Akademia hesht bashk me intelektualët dhe institucionet tjera,Kosova peng i asgjësë dhe kurrkujt hiçit!
Shefik Shkodra
Shkruan: ANALISTI: Shefik Shkodra
Cilët janë politikanët shqiptarë dhe sjellja e tyre
Do të mbetet një habi e madhe në analet e përgjithshme për ardhmërinë e gjeneratave të reja, sa shumë është politizuar shoqëria jonë shqiptare në këto kohë. I madh e i vogël, gra e burra merren me të (dinë të flasin, madje edhe disa shkruajnë përditë për të mirë, e disa rrugaçë të tjerë shajnë, grupi me grup, e kushdo që qëllon në ato faqet sociale, si as në fusha të futbollit, një diçka të tillë nuk do ta dëgjoje), i kanë mësuar disa fjalë përmendësh, po bane e i shikove ato shkrime të tyre është neveri dhe mizërie. Nejse, ndoshta edhe kjo është normale për kohën dhe shtetin tonë, veç po e përmendi. Sikur politika të ishte një prej ‘arteve’ më i lehtë, për dallim nga të gjitha shkencat shoqërore për t’u marrë secili në diçka konkrete e me vlerë. E megjithatë, pa ndonjë rezultat edhe ata me qëllim të mirë që po shkruajnë, me këshilla, sugjerime e gjykime ndaj rasteve të pakëndshme konkrete të çdoditshme. Veçse po duhet si poterë! Njësoj, ata që po duan të hyjnë në histori vetë me veprën e tyre të dhunshme, me hapa të shpejtë e të pa kontrolluar, individualistë, hipokritë, injorantë e madje privatisht kundër vetvetes e këtij vendi. Por qe, sikur pa ata “nuk mund të bëhet asgjë në asnjë drejtim”, kështu e mendojnë, por nuk e shohin veten. Veprimet e një morie politikanësh të sotshëm, ndër udhë e mbi të qe njëzet vjet, të interesit personal, herë nëpër gjykata e herë me gjysmë akuza për veprimtari të papranueshme, por me këmbëngulësi kërkojnë lërimin e një politike qorre, ashtu sikur ata duhet t’i hatërojnë të tjerët para se ta shikojnë vendin dhe popullin e tyre. Çdo kërcet mbi këtë popull si nga qielli, e nëse e pa vërtetë që vjen nga lartë, përfaqësuesit e politikës qesharake, janë të prirë ta “shpikin” e ta shkaktojnë një incident të ri, për ta kushtëzuar marrjen e drejtimit dhe të orientimit të qytetarëve jashtë suazave socio-kulturore, ekonomike, arsimore, shëndetësore e administrative-juridike. Vëmendja shfaqet dhe krijohet si nga ndonjë laborator apriori, i cili për çdo çast e kurdoherë, është në gjendje të lansojë si me parashutë një bombë me diametër prej qoshe në qoshe, prej këndi në skutat të këtij vendi, ku nuk ka më hapësirë për ta shtrirë diametrin e armës “nxitëse - kacafytëse” për diçka kumbuese, madje edhe ndonjë vrasje për arsye të ndryshme, por shumë e neveritshme e tragjike, sa për ta heq prej mendje të opinionit publik atë që e kishte qytetari dhe orvatej për ta mbrojtur në pikë ditë, apo për ta kundërshtuar e luftuar atë që bën shkatërrimin e baras vlerës së shtetit dhe rrjedhës normale sociale në përgjithësi. Këto të zeza i kumtojnë e i hiperbolizojnë media-t shërbyese “shtetërore”. Kështu shteti i Kosovës, gjithnjë për këto vite ishte peng e individualizmit dhe i ambicieve të asaj që quhet interes personal e klanor – egoja bajraktarizmit apo provincializmit. Shumë e çuditshme. Nuk janë pak njëzet vjet. Gjithnjë, pa një terapi, “me vend numëro” dhe – përballuni robër të këtij vendi me shtojcë të të ligave një pas një! Pa parandalime. Krejt kjo rrjedhë vjen nga lider që nuk kanë kurrfarë njohurie për atë, që po mendojnë se vetëm ata janë të aftë ta bëjnë shtetin e Kosovës. Nuk duhet të numërohen ato fëlliqësira që janë thënë prej analistëve dhe vrojtuesve të përditshëm brenda dhe jashtë.
Paradoksi më i madh, në mes të këtyre partive politike te shqiptarët, ata liderët e tyre, sidomos këta të Kosovës, pa i përjashtuar edhe pjesët tjera me Shqipërinë, se si në pamje të parë duken si “gjynah” para të huajve, dhe sikur kërkojnë lëmoshë nga mosdija, apo më shumë sikur është në pyetje fajësia e tyre. Por qe, duhet patjetër të njëjtit të orvaten, për atë që nuk mund ta bëjnë apo nuk donë, si mundimet e Sizifit, që s’do t’i ngarkonte për këtë askush. Madje, me dëshirë do të mund të rrinin të lirë në punët tjera ose në shtëpitë e tyre. E pse nuk mund ta bëjnë qe njëzet vjet, as përafërsisht shtetin? Ata e dinë më mirë se të gjithë qytetarët edhe pse tashmë po i njohin. Madje, ngadalë po dalin hapur dhe po e tregojnë ambicien e tyre të sëmurë. Thua se krejt në bllok janë renditur shtetet e forta, ose më të forta se ne në Kosovë, evropiane e botërore dhe po i kundërshtojnë shqiptarët për të drejtën e tyre. Aq më keq, ata që i ndihmuan dikur Kosovës për shtet. Madje, sikur këta zotërinjtë tanë, nuk e paskan ditur se, gjithmonë ka armiq dhe ata nuk zhduken sipas dëshirës së dikujt. Dhe këta shqiptarët atdhetarë të deridjeshëm, me këngë e valle, me djemtë e të tjerëve, me harlisje e qejfe për vetvete e klanin, saktë janë duke i marrë nëpër këmbë banorët tjerë të këtij vendi. Hë! Nga shtetet e mëdha po ankohen prijësit tanë. Përndryshe, sikur gjëja këta janë duke vu bazë për themelimin e shtetit të Kosovës, sipas asaj parullës, Sui-generis, po qe nuk po u jepet mundësia! Le të shihet kjo publikisht më qartë! Se çfarë është puna e tyre, edhe pse është folur e shkruar gjerë e gjatë për ta, më shumë se dhjetë vite po thuajse për çdo ditë. Megjithatë, këta zotërinjtë nuk janë duke pranuar se faji është aty në mesin e tyre. Dhe nuk duanë ta pranojnë faktin se ata janë të lodhur, të harbuar rrugëve evropiane, pa ua vu veshin kush nga ato vende. Sipas mënyrës së tyre, deri në këto kohë, kanë pritur që çdo gjë do të shkojë si “sahati sergisuf”, se, demek ata janë njerëzit më të zgjedhur. Se bota i kanë sytë vetëm kah ata. Dhe se dikush tjetër do t’i kryejë punët për ta, e ata do të bënin veç pallën e sefasë! Denoncimi për ta në media të përditshme, s’është asgjë. Kanë ndjellë disa kopukë me pagesë – militantë prapa shpine edhe disa medie, gjëja serioze shtetërore, sa për të sharë e për të brohoritur, - kush flet kundër liderëve të “bekuar” të tyre. Hë! As analizat e mirëfillta të intelektualëve nuk vlejnë dhe s’hyjnë në asnjërin vesh të tyre. Po as votimet nga qytetarët nuk kanë ndonjë rëndësi dhe peshë. Është bërë thirrje, që secila prej atyre partive veç e veç, apo individët në ato grupe, që u kapen me këso politike qe njëzet e sa vite, duhet ta bëjnë një reformim dhe ta shikojnë vetveten: A janë ata të zgjedhurit real nga populli, qoftë në kuvend, qoftë në institucione tjera për konstituimin, dialogimin e marrëveshjen e këtij shteti me shtetin tjetër, që vetë këto parti e kanë quajtur shtet sovran Kosovën, e pavarur dhe kështu është inauguruar para botës. Edhe është pranuar prej të tjerëve dhe nga Gjykata Ndërkombëtare.
Në këtë epokë, sikur është përmendur se, ky është “Shekulli i Shqiptarëve”, dhe ashtu do të duhej të ishte, mjerisht! A ka mundësi që këta njerëz të binden se, dëmin Kosovës dhe qytetarëve të saj, ata ia kanë sjellë në çdo kohë e minutë deri më sot dhe kështu po vijon ky avaz?! Jo. Unë kujtoj se nuk do t’ua mbushë mendjen askush! Sepse këta (një pjesë) janë të dashuruar në vetveten, për të mos thënë, janë pak a shumë të sëmurë. Dhe Kosovën e konsiderojnë si pre të gjahut të tyre.
Grupe qytetarësh dhe personalitetesh kanë bërë përpjekje, që pa stilizime e pa metafora, t’u tregojnë me letra e t’i sugjerojnë hapur se, krejt çka veprohet duhet të kenë plan të unitetit brenda vendit. Në asnjë mënyrë të veprohet kokë më vete, madje nëse mendohet edhe për një njeri shumë të mençur, që nuk i gjendet shoq në Ballkan e Europë. Sepse kështu e do rendi dhe demokracia. Sepse jemi në zgrip. Sidomos për çështjen e vendit tonë kërkohen njerëz të vetëdijshëm, të moralshëm, inteligjentë, të pastër në planin e brendshëm dhe të jashtëm.
Akademia e Shkencave dhe Arteve në Kosovë
Për krejt këto që u thanë më lartë dhe të tjera, do të duhej angazhim i të tjerëve. Mbetet që në këtë hap të vinin në shprehje edhe institucionet dhe shoqatat jo politike.
Personalisht i kam dashur institucionet shkencore e kulturore. Institutin Albanologjik, atë të Historisë, Universitetin Publik, Akademinë e Shkencave dhe të Arteve. Së largu e së afërmi i kam respektuar edhe anëtarët e tyre, sidomos të Akademisë. Akademia është institucion i shkencës, i artit, i kulturës shtetërore. Ajo është e organizuar nga shteti. Ajo mbron shtetin, por jo partitë dhe politikanët e pandershëm. Ajo është shtylla rreth së cilës, të gjithë të tjerët janë satelitë. Të gjitha projektet dhe elaboratet do të duhej të shtroheshin nga ajo para të gjitha partive dhe politikanëve. Meqenëse politika jonë me këtë rast është në vështirësi.
Institucionet tona dhe një pjesë e inteligjencës, e ka përmendur edhe herëve të tjera, kanë heshtur dhe po heshtin në vijimësi, për punët që nuk do të duhej të përgjumemi askush. Një Akademi e Shkencave dhe e Arteve, e cila do të duhej të ishte kulmi, drejtoria, drejtësia dhe më në fund, shpata për të pastruar mikrobet dhe insektet në shoqëri, me diagnozën e caktuar dhe terapinë që duhet ta japin në momentin akut, fare nuk bëzan. Ose defilon me një thënie shumë të rastit post festum. Populli thotë, “pasi të kryhet veprimi, ...ia vë shulin derës” kot! Jo. As ajo Akademia e Shqipërisë me traditë, as kjo e Kosovës shumë ambicioze dikur, s’bën asnjëherë gjë në këtë kohë. Gjumi dhe pagat e mira mujore janë rehatia e përjetshme e tyre. Me halle pleqërie. Përse ekziston Akademia e një kombi? Të zgjedhur njerëz me poenë të arritur në lëmin e shkencës, letërsisë, apo të arteve, etj. si kokat më inteligjente, refleksive në gjendjen e çështjeve më të ndjeshme. Çfarë duhet të bëjnë ata brenda mureve të atyre zyrave? A janë të gjallë, apo vetëm kurmi i tyre duket me sy si hije e stisur? Dhe më në fund, kujt i shërbejnë këta tipa? Përse paguhen madje, nëse duam të kthehem edhe në këtë anë? Më duket sikur këta janë disa mumie, pa ndjeshmëri e konsiderohen anëtarët e saj ndryshe dhe besohet se, do të duhej ta kishin aftësinë intelektuale, e përsëri po themi, nuk duket kështu puna e tyre. Të themi edhe analfabet, nuk janë, po më shumë si shërbëtor të një politike, që vetëm asgjëson shkallë-shkallë shtetin dhe çdo ditë i dhunon qytetarët. Ndoshta për heshtje edhe paguhen. Janë zaptit e dikujt nga ato grupet partiake. Nuk kanë projekte as sektorë përkatës, mund që nuk u duhen se, s’ka rëndësi për “liderët” e partive të tyre, që shesin kur të donë edhe tokën e vendit. Po, a e çelën ndonjë herë çështjen e arsimit te ne? A e përmendën hiç edhe ikjen masive të qytetarëve? Kush ishte fajtori, qoftë në të djathtë apo në të majtë, a u gjykua ndonjëherë kjo çështje nga akademikët, kurrë?! Të gjithë heronj! Si ndodhi me dhënien e pjesëve të tokave fqinjëve tanë? Dikur jemi shqetësuar se na i kanë marrë me forcë armiqtë, duke na vrarë e therë si kafshët, janë futur në vatrat tona e ne jashtë kemi mbetur. Tash përfaqësuesit tanë ua japin tokën në të katër anët me qetësi e në paqe pa u dridhur fare. A u shqetësua dikush në Akademi për këtë? A foli, a shkroi kush për këto “dhurata” që iu dhanë fqinjëve tanë? Po puna e zgjedhjeve, qeverive dhe institucioneve te ne, si u ndërtuan, kush kë e rrëzoi, për cilat arsye? Si është gjendja e fundit me virusin Covid 19? A ju ka hy frika në palcë akademikëve, tash, kur po e shohin se nuk ka aftësi as kjo qeveri, as kjo shëndetësi? Apo ndoshta kjo është veç sa për të dëftuar se, qe akademikët e ASHK-ut janë gjallë dhe po sugjerojnë në lëshime qeveritare! Mund të ju kap edhe ju ky virus ndoshta. Pjesa më e madhe ju jeni të gjithë pleq. Po thuhet se, këta në moshë duhet të zhduken krejt sa më parë. Shkoni në shtëpi edhe ju dhe thoni të vërtetën për këtë vend, ose tregoni për turpin e juaj me ndonjë shkrim që nuk do ta publikoni, veç pasi të marrë fund tërmeti i politikës akrobatike diletantiste. Nuk keni çka mrizoni aty në ato lokale. Ndoshta, dikush shpreson, veç për të shkruar ndonjë libër për Kujtimet e veta, që t’ua lë fëmijëve dhe familjarëve të vet, se ishte një herë shkencëtar, letrar, artist, a kush çka do t’i thotë dhe si do ta quajë veten. Ky është individualizmi zyrtar, para interesit të shoqërisë dhe shtetit. Kjo do t’u mbetet epitaf i gjithmonshëm të nderuar akademikë!
Ndoshta, me ndonjë informim në mënyrë konspirative, mund të dini diçka më tepër se ne qytetarët tjerë, të mos hyjmë në mëkate, por ju nuk e shitni liderin për qytetarët dhe shtetin e Kosovës. Ai është i vlershëm për ju si për të gjithë militantët e rrugëve. Ka mundur të ndodh që ky konspiracioni i sotëm, ose vetëm heshtja e juaj siç po ndodh, të ngjasojë me heshtjen e disave edhe para njëzet tridhjetë viteve?! Po ato kohë s’duam t’i përmendemi, pasi sot është gati më e vështirë. Nëse mund të kthehet prapa gjendja, ose edhe më keq, është edhe ligësi edhe turp për të gjithë, sepse jo vetëm që nuk do të dëshironim për arsye thjesht që e kemi dashur këtë vend të pavarur, por do të shkelen edhe viktimat e luftës e mundi i të gjithë këtyre qytetarëve. Do të nënçmonin edhe aleatët më të mëdhenj që i kishim. Do të përbuznim ndihmën që na dhanë Amerika, Anglia, Italia, Gjermania, Franca, edhe shumë të tjerë nga vende të botës.
Nga të dy konstelacionet e Akademive shqiptare, është dashur të gjendet sot arkiv i madh i letrave apo librave të botuara me këshilla, denoncime dhe gjykime reale për gjendjen e përgjithshme në Kosovë. Botimi i librave në gjuhë të huaja. Pasqyrimi i gjendjes reale me luftën, të pagjeturit dhe dëmet e ushtrisë serbe që ka bërë më tepët se një shekull ndër shqiptarë e me pronat e tyre autoktone. Pse Akademia e Serbisë mund të bëjë çfarë të dojë, madje me të pa vërteta kundër shqiptarëve. Kur Akademitë tonë u janë kundërvënë poshtërsive të tyre? Edhe Akademitë tona janë zyrtare dhe potenciale për ta mbrojtur shtetin me veprimtarinë që do ta zhvillonin po të donin. Shumë realisht dhe pa gënjeshtra. Për viktimat, gjenocidin serbian, për të pa gjeturit, për plaçkitjet dhe rrënimin e pasurisë. E dëgjojmë një njeri asnjanës apo kombit jugosllav, kur thotë, se, ne duhet të pajtohemi me Serbinë pa kushte, sipas tij, ishte çka ishte dhe të kryhet kjo punë sa më shpejt. Pse ky kodosh mund të flasë në emër të Kosovës në këtë mënyrë dhe kujt i shërben me këto parulla? Kush duhet t’ia mbyllë gojën, kushdo qoftë edhe prapa tij, sepse kjo tezë është e dëmshme edhe e pa pranueshme për pjesën tjetër më të madhe. Tash, ASHAK del me një reklamë se, nuk janë prioritet bisedimet për marrëveshje me Serbinë, para se të mbrohemi prej rrezikut të përgjithshëm nga Covid 19. Shumë mirë. Po ku ishin më parë dhe pse nuk e çelën gojën, as nuk shkroi askush për gjendjen e një politike të brendshme bastarde gjatë kësaj pandemie? A e shohin këta akademikët mundësinë e rrezikut social, Shëndetësor, Juridik, Buxhetor dhe Falimentimin shtetëror? Natyrisht se edhe këta do ta shohin, por kur t’u troket në derë, siç u ka trokitur qe sa kohë shtresave të tjera sociale. Atyre ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Punëtorëve që as sezonalë nuk mund të numërohen në pagat e tyre mujore.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".