Antidiplomacia dhe diplomacia
Prof. Dr. Mehdi Hyseni
Shkruan: Mehdi Hyseni
Tash për tash, “kursori” i anijes diplomatike dhe i politikës së jashtme të Kosovës përballë Dialogut të Brukselit, është realist dhe në bashkëveprim koheziv me diplomacinë zyrtare të Uashingtonit dhe të aleatëve të tij evropianë, të cilët kanë kontribuar në çlirimin dhe në pavarësimin e Kosovës nga Serbia agresive dhe gjenocidale (1989-1999).
-Ndonëse, objektivisht politika e jashtme dhe diplomacia e Albin Kurtit dhe e Vjosa Osmanit karshi Dialogut të Brukselit (2011-2022), ka vetëm një difekt serioz, duke qenë se me ardhjen e tyre në pushtet, do të duhej patjetër, që të kërkonin nga Amerika dhe nga partnerët e tjerë evropianë, që e kanë njohur Kosovën, zëvendësimin e Joseph Borellit dhe të Mirosllav Lajçkaut, jo për diç tjetër, por për shkak se vendet e tyre (Spanja dhe Sllovakia) nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Prandaj, realisht, është e papranueshme, që përfaqësuesit e theksuar të këtyre dy shteteve, të ndërmjetësojnë në Diaslogun e Brukeslit.
Borelli nuk është fajtor, por Spanja që po mbështet Serbinë në mosnjohjen e Kosovës!
Përplasja e antidiplomacisë së njëanshme e Josep Borelit dhe e diplomacisë proamerikane dhe evropianoperëndimore e kryeministrit Albin Kurti, nuk është diç që duhet dramatizuar nga pala shqiptare (qoftë pozita apo opozita) apo masmediat e ndryshme, ngase si në politikë, ashtu edhe në diplomaci lajthitjet e qëllimshme a të paqëllimshme, në raste të caktuara kanë edhe çmimin e tyre qoftë në kuptimin e interesit të veçantë apo atij të përgjithshëm.
Edhe pse përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe për Siguri të BE-së, Josep Borell (ndërmjetës në Dialogun e Briskselit mes palëve negociuese të Beogradit dhe të Prishtinës), për momentin “doli nga takti diplomatik”, duke qenë se kryeministri Albin Kurti nuk pranoi Propozimin e tij, që të shtyhet për më vonë regjistrimi i targave me simbole të shtetit të Kosovës, kurse Beogradi të pezullonte prodhimin dhe përdorimin e targave të Serbisë.
Ky refuzim i arsyeshëm i Albin Kurtit, në asnjë mënyrë, nuk do të duhej ta irritonte diplomatin spanjoll Josep Borell, saqë ta kritikonte dhe ta fajësonte atë për dështimin e atij takimi më 21 nëntor 2022, duke qenë se kryeministri Kurti kishte të drejtë ta mbronte interesin nacional e shtetëror të Kosovës, jo Propozimin e theksuar të Josep Borellit, i cili ishte shprehje e drejtpërdrejtë e mbrojtjes së interesave të Serbisë, pa ndonjë datë-afat të caktuar të propozimit të tij për arritjen e një paramarrëveshjeje mes palëve negciuese, me qëllim të shtendosjes së krizës së krijuar politike në veriun e Kosovës, si rrjedhim i braktisjes së institucioneve dhe organeve policore, të jurisprudences dhe të administrates, si dhe të qeverisë dhe të parlamentit të Kosovës nga më se “500 policë” dhe nga përfaqësuesit e “Srpska listës”.
.Në këtë pikëvështrim nuk ka pse të hidhërohet apo acarohet Borelli dhe mbështetësit e tij të Beogradit zyrtar dhe të pesë vendeve të tjera të BE-së, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, sepse ai duhet të dijë se, Kosova nuk është më çështje koloniale e brendshme e Serbisë, por çështje e OKB-së, e cila me çdo kusht duhet ta penalizojë politikën kolonialiste të Serbisë ndaj Kosovës (1912-1999), duke u bazuar në Kartën e OKB-së dhe në parimet e rregullat e së drejtës ndërkombëtare.
Prandaj, edhe pse Josep Borell është ndërmjetës në negociatat serbo-shqiptare në kuadrin e Brukselit, nuk ka asnjë të drejtë, që të ushtrojë trysni, diktat apo ultimatum kundër vendimeve dhe kërkesave të ligjshme të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht ta fajësojë kryeministrin e saj, Albin Kurti, që me arsye nuk ia pranoi propozimin për shtyrjen e afatit të targave për një afat të pacaktuar. Ky është faji antidiplomacisë së Borellit, që në këtë rast nuk mundi të përmbahej nga shpërfaqja e qëndrimit të njëanshëm dhe subjektiv, që njëkohësisht është përligjje e kursit politik dhe diplomatik të shtetit të tij, Spanjës, e cila së bashku me katër vende të tjera të BE-së (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja greke) e mbështetin Serbinë, dhe bashkërisht nuk njohin pavarësinë e Kosovës.
Duhet mbajtur parasysh faktin se, edhe pse janë emisarë ndërmjetës të BE-së në Dialogun e Bruskelit mes palës serbe të Beogradit dhe asaj të Prishtinës, Josep Borelli dhe Miroslav Lajçak nuk kanë asnjë të drejtë morale dhe ligjore, që të ushtrojnë diktat apo ultimatum ndaj palëve në këtë proces, me qëllim të imponimit të ndonjë propozimi a marrëveshjeje të diplomacisë “vertikale” të BE-së, pa pëlqimin e të dyja palëve negociuese.
Veriu i Kosovës, problem i imagjinuar nga Serbia !
Mirëpo, fatkeqësia qëndron në faktin se Dialogun e Brukselit, e pranoi Prishtina zyrtare, ndonëse statusi politik i Kosovës ishte mbyllur më 17 shkurt 2008, të cilën e njohën mbi 14 shtete anëtare të OKB-së me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye.
Në këtë mënyrë politika dhe diplomacia e Serbisë ia arriti, që me mbështetësit e saj evropianë, ta ndërkombëtarizojë “veriun e Kosovës” edhe në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila legalizoi dhe mbështeti plotësisht zhvillimin e Dialogut të Brukselit mes Prishtinës dhe Beogradit. Mirëpo, periudha 11-vjeçare (2011-2022) dëshmoi se deri tani nuk doli asnjë rezultat konkret nga bisedimet “sterile” në proesin e Brukselit, Jo për shkak të destruktivitetit të palës negociuese shqiptare, por për shkak të palës serbe, e cila, edhe pas një dekade nuk pranoi që ta njohë Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës si realitet të ri në Ballkan.
Ky është problemi politik dhe diplomatik, i krijuar dhe i menaxhuar nga Serbia e Aleksandër Vuçiqit dhe e Ivica Daçiqit, e cila botërisht po këmbëngul që ta zhbëjë Republikën e Kosovës, duke e konsideruar si pjesë territoriale të Serbisë, edhe sipas Kushtetutës në fuqi të vitit 2006, si dhe sipas Rezolutës 1244 të KS-së së OKB-së, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Duhet ta pranojmë faktin se, derisa, parlamenti, qeveria dhe Kisha Otodokse Serbe (KOS) në mënyrë “orkestrale” në frymën e kakofonisë dhe simfonisë klero-shtetërore trumbetojnë se “Kosova është krahinë e Serbisë”, është naivitet të besohet se konflikti kolonial më se 100-vjeçar mes Serbisë dhe Kosovës, mund të zgjidhet në kuadrin e Dialogut paqësor të Brukselit (2011-2022).
Prandaj, askush nuk duhet të ushqejë iluzione të shkreta se gjoja në Brukel, Serbia po debaton për arritjen e ndonjë marrëveshjeje paqësore me palën negociuese shqiptare të Kosovës. Ky është vetëm një “intermeco” sa për t’u hedhur “pluhur syve” të opinionit publik, se gjoja Serbia po do paqe dhe normalizimin e marrëdhënieve reciproke me Kosovën, por ky është një manipulim politik sui generis, duke qenë se Beogradi zyrtar (edhe përmes bandave ilegale paramilitare e policore, të stacionuara në veriun e Kosovës, që nga përfundimi i luftës e deri më sot (qershor 1999 – nëntor 2022) assesi nuk po lejon që veriu i Kosovës të integrohet brenda kufijve territorialë, administrativë dhe sovranë të Republikës së Kosovës.
Çfarë do të thotë kjo ndërhyrje direkte dhe indirekte e Serbisë në çështje të brendshme të Republikës së Kosovës, në kuptimin e zbatimit dhe të respektimit të Kartës së Kombeve të Bashkuara, të rendit juridik pozitiv ndërkombëtar dhe të së drejtës ndërkombëtare ? -SHKELJE DHE SHPËRFILLJE FLAGRANTE E TYRE !
-Atëherë antidiplomacia e Joseph Borellit le ta fajësojë Serbinë “agresore paqësore” të presidentit Aleksandër Vuçiq, që përmes profkave antidiplomatike të fshehta dhe të hapura po lufton për krijimin e një “republika srpska”, duke manipuluar me eufemizmin “asociacioni i komunave serbe”, i cili nënkupton autonominë e plotë pilitike për minoritarët serbë të veriut të Kosovës. Dashtë Zoti, që kjo të mos jetë projekt i parashikuar dhe i dakorduar paraprakisht i përbashkët i faktorëve të involvuar evropianë dhe ndërkombëtarë, mbase do të ishte fait accompli, fatalitet për shtetin sovran të Kosovës, nëse këtë nuk do ta kundërshtonte diplomacia e Uashingtonit zyrtar.
Ky është problemi, jo diplomacia racionale kombëtare dhe shtetërore e kryeministrit Albin Kurti dhe e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pavarësisht nga kriticizmi i skenës së politikës së brendshme në Kosovë dhe në Shqipëri, që i kanë “halë në sy” këta dy liderë më të shquar politikë në Ballkan.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".