Zgjohuni politikanë të përgjumur, Kosova po zbrazet!

Zgjohuni politikanë të përgjumur, Kosova po zbrazet!
Zgjohuni politikanë të përgjumur, Kosova po zbrazet!

Muhamet Kelmendi

  • 04 July 2022 - 07:25

Shkruan:ANALISTI - Muhamet Kelmendi

Kurrë në histori të Kosovës, as në pushtimet më të ashpra, nuk e kemi pasur një gjendje kaq alarmante të ikjes së njerëzve nga vendlindja e tyre, sikur që po ndodhë në Republikën e Kosovës këto vitet e fundit. Raporti i fundit i Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregon se në vitin e fundit mbi 42 mijë kosovarë e kanë lëshuar vendin. Kjo është shifra zyrtare. Mendohet se të emigruar janë trefishi i kësaj shifre. Edhe për këtë vit nuk është prognoza më e mirë. Aktualisht janë me mijëra kërkesa nëpër ambasada për të ikur jashtë për të kërkuar punë.

- Faktet flasin se shkaktarët e ikjes janë të natyrës ekonomike dhe sociale. Shumë pak ose fare nuk kemi të ikur për shkaqe politike. Shikuar kështu faktori ekonomiko-social zënë vendin kryesor në kuadër të të ikurve jashtë vendlindjes. Kryesisht po ikin moshat prej 18 vjetëve e deri në moshën 60 vjeçare. Me ta po shpërngulen edhe fëmijët, bashkëshorti e bashkëshortja, tërë familja. Po ikin ata që janë të papunë ose të punësuar në sektorin privat, por shumë keqe të paguar. Kemi edhe një numër të madh që ikin si të kualifikuar, sikundër janë mjekët, inxhinierët, elektroteknikët, punëtorët e shëndetësisë, elektro-inxhinierët, zanatlinjtë etj. Këta ikin pse gjejnë vende pune që paguhen shumë më mirë.

Kuptohet se tërë ky arsenal i njerëzve që po ikin ishin të punësuar në sektorin privat dhe në shëndetësi, në sektorët që nuk po paguhen konformë punës dhe kualifikimit. Është edhe një numër shumë i madh i të papunëve që ikin. Situata e tillë tregon se në Kosovë duhet të ndërmerren masa konkrete. Këtu kuptoj:

1. Rritjen e të ardhurave minimale në 400 a 450 euro minimumin.

2. Ndërtimin e sistemit shëndetësor dhe pensionalo-invalidor.

3. Ndalimin e punës jashtë orarit të punës, që të punësuarit në sektorin privat detyrohen të punojnë, sepse kërcënohen me përjashtim, si dhe nuk paguhen.

4. Ndalimin me ligj të punës skllavëruese në sektorin privato-publik.

5. Respektimin e Ligjit të punës, për punë 8 orësh, me 5 ditë të punës në javë dhe me pushim vjetor të paraparë me ligj.

6. Respektimin e moralit të punëtorit dhe të dinjitetit të tij në punë

7. Respektimin e kualifikimit dhe të pagesës mujore sipas kualifikimit të të punësuarit.

8. Ndërtimin e shtetit ligjor.

9. Krijimin e kushteve për investime të brendshme dhe të jashtme.

Janë këto disa elemente që shteti kërkohet t'i përcaktoj dhe të angazhohet për t'i realizuar. Natyrisht se as këto masa nuk e garantojnë ndaljen e emigrimit. Megjithatë, e zbusin këtë plagë të rëndë dhe krijojnë kushte më të mira për jetë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".