Gëzuar Dita e Flamurit dhe 110 Vjetori i Pavarësisë!
Gani Qarri
Shkruan: Gani Qarri
Sot edhe për pjesëmarrje në festën e mëvetësisë kombëtare, shqiptarët e Kosovës duhet t`ia paguajnë tagrin Edi Ramës!
Kryepeshkopi i Shkupit Lazër Mjeda dhe gazetari vjenez Leo Freundlich e quanin gjeneralin gjakatar serb Bozhidar Jankoviq, i cili në vjeshtën e vitit 1912, komandonte Armatën e Tretë serbe për pushtimin e tokave shqiptare dhe daljen në detin e Shqipërisë, si përgjegjës për krimet më ç ‘njerëzore që janë kryer nga okupatorët serb kundër popullsisë civile në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa gazeta angleze "Daily Telegraph" shkruante se mizoritë e kryera ndaj shqiptarëve, nga trupat okupuese serbe të gjeneralit Jankoviç", kanë tejkaluar të gjitha tmerret e historisë!
Megjithatë, përkundër krejt veprimeve krimo-gjenocidiale, që ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve në trojet e veta autoktone, për shkak të vëllazërisë me nxënësin e kasapit Millosheviq, kriminelin Aleksandër Vuçiq, Edvin Kristaq Rama kërkon nga Kosova që ti harrojë edhe krimet e gjenocidin, si dhe të vrarit e të kidnapuarit shqiptar, mbi 1600 trupa të të cilëve edhe mbi 23 vite pas lufte Vuçiqi vazhdon ti mbaj peng në Serbi, duke lënë në pritje me varre të hapura, për afro një çerek shekulli familjet e tyre, që të kenë një vend të dinjitetëshëm amshimi,ku mund ti kujtojnë bijtë e vet, përjetësisht në Kosovë.
Madje si për koincidencë, pikërisht në vendin ku në nëntor të vitit 1912, Isa Buletini dhe Mehmet Derralla ndaluan avancimin e armatës së tretë okupuese serbe të gjeneralit gjakatar Bozhidar Jankoviq, që Ismail Qemali të mund të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë në Durrës, ashtu siç ishte marrë vesh me austriakët, sot sivëllai i Vuçiqit, siç vazhdon ta quaj veten me “krenari”, Edvin Kristaq Rama, ka vendosur "postblloqet" taksimi, dhe pasardhësit e Isës, udhëheqës qeverie, kryetar partish e deputet të Kuvendit të Kosovës, duhet ta paguajnë tagrin, edhe kur nisen për të marrë pjesë në festën kombëtare të Flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë!
Duke qenë se, sot është ditë gëzimi për të gjithë ne, urojë nga zemra Gëzuar dhe për shumë mot 28 Nëntori-Dita e Flamurit dhe festa jonë më e madhe kombëtare, që bënë bashkë të gjithë shqiptarët në atdhe dhe kudo në botë, ku ata jetojnë e qëndrojnë me punë, shkollim e vendbanime.
Dita e Flamurit Kuq e Zi, i cili në të gjitha kohët, ishte dhe do të mbetet përjetësisht, frymëzimi më shkëlqyes shpirtëror e kombëtar, për të gjithë shqiptarët atdhedashës dhe patriot.
Datë e shenjtë, që para së gjithash na kujton heroin mbarëkombëtar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun i cili gjithmonë mbeti vetëm Mbret i Shqiptarëve dhe Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae) duke mos pranuar asnjëherë emërtime të huaja as tituj të huazuar nga armiqtë.
Kryeheroi që u bë shembulli më pietik, për shqiptarët kudo, se si duhet dashur atdheu, të cilin veçanërisht Rilindësit tanë e ndoqën me shumë besnikëri, si dhe mbarë patriotët e luftëtarët e kombit që luftuan e ranë, për çlirim nga okupimet e huaja, për krijimin e Shqipërisë Etnike, si shteti i vetëm dhe atdheu i përbashkët natyral në trojet autoktone të shqiptarëve!
Flamuri autentik i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, simbol i identifikimit dhe bashkimit mbarëkombëtar, i cili që nga fillimi i përpjekjeve për liri e deri te shpallja e pavarësisë kombëtare me 1912, gjithmonë dhe kurdo edhe në momentet më të vështira, qëndroi kurdoherë në ballë të luftërave për liri dhe përpjekjeve të pareshtura për çlirimin e atdheut tonë të përbashkët!
Prandaj me këtë datë të shenjtë, ne kujtojmë me pietet dhe respektin më të lartë 578 vjetorin e ngritjes së po këtij Flamuri nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujën heroike, 110 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe të gjitha personalitetet më të shquara të kombit dhe aktet e tyre më të larta atdhetare, vepra e të cilëve mbetet shembulli më hyjnor dhe trashëgimia më e çmuar e dukshme dhe e prekshme në të gjitha trojet shqiptare.
Heronjtë e paharruar që me punën, luftën dhe trimëritë e tyre, në periudhat më tragjike të së kaluarës tonë të vështirë, arritën që ta mbrojnë me nder, krenari e dinjitet vendin dhe kombin tonë duke na bërë të mbetemi shqiptar, një popull i bashkuar me një gjuhë, traditë e një flamur edhe pse të ndarë e të copëtuar padrejtësisht në disa shtetet në rajon, ta ruajmë edhe sot historinë e vlershme, traditën dhe identitetin tonë të pacenuar kombëtar e territorial, në të gjitha tokat tona etnike, ku jetojnë shqiptarët.
Prandaj 28 Nëntori, ashtu siç është një festë gëzimi për ne, është edhe një datë e shënuar, kujtimi e falënderimi me plot respekt dhe pietet të pafund, për të gjithë të rënët, që nga viti 1878 e këtej, të cilët u përpoqën e luftuan pareshtur për lirinë e atdheut, bashkimin kombëtar dhe jetën me dinjitet të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, në atdhe dhe botën mbarë.
Kështu që edhe me rastin e këtij 28 Nëntori, si në çdo përvjetorë të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë Etnike, me kënaqësi dhe gëzim të veçantë, shpreh urimet e mia më të mira dhe më të përzemërta, kombit tim, për Datën historike të ngritjes së Flamurit të Skënderbeut dhe Ditën e shenjtë të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, duke uruar nga zemra, që sa më parë të realizohet ëndrra e kamotshme e popullit tonë për bashkimin e të gjitha trojeve tona etnike dhe jetësimin e Shqipërisë Natyrale, ku përjetësisht do të festonin të lirë dhe të bashkuar të gjithë shqiptarët!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".