Lexoni edhe:
Njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë me marrëveshjen finale, formulë indirekte e garantuar nga ndërmjetësit ndërkombëtar-SHBA-BE
Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri
Zvarritja e qëllimshme e lëndëve serioze të krimit dhe korrupsionit, nëpër gjykatat e kapura të Kosovës, realisht, është forma më perfide, e pa hetueshme dhe e pa ndëshkueshme deri më tani e lidhjes së gjyqtarëve me nëntokën e krimit të organizuar. Madje me gjyqtar të tillë, mese një mal rastesh të nivelit të lartë të krimit dhe korrupsionit janë duke vazhduar me dekada pa e marr asnjëherë verdiktin e merituar, me qëllimin e para programuar, që me kalimin e kohës një nga një të shkojnë duke u parashkruar, siç po veprohet publikisht, tash e sa vite nga gjykatës të dyshimtë, anë e mbanë Kosovës.
- Vetë kjo praktikë e turpshme veprimi, është dëshmia më e pa kontestueshme që flet hapur se gjyqësori i kapur me dekada po vazhdon t`ia bëjë avokatinë mbrojtëse krimit të organizuar, duke lidhur marrëveshje të fshehta dhe korruptuar për të mos vepruar në zbatimin e ligjit! Vetëm pas denoncimit të pa ndërprerë në mediet e pa varura të kësaj praktike, së fundi KGJK ka filluar me disa masa simbolike për raste të caktuara kritike të lojës së gjyqtarëve me lëndët që ju janë ngarkuar. Ndërsa zbatimi më i freskët i “masës ndëshkuese» ka ndodhur në rastin e gjyqtarit të gjykatës themelore të Prishtinës Labinot Zeka, për të cilin thuhet se zvarriti, jo një, por madje disa lëndë dhe shkelja e përsëritur e ligjit nga ana e këtij gjykatësi matrapaz, detyroi KGJK-në që t`ia ul pagën për 6 muaj! Kështu që Khilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka marrë vendim për shqiptimin e vërejtjes publike me shkrim dhe zvogëlimin e përkohshëm të pagës në shkallën 40% për gjashtë muaj ndaj gjyqtarit Labinot Zeka, gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni për Çështje Civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë, thuhet në njoftimin zyrtar të KGJK-s.
Me sanksionin disiplinor të shqiptuar nga KGJK, rezulton se gjyqtari Zeka është gjetur përgjegjës jo një herë por disa herë, duke mos ndërmarrë veprime në kryerjen e detyrave zyrtare me kohë siç kërkohet me ligj në trajtimin e tri rasteve, me çka KGJK ka konstatuar se ka pasur zvarritje të lëndëve, raporton “Betimi për Drejtësi”. Sipas vendimin të KGJK-së, të nxjerrë më 3 nëntor 2022, këto lëndë kanë qenë lëndë të kthyera në rigjykim dhe për të njëjtat ka pasur edhe urgjenca nga palët për trajtimin e tyre. Prandaj në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se KGJK pas vlerësimit të provave të administruara dhe deklaratës së subjektit të hetimit, konstatoi që gjyqtari Zeka, nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme për të vendosur për tri lëndë, të cilat ishin kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit edhe përkundër faktit që ishin parashtruar urgjenca nga pala dhe nuk është gjetur asnjë pengesë që të ndikoj në mos trajtimin e tri lëndëve kontestuese”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi. Tutje, në arsyetim vendimit të KGJK-së, sqarohet se gjykatësi Zeka me mostrajtimin e lëndëve të kthyera në rigjykim, nuk ka zbatuar nenin 199 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, përkundër faktit se “Gjykata e çështjes ka për detyrë që menjëherë pasi t’i arrij aktvendimi i gjykatës së shkallës së dytë, të caktoj seancën përgatitore apo seancën për shqyrtim kryesor të çështjes e cila duhet te mbahet më së voni brenda afatit tridhjetë (30) ditor pas arritjes së aktvendimit të gjykatës së shkallës së dytë, si dhe t’i kryejë të gjitha veprimet procedurale dhe t’i shqyrtoj të gjitha çështjet kontestuese që i ka ofruar gjykata e shkallës së dytë në aktvendimin e saj“, thuhet më tej, në këtë vendim.
Gjithashtu, theksohet se subjekti i hetimit nuk ka zbatuar edhe qarkoren e 4 dhjetorit 2014, të Gjykatës Supreme për trajtimin e lëndëve të kthyera në rigjykim, ku sipas kësaj qarkore është përcaktuar se gjykatësi i ngarkuar me çështjen, e ka për obligim ligjor që lëndën e kthyer në rigjykim ta caktojë menjëherë në afatin e parë kalendarik që e ka të lirë. Njëra lëndë, sipas këtij vendimi të KGJK-së ka pasur të bëjë me kompensim dëmi për shkak të lëndimit në punë, e cila ishte kthyer në rigjykim dhe gjyqtari Zeka edhe përkundër që kishte kaluar më shumë se 1 vit e katër muaj kohë, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim, përkundër detyrimit ligjor që në afat prej 30 ditësh, pas pranimit të lëndës, të ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale në drejtim të zgjidhjes së saj. Tutje, në vendim theksohet se edhe për lëndën e dytë në bazë të të gjeturave të Këshillit, rezultoi se subjekti i hetimit lëndën e kishte pranuar nga gjyqtarja S.B, më 27 prill 2021, por serish gjykatësi Zeka nuk kishte mbajtur asnjë seancë gjyqësore, as për këtë rast, edhe pse lënda ka qenë në procedurë, ku janë mbajtur pesë seanca gjyqësore nga gjyqtarja paraprake dhe konsiderohej si lëndë e vjetër.
Ndërsa, sa i përket lëndës së tretë, KGJK ka konstatuar se subjekti i hetimit nga data kur e ka pranuar lëndën më 1 mars 2021, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të zgjidhjes së saj deri më 25 mars 2022, kur kishte marrë konkluzion, me të cilin ishte urdhëruar kreditori i kundër-përmbarimit të paguajë taksën gjyqësore dhe dorëzimin origjinal apo kopje të noterizuar të aktgjykimit të Gjykatës Supreme. Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet edhe se gjykatësi Zeka, përkundër obligimit ligjor për trajtimin e lëndëve të cekura më lartë, i njëjti ka kryer lëndë të tjera që nuk kanë qenë me prioritet sipas ligjit, për aq më tepër, gjykatësi Zeka gjatë periudhës kontestuese nuk ka mbajtur asnjë seancë për çështje kontestimore dhe nuk ka marrë asnjë vendim meritor, përveç disa lëndëve,për dhunë në familje.
Plani 6 pikësh i kryeministrit për asociacionin, propozim konkretLexoni edhe:
Sa i përket sanksionit disiplinor, në vendim thuhet se Këshilli i shqyrtoi me kujdes masat disiplinore të parapara me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe vlerësoi se në rastin e gjyqtarit Labinot Zeka, sanksioni vërejtje publike me shkrim dhe zvogëlim i përkohshëm i pagës për 40% për gjashtë muaj, është masë proporcionale në raport me shkeljen e bërë të gjyqtarit në fjalë. Sipas KGJK-së vendimi do të shërbejë si masë për disiplinimin e gjyqtarit dhe si preventivë për të ardhmen, lidhur me sanksionin disiplinor të shqiptuar nga KGJK, që e ka konfirmuar edhe Gjykata Supreme me vendimin e nxjerrë më 20 janar 2023, me ç`rast plotësisht me të drejtë, është refuzuar ankesa e paraqitur nga gjykatësi Labinot Zeka ndaj vendimit të lartcekur të KGJK-së.
Kështu që kjo masë e ndërmarr nga KGJK, duhet të shërben si rast, për të ashpërsuar akoma më shumë hetimet për mosveprimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve me kohë, për ta parandaluar bashkëpunimin e tyre më krimin e organizuar i cili paguan para të majme me marrëveshje sekrete për të gjitha rastet që zvarriten dhe arrijnë afatin për tu parashkruar dhe zhvlerësuar. Dhe për të treguar efektin e duhur, është e domosdoshme që kjo formë ndëshkimi, urgjentisht, të kalojë nga niveli i gjobitjes me masa materiale, në masa penale, të cilat duhet të shkojnë deri në përjashtim të gjyqtarëve të korruptuar dhe të instrumentalizuar nga krimi i organizuar, duke filluar pa vonesë, një proces të hershëm të pastrimit dhe fuqizimit të masave preventive deri me fillimin e zbatimit të VETTING-ut!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".