Ata që nuk dinë me qeverisë kthehen në uzurpatorë!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Edhe në vitin e sapohyrë 2023, shumë tema të vjetra do t’na përcjellin edhe përgjatë këtij viti, e mbase edhe për disa vite të tjera në vijimësi, si probleme që kërkojnë zgjidhje. Pa dyshim tema numër 1, apo më e nxehta e vitit 2023 do të jetë dialogu me Serbinë në Bruksel për Asociacionin e komunave serbe në veri!
Dialog maratonik me resultate simbolike pa asnjë zgjidhje të qëndrueshme
Procesi i dialogut ka filluar me 8 mars 2011, pas Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e cila mirëpriste mendimin këshillëdhënës të GJND-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe mirëpriste gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi.
Që nga fillimi i këtij procesi, trajta e tij ka ndryshuar nga ai që fillimisht quhej dialog teknik, në të ashtuquajturin dialog politik ose dialog për normalizimin e marrëdhënieve, i cili fillojë zyrtarisht më 19 tetor të vitit 2012. Në kuadër të dialogut deri më tani janë arritur mbi 35 marrëveshje, përfshirë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe të 19 prillit 2013-të (e ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës), përkatësisht të 25 gushtit 2015-të, të nënshkruara nga dy ish kryeministrat e vendit tonë.
Dialogu 12 vjeçar në mes Kosovës dhe Serbisë i filluar në marsin e vitit 2011 në Bruksel, do të vazhdojë përseri, por me një ritëm më të përshpejtuar.
Pasi, Kosova po përballet me situatën më paradoksale nga paslufta, me veriun e vendit tërësisht jasht kontrollit të institucioneve qendrore. Veriu i vendit është në dorën dhe mëshirën e anarkisë, të kontrollit të plotë nga serbët lokal dhe Serbia armiqësore me agresionin e saj politik, nën kërcënimet edhe për agresion ushtarak.
Një pozitë e pafuqishme për shtrirjen e sovranitetit në veri dhe një opozitë e çakorduar e cila në mendje e ka pushtetin dhe jo shtetin! Kjo e bënë edhe më shqetësuse gjendjen në të cilën gjendet veriu i vendit tonë sot!
Megjithatë, Kosova dhe populli i saj janë me fat dhe të bekuar nga Zoti, që ende e kanë përkrahjen e fuqishme të miqëve perëndimorë, SHBA-ve dhe BE-së që po na mbrojnë nga invazioni ushtarak, por jo edhe nga invazioni politik i Serbisë.
Nga invazioni politik i Serbisë duhet të mbrohemi vet, pasi i kemi të gjithë mekanizmat e nevojshëm shtetërorë, duke filluar nga Presidenca, Qeveria, Parlamenti, AKI-ja, etj!
Por, problemi është se institucionet tona nuk janë shumë aktive në ç’montimin e politikës destruktive të Serbisë!
Ta dëshmojë veten Qeveria me legjitimitetin më të lartë qytetarë
Qeveria me legjitimitetin më të lartë qytetarë nga paslufta duhet t’i kushtojë kujdes më të shtuar politikës së jashtme. Presidentja, kryeministri, zv. kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, duhet të jenë më aktive në neutralizimin e politikës serbe në ç’njohjet e paralajmëruara, duke i sjellë njohje të reja shtetit të Kosovës.
Në të kundërtën, nëse nuk janë në gjendje ta bejnë një gjë të tillë, është mirë t’u hapin rrugë atyre që dinë dhe munden ta bëjnë një gjë të tillë.
Një fjalë e urtë italiane e thotë; "Kush nuk di të qeverisë është uzurpatorë", por një thënje tjetër italiane thotë; "Çdo vend e ka qeverinë që e meriton" e cila e vërteton katërçipërisht realitetin e krijuar pas 14 shkurtit 2021, porqë e dëshmon edhe faktin tjetër, se një popull liridashësh nuk e meriton gënjeshtrën dhe mashtrimin, tradhtinë dhe poshtërimin.
Kur jemi në këtë segment, tek gjendja e krijuar në Kosovë, na del përpara thënja e të madhit dhe të pa vdekshmit, Prof. Fehmi Agani; "Koha sjellë çka investojmë ne dhe sa arrijmë ne në kohë".
Ky mendim i logjikshëm na obligon të investojmë sa më shumë që është e mundur në realizimin e interesave të popullit dhe shtetit të Kosovës, si dhe në shfrytëzimin e kohës, si dhurata më e çmuar që na ofrohet çdo ditë nga i madhi Zot.
Prandaj si kurrë më parë, tani është koha që të largohemi nga e keqja që na ka mbërthyer. Të investojmë në angazhimin e forcave progresive dhe atdhetare, të shtresës intelektuale e akademike që të dalin në krye të qeverisjes së shtetit, sepse vetëm në këtë mënyrë qytetarit të Kosovës do t'i kthehet dinjiteti që e meriton.
Të mos presim kot dhe as të mos vajtojmë për të kaluarën, por të punojmë për të ardhmen. Vendi ynë ka nevojë për ndihmën tonë. Kombi ynë ka nevojë për atdhetarë e jo për politikanë karrieristë, specie këto kancerogjene të demokracisë dhe shoqërisë njerëzore në përgjithësi.