Lexoni edhe:
BE-ja duhet urgjentisht ti shpallë sanksione Serbisë për ta gjunjëzuar, nuk mjaftojnë lutjet dhe pritjet me premtimet serbe duke mashtruar
Shkruan: ANALISTI: Gani Qarri
Pas një maratone të gjatë të procesit gjyqësor mbi abuzimin e fondit 3% më i rëndi deri më tash me kontributet e qytetarëve në kohët dhe kushtet më të vështira të ballafaqimit për jetë e vdekje me luftën për çlirimin e Kosovës nga Serbia, ka më se 6 vite që lënda sillet nga gjykata themelore në apel dhe anasjelltas, e që gjykata e apelit, së fundi ka kërkuar të caktohet edhe një super-ekspertizë e re financiare në rastin e njohur si “Fondi 3%”!
Kjo shije e hidhur lë të kuptohet se drejtësia e kalbur edhe në këtë rast, është duke luajtur lojën e zhvlerësimit të provave dhe devalvimit të plotë të procesit gjyqësor, përkundër faktit se aktakuza rreth shpërdorimit të fondit të 3%, është ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit është qysh më 28 prill 2017, e megjithëse tani jemi në vitin e 6, të vazhdim-zvarritje të këtij procesi, ky rast jo vetëm që nuk ka përfunduar, por nuk dihet se si do ta merr epilog final për tu gjykuar.
Madje, në seancën e 12 shtatorit në Gjykatën themelore të Prishtinës, për rastin e njohur si “Fondi 3%”, sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit, është caktuar super-ekspertizë e re financiare nga grupi prej tre ekspertësh, për ta analizuar edhe njëherë akuzën dhe pretendimet e prokurorisë për shpërdorim, ku përfshihen, Naser Osmani, ish-deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Atdhe Gashi, ish-këshilltari i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, dhe vet Bujar Bukoshi, të cilët akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit”. Në seancën e 12 shtatorit, raportohet të kenë dëshmuar edhe dëshmitarët Nezif Fejza dhe Hafiz Gagica, të cilët jetojnë jashtë vendit, ndërsa proceduara për të akuzuarin Bujar Bukoshi, është veçuar me arsyetimin e gjendjes së rënduar shëndetësore të tij. Ndryshe, në nëntor të 2020-ës, Osmani dhe Gashi ishin shpallur fajtorë për veprën penale të shpërdorimit dhe ishin dënuar me nga 3 vite burgim, mirëpo, më 15 shtator 2021, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim për rikthimin e rastit në rigjykim.
Sipas këtij vendimi të gjykatës së shkallës së dytë, shpallja e aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë nuk është bërë sipas aktakuzës së ngritur ndaj Naser Osmanit e Atdhe Gashit dhe se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë me shkelje esenciale. Megjithëse aktakuza ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit ishte ngritur më 28 prill 2017, nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë, loja me këtë rast ka marr një kohë tepër të gjatë dhe ende as që po i dihet eiplogu, pasi që shëtitja e rastit nga një gjyqtar tek tjetri dhe përpjekja për rikualifikim me ndryshim të grupit të ekspertëve, ngjall dyshime serioze për shpikje të fakteve që zhvlerësojnë procesin e gjykimit dhe i amnistojnë të akuzuarit.
Paraprakisht, lënda e aktakuzës ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Shabani–Rama, e cila më 23 maj 2018, kishte mbajtur shqyrtimin fillestar ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit, por që në këtë seancë, gjykatësja Shabani-Rama kishte marrë vendim për veçimin e procedurës penale ndaj Bujar Bukoshit, me arsyetimin se ai ishte i sëmurë dhe nuk kishte mundur të paraqitej as në shqyrtimin fillestar.
Më 26 tetor 2018, gjykatësja Shabani-Rama kishte mbajtur edhe shqyrtimin e dytë ndaj të akuzuarve Osmani dhe Gashi, e të cilët brenda afatit ligjor kishin paraqitur kundërshtimet për provat dhe kishin ushtruar kërkesë për hedhje të aktakuzës, mirëpo, gjykatësja Shabani-Rama, më 3 dhjetor 2018, kishte marrë vendim që të refuzoheshin kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave. Kështu që të akuzuarit Osmani dhe Gashi, kishin ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, e cila më 17 janar 2019, kishte refuzuar këto ankesa, duke konfirmuar aktakuzën në fjalë.
Më 18 janar 2019, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses së Departamentit të Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Medie Bytyçi dhe më 13 mars të këtij viti, kjo lëndë nga Apeli, ishte kthyer në zyrën e kësaj gjykatëseje. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të KPK-së dhe veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.2 lidhur me par.1 të KPK-së, kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi edhe për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257, par.3 lidhur me par.1 të KPK-së, par.31 të KPK-së, dhe veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së. Sipas PSRK-së, Bujar Bukoshi akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008-2015, me qëllim që t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila i është besuar atij, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në Fondin 3%, duke parë nevojën për të ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë, ishte në kushte shumë të vështira ekonomike.
Donacione kishte dhënë secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para që së fundmi janë transferuar në xhirollogarinë e “Fond de R. Kosova” në Prishtinë, në NLB, në shumën prej 90,380,00 euro, që ai i ka tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën me asnjë dëshmi nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3%, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Kosovës, në shumë prej 90,830,00 euro, po ashtu edhe shumën prej 3,500 euro, ka paguar për bileta për Ingrid Steiner, e cila mesa dihet është bashkëshortja e Mihael Steinerit, ish udhëheqësit të UNMIK-ut në Kosovë, por ajo vet, nuk ishte punëtore e UFORK-ut. Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm. Tutje, PSRK i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi se gjatë periudhës kohore 2006-2015, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin, me qëllim për t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila u është besuar atyre, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për ta ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë ishte në kushte shumë të vështira ekonomike. Dhe nga donacionet e dhëna nga secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, së fundmi 154,132,47 euro, janë transferuar në xhirollogarinë e OJQ UFORK, në Prishtinë, në BPB, duke e dëmtuar buxhetin e Fondit 3% – UFORK-ut, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Republikës së Kosovës, në shumë prej 154,132,47 euro.
A janë në gjendje që shqiptarët të bëjnë vetë ndonjë gjë të madhe pa ndihmën e SHBA-ve?Lexoni edhe:
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, të cilët kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm, lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Kurse në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Bujar Bukoshi, akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2015, në cilësinë e personit përgjegjës, kryetar i Bordit të “UFORK-ut” dhe si i punësuar aty, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht të pagesës së tatimit, tarifave dhe kontributeve tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave të cilat ka qenë i obliguar që t’i deklarojë në Administratën Tatimore të Kosovës, e shuma e shmangies nga i akuzuari është 39,932,04 euro.
Prandaj prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga neni 249, par.2 lidhur me par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK). Në dispozitivin e katërt, Naser Osmani akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht, të pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave dhe të të hyrave të tjera, e të cilat ka qenë i obliguar që këto të ardhura t’i deklaron në ATK, duke e dëmtuar buxhetin e ATK-së –së Republikës së Kosovës, me 3510 euro.
Prokuroria e ngarkon po ashtu edhe të akuzuarin Naser Osmani se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK). Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave, dhe të hyrave të tjera, i njëjti ka qenë i obliguar që këto të ardhura t’i deklarojë në Administratën Tatimore të Kosovës, shumë e shmangies nga i akuzuari është 2667.30 euro. Për vepra të njëjta prokuroria e ngarkon edhe të akuzuarin Atdhe Gashi, se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK), prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Atdhe Demaj, më 30 nëntor 2018 kishte dorëzuar në gjykatë një parashtresë, përmes së cilës kishte bërë plotësimin dhe qartësimin e aktakuzës së ngritur më 28 prill 2017.
Sipas kësaj parashtrese, dispozitivi nën pikën II të aktakuzës, është plotësuar ashtu që tani të akuzuarit Bujar Bukoshi- kryetar i Bordit të UFORK, me seli në Prishtinë, Naser Osmani në cilësinë e anëtarit të bordit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, dhe Atdhe Gashi në cilësinë e arkëtarit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë që u është besuar atyre, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe vendeve tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil. Shuma këto prej minimum 3% të të hyrave të tyre personale mujore, e të cilat janë transferuar në xhirollogarinë e “UFORK”, në Bankën “BPB” në Prishtinë, duke tërhequr shumën prej 154,132,47 euro në kesh, pa e arsyetuar dhe as dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume, vlerësim dhe konstatim ky i vërtetuar me ekspertizën e datës 21 prill 2017.
Gjithashtu, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257, par.3 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës, prandaj pas një zvarritje kaq të gjatë, është e pritshme që së pakut tani, rasti në fjalë ta merr epilogun meritor për tu dënuar abuzuesit e fondit të vetëm i cili është menaxhuar me letra, për të cilin ka mjaft dëshmitarë, që ka shtypur bona në apoena të shumave të ndryshme për kontribuuesit dhe i ka shpërndarë si dëshmi kontributi. Por megjithëse u ishte premtuar se të njëjtat shuma pas bërjes së shtetit të Kosovës në forma të ndryshme do tu kompensohen dhe se do të investohet në forcimin dhe zhvillimin e shtetit, fatkeqësisht të akuzuarit vetëm kanë mashtruar, para këto që janë keqpërdorë edhe pas luftës për përfitime e biznes të një grupi të caktuar njerëzish, duke manipuluar, pa raportuar asnjëherë për këtë fond, për të cilin as që ka pasur një përgjegjësi të adresuar, ndaj sot e atëherë, nëse gjykata nuk e nxjerr, përfundimisht të vërtetën në shesh, as që do të merret vesh kurrë se si, e sa para janë shpenzuar dhe ku kanë shkuar, gjithë ato para!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".