Rrugës për sovranitet!
Shqiprim Pula
Shkruan:Shqiprim Pula
Qartësisht e kuptueshme se gjendja në Kosovë nuk po e knaq asnjë qytetar normal plotësisht, e për rrjedhoj, kjo është krejt pasojë e dobësive tona të brendshme mbi organizimin politikë në mes e për rreth nesh. E për këtë, ndryshimi e avancimi cilësor është më se i domosdoshëm.
Pas përfundimit të luftës, brenda nesh, e kultivuam çlirimin mendor e shpirtëror por jo edhe territorial. Atëherë, sado që nuk paraqitej si çështje, deri më sot na doli të jetë çështje, madje jo e thjesht por komplekse dhe e rëndë politikisht. Vendi ynë, u godit politikisht së paku në dy momente me pasojë territorin, e para, me përfundimin e luftës nuk dolëm të integruar territorialisht, sepse veriu i vendit mbeti ...po e quaj 'kurqysh', dhe e dyta, pas shpalljes së mëvetësisë së Kosovës, "politikanët" në politikë, përsëri e lanë veriun të aneksuar politikisht e institucionalisht, si rezultat i organizimit të pamjaftueshëm në planin vendor por dhe në atë ndërkombëtar. E, për këtë sovranitet të pakompletuar dihen emrat e akterëve politikë. Moskrijimi i institucioneve shtetërore legjitime pas shpalljes së mëvetësisë dhe pas konfirmimit nga ana e GjND-së, në veriun e vendit me kohë, ka treguar saktësisht mungesën e vendosshmërisë për t'i bërë realitet përcaktimet politike mbi sovranitetin, siç të theksuara në nenin 2 të kushtetutës të Republikës së Kosovës. E fatkeqësisht, jetësimi i vullnetit nuk varet aspak nga deklarimi por nga vendosshmëria për t'a realizuar.
Çfarë në të vërtet e bëri Kosovën pa sovranitet të plotë territorial? fqinji ynë verior, Serbia, kufijtë që neve i shpallëm si republikan ajo i pranoi si administrativ, e për këtë, neve kemi zhvilluar bisedime; fqinji ynë verior, Serbia, për shkak të koncentrimit të qytetarëve të pakicës serbe në veriun e Kosovës, nxiste ndodhi, për të kërkuar njohjen e autonomisë së tyre, brenda Kosovës, edhe për këtë, neve kemi zhvilluar bisedime; fqinji ynë verior, Serbia, përmes ekzistencës së "lista srpska" ndër vitesh pengoi vendosjen e pushtetit legal madje kontestoi legjitimitetin e Republikës në atë pjesë të Kosovës; edhe për këtë, neve kemi zhvilluar bisedime në Bruksel.
Pra, neve, për organizimin e kujdesin e territorit dhe republikës tonë, pranuam të zhvillonim bisedime. Sovraniteti mbeti i cunguar.
Kështu nga paaftësia për t'u përballur me gjendjen dhe me mosmiratimin e një plani të shëndetshëm për rikthimin e gjendjes në normalitet dhe institucionalizimin e vendit, herë pas here, duke pritur momente më të volitshme, krijoji çmim për të gjithë ne, po për qytetarët e veriut më tepër. Ne, për të njejtën çështje nuk kemi patur një të vetme pikëpamje përsa i takon sovranitetit, por disa, e për rrjedhojë, jemi gjendur të paorganizuar e duke mos e bashkërenduar konsistencën politike për t'a bërë Kosovën me sovranitet mbi tëreë territorin. Rruga për sovranitet, pavarësisht vëllimit të saj duhet shtrirë, për të plotësuar hartën politike por edhe atë gjeografike të brendshme të shtrirjes së rendit kushtetues e ligjor. Rrugën duhet vazhduar për t'a kompletuar sovranitetin e munguar.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".