Lexoni edhe:
Institucionet e Kosovës duhet të mendojnë seriozisht për një program afatgjatë social në funksion të stimulimit të planifikimit progresiv të familjes që është në interesin nacional
Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava
Drejtësia është duke dështuar për ta ndëshkuar grupin e madh kriminal për rastin Toka ku është i implikuar një nga ish figurat kryesore të UCK-s dhe SHIK-ut, ish deputeti i PDK-së Azem Syla dhe grupi i tij. Jo vetëm kaq, historiku i dështimeve, proceseve gjyqësore të orkestruara e të manipuluara është i gjatë dhe me njolla të zeza që kurrë nuk mundë të shlyhen.
Që nga paslufta e deri më tani, shtetin e Kosovës e kanë udhëhequr njerëz që në esencë nuk kanë qenë me përvoja e as me shkollime adekuate në ato vendeve të punëve të përditshme dhe të rëndësishme nga ku e kanë qeverisur shumë gjatë Kosovën, dhe si qëllim kryesore i tyre ka qenë që në ato vende të rëndësishme ti emërojnë personat e dëgjueshëm të cilët do të punojnë për interesa të tyre, dhe jo vetëm në ato vende të rëndësishme, por në përgjithësi nëpër shumë vende pune nëpër të gjitha institucionet shtetërore të rëndësishme të shtetit, janë caktuar njerëz të tyre, prandaj tani Kosova gjendet në këtë situatë të tillë çfarë është tani, dhe qeveria në pushtet, dhe tjerat qeveri në ardhje, duhet të punojnë shumë në atë drejtim për ti pastrua ato vende të stërmbushura me njerëz të tyre.
Nga kjo pikëpamje duhet një kohë e tërë që ato institucionet të spastrohen nga ata njerëz që tani Kosovën e kanë sjellë në këtë gjendje të mjerueshme, dhe jo rastësisht tani Kosova gjendet si vendi më i izoluar në botë, prandaj tani po dëshmohet katërçipërisht, me të gjitha veprimet dhe vendimet që po i merr gjyqësori në ndjekjen e korrupsionit dhe krimit, e në raport me dyshimet për figurat e larta të politike, se sa thellë është i kapur sistemi i drejtësisë nga mafio- politike dhe bashkëjetesa me krimo-politikës që në vazhdimësi po fuqizohet dhe për dy dekada të pas luftës nuk po arrin të dënohet e të pastrohet.
Edhe me aktakuza të ngritura, deri më tash nga gjyqësori i Kosovës asnjë nga figurat e larta politike për korrupsion nuk është ndëshkuar, edhe pse para drejtësisë janë nxjerr kryetar komunash, ish kryetar e ish ministra, deputet, e komandantë lufte, por të gjitha rastet që kanë shëtitur nëpër nivele të ndryshme të gjyqësorit, dhe në fund kanë ardhur në situatën kur janë liruar të pa fajshëm, duke u pastruar figurat e tyre dhe rikthyer në politikë përsëri të rehabilituar. Kështu ka ndodhur së fundi me epilogun e aktakuzës së ngritur kundër Pal Lekajt, aktakuzë e ngritur për dyshimet e abuzimit nga pozita e ish kryetarit të Komunës, por edhe për dyshimet e ngritura lidhur me abuzimet nga pozita e ish ministrit të infrastrukturës.
Drejtësia është duke dështuar për ta ndëshkuar grupin e madh kriminal për rastin Toka ku është i implikuar një nga ish figurat kryesore të UCK-s dhe SHIK-ut, ish deputeti i PDK-së Azem Syla dhe grupi i tij. Jo vetëm kaq, historiku i dështimeve, proceseve gjyqësore të orkestruara e të manipuluara është i gjatë dhe me njolla të zeza që kurrë nuk mundë të shlyhen.
Në top listën e proceseve gjyqësore të manipuluar e të dështuara është edhe afera e listave të veteranëve të luftës e cila po e sfidon seriozisht sistemin e drejtësisë, pavarësisht faktit që përgjegjësit për fryrjen e listave dhe 10 fishimin e numrit të veteranëve , me veteran të rrejshëm janë zyrtar dhe figura të larta të zinxhirit komandues, njerëz aktiv në jetën politike dhe institucionale, deri në pozita udhëheqëse të shtetit e lider partish. Po ashtu është folur shumë dhe iniciuar proces gjyqësor edhe për abuzimet me fondet e luftës, sidomos Fondin 3%, por gjithçka ka mbaruar sikur të mos kishte ekzistuar, kurse plaçkitësit e djersës dhe kontributit të qytetarëve, qoftë në fonde, qoftë në buxhetin e shtetit, në fund janë amnistuar.
Marrë në tërësi angazhimet e kësaj qeverie në pushtet që po i ndërmerr ta jetësoj ligjin e Vettingut si dhe ligje tjera, si atë të eksproprijimit të pasurive të pajustifikuara, prandaj ka shpresë që kjo situatë e kapjes së shtetit nga vetë drejtësia e inkriminuar, që po ja bënë avokatinë krimit të organizuar, të pastrohet më në fund me Ligjin Vetting i cili pritet ta nxeh atmosferën politike e parlamentare edhe pak ditë, me fillimin e shtatorit dhe me shpresë që të finalizohet gjithçka brenda këtij viti, jo më larg se deri në fund të dhjetorit. Me këto ligje që priten të miratohen dhe të jetësohen nëpër të gjitha institucionet e shtetit, aty ku krimi ka lëshuar rrënjë, ka shpresë të kthesës pozitive në sistem.
Po u veprua kështu sikur që parashihet, me këto veprime të luftimit të krimit në përgjithësi, edhe qytetarit do i kthehet shpresa për të jetuar në shtetin e tyre, se Kosova po pastrohet nge ato veprime kriminale të deritashme, dhe ligjshmëritë e jetësuara qytetarëve do iu sjellin shumë të mira, sepse shteti do të mendoj për investime dhe punësime të të rinjve të tyre, si shpresë e vetme që ta ndalë eksodin e të rinjve që po ndodhë ditë e përditë. Mbas spastrimit nga krimi të institucioneve të shtetit, edhe shteti do ti përngjaj shtetit të ligjshëm, dhe zyrtaret e shtetit do të fillojnë të edukohen në frymën ligjore të shtetit për të cilin kontribuojnë dhe nga i cili shtet paguhen për kontributin e tyre.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".