Obligimet ndërkombëtare, lak në fyt për Kosovën!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Presioni i shtuar i ndërkombëtarëve më kërkesa të paarsyeshme dhe të pasinqerta, dualiste dhe dashakeqe për Kosovën i kanë vënë në lajthitje qytetarët e Kosovës. Edhe pse kryeministri Albin Kurti është në të drejtën apsolute (morale) të kundërshtimit të Asociacionit njëetnik serbë, e ka të pamundur që ta parandaloj atë.
Pse?
Sepse, Asociacioni ka ardhur si produkt i një marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruar nga dy ish kryeministrat e Kosovës (Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa). Edhe përkundër faktit se marrëveshjen e 25 gushtit të vitit 2015 e kuntestojë Gjykata Kushtetuese e Kosovës për shkeljen e 23 neneve, ajo mbetet në fuqi bashkë me marrëveshjen kornizë të 19 prillit 2013 të nënshkruara në Bruksel.
Paradoksalisht, edhe pse u kontestua nga kushtetuesja marrëveshja e 25 gushtit 2015-të, nënshkruesi i saj mbeti i lirë dhe paprekur nga drejtësia kosovare! Në këtë rast shtrohet pyetja logjike, dështojë drejtësia apo fitojë padrejtësia!?
Edhe pse marrëveshja e parë kornizë e 19 prillit 2013 në Bruksel ishte e pa plotësuar me të gjitha pikat dhe anekset e saj ligjore, e njëjta u ratifikua në Kuvendin e Republikës së Kosovës!
Mirëpo, me ratifikimin e marrëveshjes së parë, të 19 prillit 2013, përveqse u legjitimua ajo, u shpërnda edhe përgjegjësia politike nga ish kryeministri Thaçi tek deputetët e legjislaturës së asaj kohe, për të cilën asnjëri prej deputetëve që votuan pro-marrëveshjes për Asociacionin njëetnik deri më sot nuk është penduar (disa prej të cilëve janë deputet edhe në legjislaturën aktuale)!
Pas marrëveshjes ndodhi edhe amnistimi i kriminelëve serbë në veri
Pas marrëveshjes së 19 prillit 2013-të, disa muaj më vonë, në Kuvendin e Kosovës nga të njëjtët deputet ndodhi edhe votimi i Ligjit për Amnistinë, i cili, për qëllim parësorë e kishte amnistimin e kriminelëve serb në veri të vendit (Ligji numër 04/L-209, i datës 11 Korrik 2013)!
Ishte ky njëri prej veprimeve më të pamatura dhe tepër të dëmshme për proceset e mëvonshme politike për Kosovën.
Amnistimi i kriminelëve, ishte akti më i papritur dhe tejët dëshprues për familjarët e të vrarëve politik, dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, të cilin pa dyshim më së rëndi e përjetuan familjet e të pagjeturëve, nënat e motrat tona të dhunuara gjatë luftës së fundit nga kriminelët dhe gjakatarët serb!
Sikurse ratifikimi i një marrëshje politike në kundërshtim më kushtetutën e vendit, që është vepër penale dhe tradhti kombëtare e deputetëve, edhe amnistimi i kriminelëve në rrethanat agresionit politik serb ishte pak më tepër së gabim politik, ishte tradhti kombëtare.
Ledhatimi i agresorit dhe ndëshkimi i viktimës
Ledhatimi i Serbisë agresore nga bashkësia ndërkombëtare dhe trysnia ndaj viktimës (Kosovës) për të pranuar kompromise të dhimbshme në dëm të saj, e ka krijuar situatën paradoksale në të cilën ndodhemi sot, ku, ose duhet të pranojmë Asociacionin njëetnik serb ose do të ndëshkohemi nga bashkësia ndërkombëtare me izolim të mëtutjeshëm, pengim të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe embargo të investimeve kapitale në vendin tonë!
Kur kësaj t’i shtohen edhe dëmët ekonomike që po i shkaktojnë serbët e veriut buxhetit të shtetit tonë me mospagesën e rrymës dhe të asnjë obligimi tjetër shtetërorë tani e 24 vite më parë, mos shtrirja e sovranitetit dhe prolongimi i problemit në veri të vendit, mbeten “Fitore e Pirros” për Kosovën!
Edhe përkundër faktit se Serbia nuk i ka respektuar në plotni asnjërën prej marrëveshjeve teknike, ekonomike dhe tregtare, nënshkrimi i marrëveshjes politike për Asociacionin e Komunave Serbe nga dy ish kryeministrat tonë, është obligim ndërkombëtar dhe lak në fyt për Kosovën, prolongimi i së cilës më shumë e dëmton sesa e ndihmon Kosovën në ecjen politike dhe zhvillimin ekonomik të saj.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".