Ky është kulmi i turpit të drejtësisë që nuk i beson më askushi, amniston dosjet kriminale të mafio-oligarkëve të lidhur me majat e politikës dhe ateron te Burdushi!

Ky është kulmi i turpit të drejtësisë që nuk i beson më askushi, amniston dosjet kriminale të mafio-oligarkëve të lidhur me majat e politikës dhe ateron te Burdushi!
Ky është kulmi i turpit të drejtësisë që nuk i beson më askushi, amniston dosjet kriminale të mafio-oligarkëve të lidhur me majat e politikës dhe ateron te Burdushi!

Gani Qarri

  • 17 January 2023 - 10:53

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

 Për habi të qytetarëve të Kosovës, edhe ky vit filloi me një të papritur të re dhe lajm i parë i viti të ri, që morën, çuditërisht ishte dosja Burdushi, përderisa kanë kaluar mese dy dekada e gjysmë dhe nuk e kemi asnjë të dënuar të jakave të bardha për korrupsion e krim të organizuar, me të cilët është ngulfat dhe po vazhdon ti zihet fryma gjithë Kosovës.   

 Duke qenë se edhe Ministria e Drejtësisë, për këto dy vite, ka dëshmuare se ekziston vetëm sa për sy e faqe dhe nuk është në gjendje të ndërmarr asgjë për spastrimin dhe vënien në binar të sistemit të drejtësisë vendore, përderisa rasti Dehari dhe ai i njohur si rasti "toka"po i afrohen rreth një dekade të zvarritjes, gjyqësori i kalbur i Kosovës startoi edhe një fillim-viti me improvizimet më qesharake të spektakleve të veta manipuluese, kinse në emër të luftës kundër krimit të organizuar. 

 

Dhe për realizimin e tragji-komedisë së radhës, gjyqësori i kontaminuar nga mafio-politika kësaj radhe përzgjodhi Burdushin “hoxhën” popullor nga  Prizreni, për ta dënuar me burgim dhe gjobë nën akuzën se përmes mashtrimit përfitoi rreth 1 milion euro. Kurse multi-milionerët e miliardat e ish pushtetarëve dhe oligarkëve të lidhur me mafio politikën, ish uzurpatorët e shtetit e abuzuesit publik të pushtetit, vazhdojnë të jetojnë të qetë në luks përrallor, të pa hetuar dhe fare të pa trazuar, e të mos flasim për ndonjë rast spektakular të konfiskimit të pasurisë së tyre të kundërligjshme, të grumbulluar nga abuzimet me detyrën zyrtare, dhe përfshirjen në krim të organizuar.

 Kështu që Gjykata Themelore në Prishtinë, të martën shpalli edhe një aktgjykim dënues ndaj një personi të pafuqishëm politikisht si Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, i akuzuar për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje, duke e dënuar me dënim unik prej 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 42 mijë euro gjobë.  Madje menjëherë pas festave të fundvitit, që në ditën e parë të punës Gjykata Themelore e Prishtinës, përveç shpalljes së aktit dënues ndaj Hysri Peqanit, i njohur si “Burdushi”, me 4 vjet e 6 muaj burgim dhe 42 mijë euro gjobë, është marrë vendim që atij ti konfiskohet edhe pasuria. 

Sipas aktakuzës, prej 15 qershorit 2005 e deri më 26 korrik 2019, Hysri Peçani në Prizren, ka mjekuar persona të ndryshëm me anë të paraqitjes së rreme se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe të dëmtuarve u ka kryer trajtime të improvizuara, duke i vënë në lajthim dhe i nxitur që t’i paguajnë ati shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, që ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro. 

Prokuroria pretendonte se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive, e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transferove bankare dhe konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.  

Ai akuzohej për veprën penale të “Shpëlarjes së parave” nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32, paragrafi 1 dhe 2, nënparagrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave. Edhe pse vepër e paligjshme, nëse krahasohet vepra e Hyzri Peqanit me oligarkët milioner të lidhur me krimin e organizuar që bashkëjetojnë dhe bashkë ndajnë përfitimet me politikanët e inkriminuar, atëherë rasti Burdushi është një rast shumë i imtë dhe qesharak. Vet ky akt, flet më së miri se sa i rrezikuar mundë të jetë një personi i pa-krah, për tu sakrifikuar nga gjyqësia e kriminalizuar, në emër të ligjit dhe drejtësisë, nëse nuk ja bënë shërbimin rrjetit të fuqishëm të nëntokës mafioze dhe nuk e gëzon mbështetjen e krimit të organizuar që ka pasur në dorë, të gjitha segmentet e pushtetit, deri në majat e shtetit. 

 Drejtësia që tash e sa vite vlerësohet tërësisht e dështuar, e nënshtruar dhe në bashkëjetesë të gjatë me krimin e organizuar, ka gjetur ta bëjë kurban për manipulimet e veta Burdushin, si person i pa mbrojtur, për të konfiskuar pasurinë që të gjithë e kanë ditur se me vite ka grumbulluar duke vepruar publikisht dhe krejt hapur. 

Madje Burdushi, përkundër politikanëve dhe zyrtarëve të inkriminuar që çdo vepër të kundërligjshme e ruajnë me rigorozitet dhe në fshehtësi të madhe, ai ka bërë reklama edhe nëpër televizione dhe ftuar mediet edhe ne shtëpinë e tij, por në vend se të parandalohej me kohë, gjyqtar dhe prokuror të inkriminuar, bile të deklaruar edhe si a-politik, rastin e Burdushit na e shfaqin si ekspoze të një “suksesi” të madh, në ankand publik. 

Pra vet kjo mënyrë puro-manipulative e veprimit, është dëshmia më e mirë se si gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, e mbulojnë mos-punën dhe arsyetojnë pagat e pamerituara, që marrin nga institucionet e shtetit, të cilët në vend të zbatimit të ligjit, kujdesen t`ia bëjnë avokatinë mafies dhe krimit të organizuar, pasi që janë aq shumë të shantazhuar prej krimo-politikës, sa që nuk guxojnë as ti hetojnë, se lëre më edhe ti gjykojnë dhe t`ua konfiskojnë pasurinë të fortëve, prapa të cilëve, duket se edhe sot, qëndron ndonjë grup i madh dhe i plotfuqishëm kriminal!

 Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".