Kompromisi është i qartë-dekolonizimi i Serbisë në OKB !
Prof. Dr. Mehdi Hyseni
Barometri diplomatik
Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI
Ndërkaq, zgjidhjet e tjera të imponuara, janë me karakter paliativ dhe të përkohshme, që përligjin padrejtësinë e Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale ndaj ish-kolonisë së saj të dikurshme-Kosovës, tani e pavarur dhe sovrane, e njohur nga 140 shtete të OKB-së.
Sipas së drejtës historike dhe të së drejtës ndërkombëtare, kjo do të duhej të ishte zgjidhja e drejtë përfundimtare e statusit politik dhe juridik të Kosovës, duke qenë se kjo ishte koloni e Serbisë, jo më pak se 100 vjet (1912-1999).
Historikisht, politikisht dhe juridikisht, ky është problemi njëshekullor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pushtuese kolonialiste, jo kurrfarë problemi i minoritetit serb në Kosovë siç po manipulon Beogradi zyrtar se gjoja “serbët në Kosovë janë diskriminuar dhe të rrezikuar” nga pushteti shtetëror i Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës. Kjo është gënjeshtra më e madhe e presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe e kamarilës së tij shtetërore, me qëllim që të rikthejë forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë kinse “për t’i mbrojtur serbët” !? –Nga kush, kur ata sikur të gjitha minoritetet e tjera janë të mbrojtur me ligj dhe me kushtetutën e Kosovës.
Vuçiqi nuk e zgjidh problemin kolonial të Kosovës, por Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara
Edhe këtë herë, pas takimit me emisarët e Francës, Emanuel Macron(presdient) dhe të Gjermanisë, Olaf Sholc(kancelar), si dhe me ndërmjetësin e BE-së, Miroslav Lajçak të Sllovakisë, bërë në Beograd, më 9 shtato 2022, presidenti serb Aleksandër Vuçiqi e njohtoi opinion e gjerë publik se, këtyre përfaqësuesve të BE-s u kishte thënë se, “Serbia nuk do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”. Por, edhe në këtë takim kishte përsëritur tiradat e tij politiko-propagandistike dhe diplomatike se , -Serbia është e gatshme për kompromis me Prishtinën, por vetëm në bazë të Kushtetutës së Serbisë (2006, ku Kosova figuron si pjesë territoriale e saj) dhe në bazë të Rezolutës 1244 për Kosovën (10 qershor 1999) të KS të OKB-së, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Sipas kësaj deklarate të A.Vuçiqit, të pohuar para masmediave në Beograd, del më se i qartë pozicioni i kursit zyrtar të Serbisë, se kjo nuk do ta njohë Republikën e Kosovës(17 shkurt 2008), me gjithë ofertën dhe shërbimet e vullnetit të mirë të BE-së dhe të Amerikës, që sa më parë të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e njohjes reciproke të Kosovës dhe të Serbisë.
-Po, nëse presidenti A.Vuçiq mban këtë qëndrim negativ ndaj arritjes së kompromisit politik me Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, atëherë Serbia nuk ka gjasë reale, që të aderojë në BE, sepse e ka kusht njohjen e Republikës së Kosovës.
Pra, përderisa A.Vuçiqi nuk njeh Republikën e Kosovës, domethënë kot presim ndonjë marrëveshje në Dialogun e Brukselit, që do të përmbyllte konfliktin kolonail 100-vjeçar serbo-shqiptar. Për më tepër, deklaratat e Vuçiqit se “Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën” sheshit provojnë se ky është minuesi, sabotuesi dhe fajtori kryesor i Dialogut të Brukselit (2011-2022), jo kursesi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Nëse Kosovës i imponohet zgjidhja sipas formulës “MERR ose LËR”
-Atëherë, mund të pritet një kompromis politik i përkohshëm, jo i drejtë dhe jo përfundimtar për Kosovën.
Mirëpo, nëse pala negociuese e Prishtinmës me kryeministrin Albin Kurti në krye, tanimë janë në dijeni për ndonjë diktat të tillë për të arritur ndonjë kompromis politik me palën serbe të Beogradit zyrtar, që nuk do të kushtëzohet me njohjen e Republikës së Kosovës për të hyrë në BE, atëherë, para se të vijë në shprehje zbatimi metodologjik i formulës“MERR OSE LËR”, urgjentisht nevojitet që Qeveria e kryeministrit Albin Kurti, partnerëve të Kosovës, shteteve të Kuintit, t’ua dorëzojnë Kërkesën zyrtare, që Kosova të objekt shqyrtimi në Sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që do të mbahet në Nju-Jork, më 20-26 shtator 2022.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Sesionin e 77-të AP-së së OKB-së !
Edhe kjo si kryeministri e ka për detyrë që të njëjtën Kërkesë zyrtare të Qeverisë së Kosovës së Albin Kurtit (dërguar vendeve përfaqësuese të Kuintit), t’ua lexojë dhe konkretizojë përfaqësuesve dhe pjesëmarrësve të 193 shteteve në Sesionin e 77-të AP-së së OKB-së, se Kosova nuk pranon zgjidhje tjetër kompromosi me Serbinë ish-kolonialiste dhe ish-gjenocidale përpos së drejtës së vetëvendosjes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me atë historike të shqiptarëve mbi Kosovën. –Ky është institucioni legjitim dhe legal botëror, i autorizuar, i ligjshëm, demorkatik , paqësor dhe meritor, që duhet të vendosë për fatin e shtetit të pavarur, sovran, demokratik parlamentar, të dekolonizuar nga Serbia kolonizuese (1999). Kjo Asamble e nderuar e ka të lehtë, të konformojë vendimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, sepse deri tani e kanë njohur mbi 140 shtete anëtare të OKB-së (17 shkurt 2008-2022).
Ndër të tjera, Zonja Presidente Vjosa Osmani (në rast hezitimi të pranishmëve), në Ssionin e 77-të, mund të kërkojë edhe mbajtjen e një REFRERENDUMI, të organizuar dhe nën mbikëqyrjen direkte të OKB-së për konfirmimin e statusit të pavarësisë së Kosovës. Fundja, ligjërisht dhe sipas Kartës së OKB-së, UNMIKU brenda mandatit të tij 8-vjeçar e ka pasur për detyrë, që miksionin e tij ta përfundonte me Organizimin e Referendumit si formë e ligjshme dhe demokratike, që populli të votonte për fatin e tij mbi bazën e së drejtës së vetëvedosjes dhe të së drejtës historike mbi Kosovën shqiptare.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".