniteti të serbë të përfshirë në FSK e shumë e shumë gjëra të tjera në Kosovë. Janë këto arsyet pse pjesëmarrësit e palës kosovare që kanë marrë pjesë në bisedimet në Bruksel duhet të ndiqen penalisht për dëmet e pariparueshme që ia kanë shkaktuar Kosovës. Me të drejtë gazetari dhe korrespondenti i Kohës Ditore, z. Augustin Palokaj shkruan: Liderët Politikë të Kosovës janë aq të suksesshëm në lobim për njohje, liberazim vizash dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare saqë duhet t’i lusim që të mos lobojnë më. Serbia për mrekulli ka shfrytëzuar dialogun në Bruksel dhe naivitetin e Kosovës që të keqësojë edhe më shumë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kjo pozitë pas 7 vjetësh dialog është me e keqe se sa që ishte më parë. Sepse duke pranuar se pa marrëveshje me Serbinë, Kosova nuk mund të anëtarësohet më askund. Kosova ka kapitulluar në skenën politike.”[14] E qartë, Serbia ka pasur dhe ka qasje proaktive, ka krijuar dhe përherë krijon ngjarje të reja të bazuara në gënjeshtra dhe falsifikime. Kjo bazohet në qëllime dhe synime shtetërore dhe ekspansioniste, në krijimin e Serbisë së Madhe, andaj në Bruksel nuk ka shkuar me duar në xhepa, si pala shqiptare. Në vend se Kosova të jetë në ofensivë sepse i ka pasur të gjitha mundësitë që Serbia ia ka krijuar me veprime gjenocide në Kosovë, kjo ka shkuar e ndrojtur, inferiore, por për interesa meskine individuale, honorare dhe pikniqe, me duar në xhepa. Për këtë arsye pala serbe ka shkëlqyer në Bruksel dhe ka fituar simpatinë e Brukselit e cila në vend se ta ndëshkojë e ka shpërblyer duke ia dhënë:”… liberalizimin e vizave, pastaj statusin për kandidat për BE. Pastaj edhe avancimi në këto negociata në hapjen e disa kapitujve. Madje në këtë vit mori edhe një premtim zyrtar , se nëse i përmbush kushtet, mund të bëhet anëtare e BE–së deri në vitin 2025. Gjatë gjithë kësaj kohe Serbia ishte e lirë të luajë lojën e dyfishtë , të sillet se është për normalizim në dialogun në Bruksel e në të njëjtën kohë të bëjë edhe fushatën më të egër kundër Kosovës, duke e fyer dhe krahasuar me terroristët e të ashtuquajturit Shtetit Islamik, duke e fyer rishtazi edhe në mënyrë vulgare se deshën’ përmes kancelarit austriak” ( Që në serbisht tingëllon se deshën përmes organit gjenital mashkullor të bëhen anëtarë të Interpolit[15]”). Bisedat në Bruksel, bazuar në konstatimet e theksuara, janë një projekt i përgatitur paraprakisht nga institucionet shkencore të Serbisë, si dhe nga intelektualët, shkencëtarët e fushave te ndryshme të Serbisë. Për dallim nga puna e institucioneve të Serbisë, institucionet dhe intelektualët e Kosovës në krye me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të jenë në heshtje të thellë, për të mos thënë janë në një agoni totale, sepse janë vënë në shërbim të “liderëve” të kriminalizuar, partive politike, të cilat nuk janë në shërbim të shtetformimit, por të luftës për të marrë pushtetin oligarkik dhe plutokratik, i cili u mundëson privilegje të pakufishme për luks, pasurim mbi bazat e kriminalitetit dhe të korrupsionit.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".