Toleranca 23 vjeçare ndaj bandave serbe në veri të Kosovës po prodhon situata të rrezikshme për shtetin

Toleranca 23 vjeçare ndaj bandave serbe në veri të Kosovës po prodhon situata të rrezikshme për shtetin

Gani Qarri

  • 14 June 2022 - 07:41

Shkruan:ANALISTI - Gani Qarri

Lista Serbe,siç dihet qysh në krijim, u imponua nga krimineli Vuçiq dhe kuislingu Thaçi, si dorë e zgjatur e Serbisë dhe partia e vetme e serbëve në Kosovë, që u konfirmua se më 9 qershor, zyrtarëve të saj të lartë, u janë drejtuar ftesat për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale të Kosovës, për shkelje të ligjit dhe rendit kushtetues të Kosovës.

E udhëheqësi i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili ka filluar sillet njëjtë si kriminelët Milan Radojçiq e Zvonko Veselinoviq, as ai dhe Simiq nuk paskan dashur ti pranojnë ftesat e Prokurorisë Speciale të Kosovës, megjithëse Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, vetëm para një viti e pak më tepër, e patën rrëzuar Albin Kurtin nga qeveria, për ta bërë pikërisht Goran Rakiqin Zëvendëskryeministër të parë të Kosovës. Por Rakiq duket se harron me qëllim, që sipas rregullave ligjore e kushtetuese, në cilindo vend të botës përfshi edhe Kosovën, kur janë në pyetje cenimi i shtetit të së drejtës, veprimet antiligjore dhe aktet penale kundër kushtetuese, ligji nuk njeh kush është Lista Serbe as Goran Rakiqi.

Prandaj, pas 23 vitesh të kaluara nën shfrenimin e sallamadisë së grupeve kriminale serbe, ka ardhur koha, që drejtësia përfundimisht të veprojë në mënyrë të baraspeshuar, kundër secilit që shkelë rendin e ligjin, përfshi edhe Goran Rakiqin me dosta e jarana dhe grupet kriminale serbe, të cilat të mbështetura nga Aleksandër Vuçiqi dhe BIA e Serbisë, edhe sot vazhdojnë të jenë aktive dhe rrezikojnë hapur e në vijimësi, rendin e ligjin në veri të Kosovës, të vendosen para drejtësisë. Vet aktivizimi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, pas më tepër se dy dekadash të çlirimit të vendit tonë nga Serbia, është dëshmia më e mirë se vetëm arrestimi i kuislingut Thaçi, shokëve të Vuçiqit dhe kumbarëve shqipfolës të Serbisë, ka bërë të mundur që shteti i së drejtës, përfundimisht të shtrihet dhe aktivizohet edhe në veri të vendit tonë.

E duke pasur parasysh se shteti e ka për obligim, ti trajtojë njëjtë të gjithë qytetarët para ligjit, ftesat e Prokurorisë Speciale drejtuar të parëve të Listës Serbe, vërtetë janë një simbolikë shumë trimëruese, se më në fund edhe në këtë pjesë të trazuar të vendit tonë, ku ende veprojnë lirshëm grupe të ndryshme të krimit të organizuar dhe organizata e pjesëtar të njohur e të panjohur të sigurimit të fshehtë, serb dhe rus, ngadalë por sigurt, po futet përfundimisht rendi e ligji dhe shtrihet edhe horizontalisht, shtetësia e Republikës së Kosovës. Prandaj megjithëse Rakiq e Simiq, po dëshmojnë publikisht se në planet e veta banditeske, e kanë thirrjen për trazira dhe ngritje tensionesh, vetëm pse janë dokumentuar nga shteti, veprat e tyre kriminale dhe bashkëmendimtarëve të Rakiqit, tolerancës dhe hapësirës për veprime kriminale edhe në veri, po u vije fundi. Ndaj në qoftë se Rakiq & Co nuk u përmbahen rendit e ligjit dhe provojnë serish të shkaktojnë trazira dhe ngritje tensionesh, ashtu siç dirigjohen nga Vuçiqi dhe Serbia, përderisa Vuçiq rri në karrigen e presidentit në Beograd, Rakiqi me shokë, është koha që seriozisht të përballen me drejtësinë e ligjin, pa tolerime të mëtejme me vite e dekada, si deri më tani.

Dhe sado që refuzimi i ftesës nga drejtuesit e dorës së zgjatur të Vuçiqit në shtetin tonë, si udhëheqësit e Listës Serbe, për tu paraqitur në Prokurorinë Speciale të Kosovës, është sinjal i keq paralajmërues i përgatitjes së skenarit të errët për konfrontim të hapur me institucionet e shtetit të Kosovës, Rakiq e Simiq dhe të gjithë shërbëtorët e Vuçiqit në Kosovë, duhet ta dinë, se hapësira për veprimet e tyre kriminale në Kosovë, sa vije e po ngushtohet dhe herët a vonë, nuk kanë asnjë rrugëdalje tjetër, përveçse tu nënshtrohen ligjeve e rendit dhe rregullave të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, ose duhet të shkojnë në burg apo të ikin në strofullin e Vuçiqit.

Prokuroria dhe shteti i Kosovës, medoemos duhet dhe do ta bëjnë punën e vet edhe në veri, e nëse Rakiq, Simiq a kushdo qoftë tjetër nga banda e tyre, nuk i përmbahen rendit e ligjit të Kosovës, pas azilit të Radojçiqit e Veselinoviqit, që dikur e konsideronin veten të paprekshëm, edhe këta që aktualisht duan ta rrezikojnë shtetin e Kosovës, si Rakiq & Co, kanë vetëm dy rrugë, ose do të arrestohen dhe dënohen, ose do tu bashkohen në azil, Millan Radojçiqit dhe Zvonko Veseklinoviqit, dhe të mrizojnë në çadrat që Vuçiqi u ka servuar shërbëtorëve të vet kriminel, për ti strehuar dhe fshehur edhe këta nga ligji dhe drejtësia. Është fakt i pamohueshëm se vërtetë i gjithë vendi, është lodhur me veprimet e tyre kriminale, prandaj nëse paralajmërimi i kriminelit Goran Rakiç për rebelim e mosbindje të qytetarëve të komunitetit serb dhe fillimin e trazirave me qellim të destabilizimit të shtetit të Kosovës realizohet, me skenar të përgatitur në Beograd, drejtësia u ka dhënë kohë mjaft atyre dhe tani e di mirë se deri ku duan të shkojnë kriminelët me kapadaillëkun e tyre dhe ligji, ata nuk do ti falë më kurrë, e në fund të gjithë kriminelët dhe rebelët përfshi edhe Rakiqin e Simiqin me shokë, do të përfundojnë burg. Ata ose do të bien në prangat e shtetit të Kosovës ose do tu bashkohen Milan Radojçiqit e Zvonko Veselinoviqit në mrizet që ka përgatitur Aleksandër Vuçiqi për ta, nëpër Serbi, përderisa ai të jetë kryetar i këtij shteti kriminal, i cili përveç ngritjes së vazhdueshme të tensioneve në Kosovë, po e përkrah hapur edhe agresionin okupues të Rusisë në Ukrainë.

Edhe në një deklaratë të përbashkët për media, zyrtarët e listës, deklaruan publikisht se nuk do tu përgjigjen ftesave të institucioneve të drejtësisë së Kosovës pasi që, kinse paskan prapavijë të eliminimit të tyre nga skena politike përmes persekutimit dhe asnjë nga pjesëtarët e listës, përfshi anëtarët e saj, nuk do t’u përgjigjen ftesave të Prokurorisë Speciale të Kosovës,e në rast të arrestimit të cilitdo prej tyre, do të pasojnë protestat me të gjitha mjetet demokratike dhe jodemokratike, madje edhe zbatimin e mosbindjes civile”, kërcënuan krimineli Rakiq me shokë!. Madje Rakiq, i cili pas ikjes së kriminelëve Milan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviq nga Kosova, ka marrë rolin e udhëheqësit të bandave kriminale serbe në Veri të Kosovës, qysh me 25 prill të këtij viti, pati mbajtur konferencë për media, ku deklaroi se ka informacione sipas të cilave Prokuroria Speciale e Kosovës ka iniciuar procedura kundër “qytetarëve, biznesmenëve, kryetarëve të komunave, deputetëve dhe përfaqësuesve politikë serbë për sulm ndaj rendit e ligjit dhe kushtetutës së Kosovës!”. Sipas tij, ftesat u janë dërguar kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, nënkryetarit Igor Simiq dhe anëtarit të kryesisë, Slavko Simiq por krimineli Rakiq akuzon se gjoja ftesat janë bërë për "persekutim me motive etnike" pa sqaruar se për cilat akte kriminale akuzohen ata, duke u shprehur me cinizëm se Lista Serbe u paska kërkuar edhe vendeve të QUINT-it, ShBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë dhe Francës, “ta frenojnë Prishtinën që të mos shkaktojë kaos në veri të Kosovës?!”.

Siç dihet tanimë publikisht anëtarët kriminel të kësaj liste-bandë, po denoncohen edhe nga qytetarët, si ish të burgosurit dhe përjetueset e masakrës së burgut të Dubravës, për të cilët kanë dëshmi se njerëz si Milan Radojçiq kanë marrë pjesë edhe në masakrën e Dubravës dhe një denoncim të tillë e ka bërë i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Afrim Caka, i cili ka thënë se zëvendëskryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në këtë masakër ku ka kryer krime të rënda ndaj shqiptarëve. Sipas dëshmitarit Caka, i cili thotë se ka punuar me babain e Milan Radoijçiqit në ngrohjen e Elektromotorit, ( ish fabrikë në Gjakovë), më 10 maj 1999, ndonëse Milan Radojçiq ishte pjesë e një grupi tjetër kriminelësh serb, ai u ishte bashkuar forcave paramilitare serbe për të vrarë shqiptarë në Dubravë, për çka kam shkuar edhe te ministrja e Drejtësisë dhe kam kërkuar nga ajo, që Milan Radojçiq të arrestohet.

Të gjitha këto dëshmojnë se edhe kërcënimi më i ri i drejtuesve të Listës Serbe për protesta dhe mosbindje civile, në kundërshtim të ftesës nga Prokuroria Speciale, jo vetëm se është paralajmërimi më ogurzi i përgatitjes për instrumentalizimin e qytetarëve të këtij komuniteti pakicë, kundër shtetit të Kosovës, por është edhe vazhdimësi e akteve kriminale, si gjithmonë me skenar të porositur nga Beogradi, kundër shtetit të Kosovës. Kështu që, pas një tolerance të stërzgjatur mbi 23 vjeçare të këtyre bandave të rrezikshme në Veri, të cilat, para disa kohësh, i ka sanksionuar edhe vet Departamenti i Shtetit të SHBA-ve, është koha e fundit, që të gjithë mekanizmat e shtetit të mobilizohen maksimalisht dhe të veprojë shumë më ashpër e më të vendosur, bashkë me institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë së vendit, kundër kriminelëve të kësaj liste dhe kërcimeve që vijnë nga ata, për mos bindje para ligjit dhe rezistencë qytetare kundër ligjit dhe organeve të sigurisë së Kosovës, për ti mbuluar krimet e veta, që i kanë kryer tash e mbi dy dekada, në këtë pjesë të vendit tonë, të cilat duhet të hetohen deri në fund dhe kriminelët, përfundimisht të dërgohen prapa grilave dhe të vendoset rendi e ligji edhe në këtë pjesë të Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".