Dy dekada drejtësi e dështuar në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar

Dy dekada drejtësi e dështuar në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar

Hajrullah Tërnava

  • 25 July 2022 - 07:38

Shkruan: ANALISTI- Hajrullah Tërnava

Krimi i organizuar për tu zbuluar donë angazhim të fortë me njerëz të guximshëm dhe të përgatitur. Me pengesat e zbardhjes permanente që ballafaqohet ky lloj i këtij krimi, krimi i organizuar tani është zhvilluar dhe ka lëshur rrënjë të thella nëpër institucionet e shtetit, qysh nga fillimi i formimeve të institucioneve të para të shtetit që nga pas lufte e deri më tani, sepse në ato institucione janë emëruar njerëz jo profesional dhe të paditur por të dëgjueshëm për ata që i kanë emëruar në ato poste.

-Sistemi i drejtësisë në Kosovë për këto dy dekada që kanë kaluar, nëse kërkojmë të bëjmë analiza për luftën ndaj krimit të organizuar, do ta ndahemi gjithmonë të zhgënjyer, sepse rezultatet lënë për të dëshiruar. Nëpër institucione janë vendosur të dëgjueshmit dhe servilët e grupeve kriminale e të interesit, dhe tani numri i atyre njerëzve nëpër institucionet shtetërore është i madh dhe vështirë është tani që të pastrohet ashtu rrënjësisht krimi i organizuar.

Për një spastrim serioz e të thellë duhet një kohë e tërë dhe e gjatë, sepse si kryes kryesor të këtyre veprave janë njerëzit eminent nëpër institucionet e shtetit, prandaj këto vepra për tu zbardhur ndonjëherë duhet të bëhen reforma të rëndësishme nëpër institucione shtetërore. Kësaj situate të zbardhjes mundë ti kontribuoj vetëm ligji i Vettingut që është në pritje të miratohet, dhe mbas miratimit të tij do të fillon edhe jetësimi i këtij ligji, ku priten që në të ardhmen e shpejtë do ti jep rezultatet e pritura me një luftim serioz të krimit të organizuar. Kjo qasje do ti ndihmoj edhe shtetit që të lëvizë më shpejtë drejtë shteteve të BE. Deri me tani është mendua por më shumë është manipuluar me atë se po luftohet krimi i organizuar, sepse me formacione të tilla, ata që ishin deri më tani në pushtet, nëpër institucionet e shtetit të instaluara pasluftës e deri më tani, assesi nuk ka mundur të luftohet krimi i organizuar, sepse nëpër të gjitha institucionet ishin njerëzit e emëruar nga ata që i bënin ligjet dhe e qeverisin shtetin ashtu si donin ata.

Qëllimi i atyre në pushtet ishte pasurimi, prandaj këtu janë ato pengesat e mos luftimit të krimit të organizuar, prandaj deri më tani u vazhdua të manipulohet nga gjyqësori i kapur prej nëntokës kriminale, dhe dërgohet drejtë devalvimit të plotë, në parashkrim. Një nga rastet emblemë të krimit dhe korrupsionit në Kosovë “TOKA” dhe “TOKA 2”që ka të bëjë me abuzimin e pasurisë publike, dallaveret në shitblerjen dhe privatizimin e tokave, hiq më pak se 36 hektar, me dokumente të falsifikuar, krim ky që ka goditur rëndë dy komunat në fqinjësi, Prishtinën dhe Graqanicën. Sipas raportimeve të fundit, edhe seanca gjyqësore e planifikuar për 20 korrik ka dështuar të mbahet pasi që kryetarja e trupit gjykues ka shkuar në pushim mjekësor, kështu që ka dështuar të nisë gjykimi në rastin e njohur si ‘‘Toka 2’’.

Këto ditë, kur në kalendarin e Gjykatave janë dhjetëra raste serioze të lëndëve që kanë të bëjnë me gjykimin e grupeve kriminale për korrupsion, janë duke dështuar të mbahen për shkak të mungesave qoftë nga ana e prokurorëve, gjyqtarëve apo edhe të palëve të akuzuara. Kështu ndodhi edhe të mërkurën, 20 korrik, kur për shkak se kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri gjendet në pushim mjekësor, ka dështuar të fillojë gjykimi në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Toka 2”. Edhe seanca e caktuar më 20 maj 2022 kishte dështuar, për shkak se prokurorja Merita Bina-Rugova gjendej jashtë vendit.

Ndryshe, gjykimi në këtë rast do të duhej të vazhdojë për të akuzuarit Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu dhe Avni Maxhuni, të cilët akuzohen për “Krim të organizuar”, “Nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore”, “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Shpëlarje e parasë” dhe vepra të tjera. Kurse, ndaj të akuzuarve Reshat Fetahu dhe Gani Ademi ka arritur parashkrimi absolut ndaj tyre për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Ndryshe, deri tani nuk është mbajtur asnjëherë seanca e shqyrtimit gjyqësor, pas vërtetimit të aktvendimit nga Gjykata e Apelit lidhur me kundërshtimin e provave dhe kërkesës për hedhjen e aktakuzës. Ky rast fillimisht ishte gjykuar nga gjykatësi i krimeve të rënda, Beqir Kalludra, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lënda nga 3 shkurti 2021 kishte kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, i cili nuk ka mbajtur asnjë seancë në këtë rast. Kurse, më 11 tetor 2021, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda.

Ndërsa, gjykatësja Gërguri, menjëherë pas pranimit të shkresave të lëndës dhe shqyrtimit të tyre, duke vepruar sipas detyrës zyrtare më 8 nëntor 2021 ka marrë aktvendim për hedhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale ndaj të akuzuarve Fetahu dhe Ademi për shkak se në gusht të këtij viti kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale. Ndryshe, në këtë rast fillimisht të akuzuar kishin qenë 24 persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të vitit 2018, kishte hedhur poshtë aktakuzën për 17 nga ta. Të gjithë të pandehurit, po akuzoheshin për blerjen e 36 hektarë tokë të Komunës së Prishtinës dhe Graçanicës, të privatizuara me çmime shumë më të ulëta, se sa çmimi real i tregut. Duke vendosur lidhur me kundërshtimet e mbrojtjes së të akuzuarve, kryetari i trupit gjykues gjykatësi Beqir Kalludra, kishte hedhur aktakuzën ndaj të akuzuarve për shpëlarje të parave, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlia, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi.

Ndërsa, ai kishte aprovuar pjesën e aktakuzës ndaj të akuzuarve tjerë në këtë rast, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni dhe tani të ndjerës, Sh.M. Gjykata e Apelit më 29 tetor 2018 kishte vërtetuar aktvendimin e Themelores sa i përket të akuzuarve për shpëlarje parash, si dhe të akuzuarve, Prishtina, Emërllahu, Maxhuni dhe Sh.M. Kurse, ajo kishte kthyer në rivendosje lëndën sa i përket të akuzuarve Ademi, Hoti dhe Fetahu. Pas kthimit të rastit në rivendosje, në shqyrtimin e dytë prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, kishte bërë ricilësimin e veprës penale ndaj të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në shpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 339, paragrafi 3 i Kodit të Përkohshëm Penal. Mirëpo, gjykata e shkallës së parë, më 29 maj 2019 sërish i ka refuzuar si të pabazuara kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi. Ky vendim i Themelores, më 27 qershor ishte vërtetuar edhe nga Apeli duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Gjithashtu, Apeli kishte pranuar pretendimet e shkallës së parë se tre të akuzuarit duhet të akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të KPRK-së pasi që ishte më i favorshëm, dhe jo si “shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 339 par.3 të ish-KPK-së, ashtu siç e kishte ricilësuar prokuroria. Kjo aktakuzë ishte ngritur më 3 mars të vitit 2017, nga prokurori i EULEX-it, Danilo Ciccarelli, ndërsa më pas kjo lëndë i ishte bartur prokurorit vendës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu, Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”.

Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar. Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.

Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emerllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, “grabitja” dhe “shpëlarja e parave në vazhdimësi”. Hoti akuzohet për krim të organizuar të ndërlidhur me veprat penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi.

Nexharije Hoti akuzohet se si gjyqtare e Gjykatës Komunale të Prishtinës, e caktuar në çështjen civile nr.724/2009, për të drejtat pronësore mbi ngastrat shoqërore, ka gjykuar lëndën në dobi të Dukagjin Emerllahut, i cili ka bashkëpunuar me Mehmet Prishtinën dhe me dashje që t’i shkaktojë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, ka nxjerrë vendim të paligjshëm me të cilin ka aprovuar padinë e Emërllahut për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me një sipërfaqe prej 36.45 hektarë, që kanë qenë në posedim te të paditurave KBI “Kosova Export”, dhe zyra rajonale e Asgjësisë Kosovare të Privatizimit.

Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi akuzoheshin edhe Reshat Fetahu, Gani Ademi, për veprën penale “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, akuzoheshin Avni Maxhuni, Sh.M, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Bislim Bajrami, Albion Mulaku, Gëzim Rama, Agim Jerlija. Për “shpëlarje të parave”, akuzoheshin Basri Beka, Bajram Gashani, Arton Vila, Bejtullah Zhugolli, Dalip Brahimi, Dalip Brahimi, Lirim Zeka dhe Shaqir Krasniqi. Ndryshe, lidhur me këtë rast në vitin 2016 është mbajtur mundësia hetuese e veçantë, ndaj gjithsej 51 të dyshuarve lidhur me këto dallavere, ndër ta edhe ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Pas këtij hetimi, prokurori i EULEX-it, kishte ngritur dy aktakuza, njëra e njohur tani si rasti “Toka”, në të cilën akuzohet Azem Syla dhe të tjerët, kurse në tjetrën akuzoheshin 24 persona, që njihej si rasti “Toka 2”. Mirëpo po kalojnë dekada dhe nuk kemi akoma epilog përfundimtar dhe aktgjykim ndëshkues të formës së për gjithë këtë abuzim dhe shpërdorim kriminal me pasurinë e shtetit nga grupet e mafies së nëntokës kriminale, në krye të së cilës ishte ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla, ish zyrtar i lartë i SHIK-ut dhe ish Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Tani nëse duam që të jetësohen ligjet e shtetit të vërtetë, e sidomos të pastrohet ky vend njëherë e përgjithmonë nga krimet në përgjithësi, duhet të bëhen reforma të thella ëe të gjitha institucionet shtetërore e sidomos të atyre që e luftojnë krimin e organizuar sikur që janë gjyqësori, prokuroria, policia, AKI, FSK dhe ata njerëz që emërohen në ato poste, të jenë profesional dhe të pastër para ligjit, që në mënyrë të pamëshirshme do ta luftojnë krimin në përgjithësi. Nëse luftohet krimi në bazë të ligjeve, duke vepruar pavarësisht se kush është vepër kryes, ku gjithsecili do të akuzohet për veprat e kryera dhe do të dënohen në baza ligjore sipas veprave kriminale të kryera, atëherë mundë të themi se vërtetë kemi shtet të së drejtës. Këtij spastrimi shumë do ti kontribuon edhe ligji i Vettingut, dhe ligji i konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".