Lexoni edhe:
Serbia po blenë kohë për ti shpëtuar presionit ndërkombëtar që ta njoh pavarësinë e Kosovës
Shkruan:Sociologu - Fadil Maloku
Kosova duhet të bëhet gati t’i jap përgjigje adekuate si Brukselit ashtu edhe Beogradit, po edhe vetvetes rreth natyrës dhe kompetencave të institucionit të Asociacionit. Ndryshe, kujtoj që status-quoja i shkon përshtati më shumë Serbisë, sepse fiton kohë deri sa të rehabilitohet Rusia, se sa Prishtinës e cila herdo kurdo duhet t’i hap kapitujt e integrimit.
Fakti dhe akti që qytetarë e dy komuniteteve, ende nuk e kanë saktësisht të qartë se çfarë në esencë nënkupton ideja dhe koncepti i Asociacionit, alias: Zajednicës, dëshmon më së miri se sa i manipulueshëm dhe sa paragjykues e stigmatizues është bërë ai. Në “sytë” e Beogradit, por, jo edhe qytetarëve serb të Kosovës, Asociacioni projektohet gjithnjë si një lloj “kali Troje”, përmes të cilit ai kurdo që dëshiron do të mund ta destabilizonte dhe kontestonte si shtetësinë ashtu edhe demokracinë e brishtê kosovare. Ndërkaq, në projeksionet dhe dioptrinë e Prishtinës dhe përgjithësisht politikës kosovare, Asociacioni që nga fillimi i trajtimit të tij si temë edhe si obligim shtetërorë (sepse, u nënshkrua më 2013, e u kurorëzua si obligim) u lansua dhe u projektua, duket qëllimisht, si një lloj gogoli e rreziku cili jo vetëm që do e kërcënoj, lëndoj por, edhe dëmtoj e kontestoj shtetësinë e Kosovës, që u arrit me sakrifica e viktima të shumta civile. Të dy perceptimet, si ai i Beogradit ashtu edhe ai e Prishtinës, që qëllimisht u licencuan dhe dizajnuan nga politika, duket se kishin të njëjtin qëllim.
Atë të “mirëmbajtjes” së pushtetit! Vetëvendosja, duke e kontestuar ashpër dhe me zë voluminoz e tejet populist, arriti ta imponoj si temë e interesit nacional dhe t’i ndihmoj dukshëm edhe fitores në zgjedhjet e fundit nacionale. Partia e Vuçiqit, duke e mbajtur “online” këtë tematikë, arriti ta mbaj pushtetin në dy mandate. Asociacioni edhe si koncept edhe si ide, në fakt më shumë është shndërrua në mjet presioni politik, që po e ushtron Serbia mbi Kosovën, se sa mjet ekonomik, ku do të përfitonin të gjithë; edhe Beogradi edhe Prishtina, po më së shumti banorët lokal serb shqiptarë, etj. Cila është zgjidhja? Zgjidhja praktike dhe pragmatike do merrte përkrahjen e duhur, sikur si Brukseli ashtu edhe Beogradi e Prishtina të ishin të interesuara të aranzhonin kompani transnacionale evropiane, po pse jo edhe amerikane, që do investonin në Trepçë dhe në Ujman.
Angazhimi i kompanive të tilla, psh. për 99 vite, do kishte domethënie interesante dhe atraktive; do neutralizohej turri i politikes serbe; do zhvillohej infrastrukturë e atillë ekonomike ndërkombëtar, ku edhe shteti i Kosovës (si pronar legal dhe legjitim) do përfitonte shumë; partive dhe shtetit të Kosovës do i hiqej një barrë e madhe politike dhe menagjuese; do dëshmohej kozmopolizmi dhe toleranca etnike fetare dhe politike e Kosovës, sepse do punësoheshin si serb, ashtu edhe shqiptarë, turq, boshnjak e grupe tjera minore.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".