Shoqëria dhe shteti i Kosovës!
Ali Hertica
Shkruan: Mr.Ali Hertica
Me shekuj kanë vuajtur shqiptarët, kanë vuajtur nga të huajt, por edhe nga të vetët, kanë vuajtur se jo rrallë shqiptari ka shitur shpirtin, dhe i shituri, “jeniçeri” i historisë, por edhe i riu (moderni) u shit për pak mall, për pak pasuri, nuk ishin pak ata që bashkëpunonin me të huajin, i lidhte dashuria e madhe e interesit, dhe u derdh shumë gjak për të shpërlarë të palarën, u dashtë që shumë të rinj të vdesin, të ngjiten në histori, shkrepën barotin kundër regjimit fashist të Serbisë, dhe kështu lindi kryengritja, dhe kështu erdhi çlirimi. Dhe për të mos harruar asnjëherë, për asnjë kohë, u shkrua vargu:
“Te ne kryengritja është si prona,
e trashëgojmë brez pas brezi…
Nuk qetësohet derisa të mos fillojë…
Nuk mposhtet deri në fitore…
Dhe nëse dëshiron të dish më shumë…
T’ia fillojmë rrëfimit nga fillimi…”
Në Kosovë çdo gjë lind, lindin nënat, lind bari, lindin lulet, dhe e gjithë kjo është jetë si çdo kund, dhe njerëzit dhe prona janë trashëgimtarë dhe janë trashëguar. Po ka njerëz, dhe politikanë që kanë harruar këtë, kanë harruar se jeta ka ngjyra, nuk është bardh e zi, dhe jetohet me ligje, ashtu siç kanë jetuar paraardhësit tanë, nëse u kanë munguar ligjet e shkruara, ata kanë pasur ligjet që i ka pranuar populli, ata nuk kanë përfillur ligjet e okupuesit, kanë bërë ligjet e veta, dhe kanë organizuar jetën vetë, dhe me shekuj ashtu kanë jetuar, janë lindur dhe kanë vdekur si shqiptarë. Nderi dhe morali kanë qenë të paprekshme, por edhe prona, dhe kështu janë formuar dhe vetes i kanë thënë shqiptarë, edhe pse të tjerët i kanë ndarë, herë arnaut, herë arbëreshë, herë arvanitas, herë çamë, herë shqiptarë, e herë- herë shiftar, por ata asnjëherë nuk kanë ditur për identitet tjetër përveç atij shqiptar, që ka nderuar veten familjen dhe kombin, dhe kane pasur besë që i ka bërë të fortë, të fjalës dhe të besës, dhe gjithherë plisi i bardhë mbi kokë simbolizonte urtësinë, bujarinë, bamirësinë. Dhe tash veshja ka ndryshuar kanë ndryshuar edhe njerëzit, janë bërë hileqarë, janë bërë mashtrues, janë bërë egoist.
E vërtetë është kohë e teknologjisë moderne, e kompjuterit, po hebreji që mbanë qeleshen e zezë mbi kokë, që pësojë nga nazizmi, dhe prapë u ngrit, dhe kudo që punon, në shkollë, luan sport, punon në bankë, bën biznes dhe ende e mban qeleshen e zezë në kokë, pse ai nuk ndryshojë, ai punoi dhe punon për shtet, dhe i jep shtetit, paguan tatimin aty ku jeton dhe shtetit në të cilin nuk jeton, aty ku kujton se e ka rrënjën. Dhe ata respektojnë ligjin por edhe rregullat e veta, janë të organizuar, dhe janë të sjellshëm. Po pse “kullerat” nuk nderojnë plisin, familjen, kombin, ku është devijimi, nga ky ndryshim i menjëhershëm dhe si lindën “kullerat”, ata që flasin mbrapsht (hajnat shqiptarë në vitet e 70-ta për t’u mos kuptuar nga të tjerët kishin “krijuar” të folmen e sotme të “kullerave”).
Devijimi ndodhi atëherë kur filluan vjedhjet, kur hajnia bëhet trend, kur u uzurpuan pronat, kur filluan plaçkitjet, kur njerëzit nëpër institucione mashtruan, premtojnë dhe gënjejnë, atëherë kur u dashuruan hajni ndërkombëtar dhe hajni vendor, atëherë kur ligji e mbron hajnin.
Dhe ku mbetën idolët, ka idolë po si nuk ka, ata nuk janë çlirimtarët(?), nuk janë arsimtarët(?), nuk janë inxhinierët(?), nuk janë mantelbardhët(?), idoli i “kullerit” është kryecullaku, është hajni, plaçkitësi, është tregtari mashtrues, është fajdexhiu, se ata kanë para dhe janë të pranuar heshtazi.., dhe ata nuk demaskohen nga shoqëria si e keqe virusale, meqë edhe në pushtet ka devijues, dhe kështu ata pushtetarë që vjedhin përmes tenderëve, janë edhe ata hajna, hajni nuk ka komb, hajni nuk ka shtet, hajni nuk ka ngjyrë, hajni është hajn dhe është trup i huaj. Dhe shoqëria, por edhe ligji duhet të dallon njeriun e mirë dhe njeriun e keq ai që shkel ligjin, dhe ai që zbaton ligjin. Në liri nuk ka falje, nuk duhet të ketë padrejtësi, nuk ka të privilegjuar, dhe liri do të ketë kur qytetari i beson qeveritarit që është shembull për drejtësi dhe korrektësi, atij që bën ligjin dhe zbaton ligji.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".