Garancitë janë të Amerikës, Asociacion për komunat serbe me apo pa qeverinë Kurti vetëm sipas kushtetutës së Kosovës por  jo modelit të Srpska Republikës

Garancitë janë të Amerikës, Asociacion për komunat serbe me apo pa qeverinë Kurti vetëm sipas kushtetutës së Kosovës por  jo modelit të Srpska Republikës

Hajrullah Tërnava

  • 17 January 2023 - 16:09

Shkruan: ANALISTI-Hajrullah Tërnava 

 

Kërkesa amerikane për Asociacionin po bëhet e qartë, ultimative madje, por duke qenë në harmoni me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, duke premtuar se nuk do lejohet model që krijon shtet brenda shtetit dhe vihet në rrezik të sovranitetit dhe integritetit të shtetit.

 

Situata politike kofliktuoze që po zgjatë mes Serbisë dhe Kosovës tani e 23 vite, është  si pasojë e kushtetutës që na u patë imponuar,   që ta formuloj Ahtisari, e i cili i kishte paraparë edhe asociacionet serbe dhe shqiptare, të jenë pjesë përbërëse të kësaj kushtetute, dhe për çka deri tash nga  ndërmjetësimet e ndërkombëtarëve e  nuk është arritur vendimi përfundimtar për asociacionin e komunave me shumicë serbe.  Serbët po kërkojnë Asociacion me kompetenca mbi kushtetuese, që kishte me ingja Srpska Republikës në Bosnje, e që kishte me na shkaktua probleme të pa parapara, që do të thotë edhe një republikë serbe në Kosovë. Tani kur këtë çështje po e ndërmjetësojnë më seriozisht Amerika me aleatët e sajë, e kur është ofruar një draft marrëveshje evropiane, ajo franko-gjermane, e cila si alternativë e ka për qëllim njohjen mes veti Serbi-Kosovë, në një periudhë më të gjatë kohore në pritje,  Serbia assesi nuk guxon ta pengoj rrugëtimin e Kosovës drejtë anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare sikur që janë NATO, INTERPOL, BE, OKB etj.  Varianti tjetër është që Serbia ta njeh drejtpërsëdrejti pavarësinë e Kosovës, gjë që ka më pak gjasa për këtë, por sido që të jetë ndërkombëtarët tani e kanë intensifikuar këtë çështje dhe ka gjasa që shumë shpejtë të vjen deri te suksesi i shumë pritur. Është e kuptueshme se tani po mbetet zgjidhja e nyjës së Asociacionit, kushtëzimi tani më edhe publik dhe i pa kthyeshëm ndërkombëtar për qeverinë Kurti, si rrugë zgjidhja e vetme për të vazhduar tutje në dialog me Serbinë dhe arritjen eventuale të marrëveshjes finale, apo do të jetë shkak i detyrimit të dorëheqjes së kësaj qeverie për pasojë refuzimi, duke hapur rrugë për ri kompozim dhe ri konfigurim të një koalicioni të ri qeverisës nga blloku opozitar, nëse faktorët ndërkombëtar nuk lejojnë dhe nuk pranojnë të shkohet në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Kërkesa amerikane për Asociacionin po bëhet e qartë, ultimative madje, por duke qenë në harmoni me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, duke premtuar se nuk do lejohet model që krijon shtet brenda shtetit dhe vihet në rrezik të sovranitetit dhe integritetit të shtetit. Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Sh tetit, Derek Chollet, tha se “Kosova duhet të përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se presin nga "Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë". Kështu tha ai më 11 dhjetor gjatë një bisede me gazetarët në Prishtinë. “Ne besojmë se Asociacioni është një çështje urgjente, është një çështje urgjente në agjendën e dialogut, dhe ka marrë një rëndësi edhe më të madhe pas ngjarjeve të fundit në veri”, tha Chollet. Ai shtoi se SHBA-ja nuk mbështet diçka që i ngjan Republika Srpskes. “Ne nuk po kërkojmë nga Kosova të mbështesë asnjë marrëveshje që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”. “Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Ne besojmë se Kosova me Serbinë duhet të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke”, tha ai. Chollet tha se SHBA-ja beson se dialogu është mjeti më i mirë për Kosovën për ta siguruar të ardhmen e saj të plotë evropiane dhe euroatlantike. Ai shtoi se SHBA-ja dëshiron ta shpenzojë energjinë e saj diplomatike në punën drejt të ardhmes euroatlantike të Kosovës, dhe se do të donin të shpenzonin më pak energji në menaxhimin e krizave. Chollet gjithashtu tha se mesazhi i tyre për Beogradin është që mos të ketë akte provokuese dhe të punohet drejt shtensionimit të situatës. Procesi i dialogut, plani evropian-franko gjerman, dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishin ndër temat e diskutimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani, dhe përfaqësuesve të të gjitha partive politike me zyrtarin amerikan Drek Chollet. Kryeministri Kurti me mesazhin e fundit nga Vjena e Austrisë ka lënë të kuptohet se do të ketë lëvizje përpara në çështjen e Asociacionit, por vetëm në bazë të Kushtetutës dhe duke përjashtuar modelin e një asociacioni në baza etnike vetëm për komunitetin serb. “Jemi në një moment kur flasim e diskutojmë për një marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet. Megjithatë, sipas Kushtetues së Kosovës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga Marty Ahtisaari dhe Albert Rohan, në frymën e saj nuk lejon Asociacion një etnik. Fjalia e parë e atij plani që është hartuar nga ta thotë që Kosova duhet të jetë multi etnike dhe thotë se asociacionet apo institucionet mono etnike nuk janë në frymën e atij plani apo Kushtetutës sonë. Megjithatë, ne ofrojmë garancitë dhe të drejtat më të mëdha për të gjitha pakicat. Jam shumë i angazhuar në këtë drejtim, por pa e nënvlerësuar kushtetutshmërinë e vendit tonë”, ka thënë Kryeministri Albin Kurti në një konferencë të përbashkët me kancelarin austriak Karl Nehammer në Vjenë. Ndryshe edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se pajtohet me këshilltarin e Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet se është koha e fundit që të gjitha marrëveshjet e Brukselit të zbatohen me shpejtësi, duke përfshirë edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ë përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Rohde në një postim në Tvitter shkruan se Kosova ende nuk ka prezantuar ndonjë propozim lidhur me krijimin e Asociacionit, gjë që duhet të bëhet. Edhe nëse krijohen Asociacionet në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, dhe nëse vjen deri te njohjet reciproke mes dy shteteve, ky do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm dhe pavarësia e Kosovës do të njihej edhe nga shumë shtete tjera që se kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës deri më tani, dhe ky do të ishte një sukses shumë i lartë i kësaj Qeverie e cila në radhë të parë deri më tani arriti që ti përmbahet kushtetutës së Kosovës, e jo sikur qeveritë e mëparshme që donin me i falë pjesë territoriale Serbisë.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".