“Edil Sinani” fitues i 17 Shkurtit
Florim Zeqa
Festimi i 17 shkurtit, i 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ishte motivi i organizimit të shumë aktiviteteve të larmishme në Itali dhe të gjitha shtetet evro-perëndimore nga ana e mërgatës sonë. Përderisa shoqata dhe grupe bashkatdhetarësh organizuan koncerte dhe mbrëmje festive, një grup i të rinjëve kosovarë nga Rovato (Lombardia-Itali), më datën 19 shkurt 2023 organizuan një Turnir madhështor në Futboll të Vogël.
Garë në frymën e lartë sportive
Në Sallën e Sporteve në Rovato, në një ambient të bukur festiv, të ngrohtë dhe vëllazëror, të stolisur me flamuj kombëtar dhe të shtetit të Kosovës u zhvilluan ndeshjet kualifikuese mes 16 ekipeve pjesëmarrëse për finalen e madhe të turnirit në Futboll të Vogël për nder të festës Pavarësisë së Kosovës.
Turniri fillojë me intonimin e hymnit të shtetit të Kosovës, ndërsa më pas, organizatori Arbër Llugagjiu i përshendeti të gjithë të pranishmit në këtë aktivitet sportiv duke i falenderuar për pjesëmarrje, me ç’rast ekipeve garuese ju urojë suksese dhe lojëra të bukura gjatë këtij turniri.
Secila ndeshje ishte më e mirë sesa tjetra, secili gol më i bukur sesa tjetri, por ndeshja finale mes ekipeve Damar dhe Edil Sinani ishte një finale e bukur dhe e papërseritshme.
Me plot meritë vendin e parë në këtë turnir e rrëmbeu ekipi nga Treviso, Edil Sinani, i cili jo vetëm në finale, por në të gjitha ndeshjet demonstroj lojëra të bukura me shumë gola të shënuar, profesionalizëm dhe frymë të lartë sportive.
Sikurse çdo garë sportive që përfundon me një fitues, edhe ky turnir përfundoj me një fitues shumë të merituar, por në fakt fitues të këtij turniri janë të gjitha ekipet, të cilat me pjesëmarrjen e tyre e nderuan festën e pavarësisë dhe gjakun e dëshmorëve për lirinë e Kosovës.
Se vërtetë sportistët janë ambasadorët më të mirë të një vendi, janë turniret e Futbollit të Vogël të cilat po e dëshmojnë në vepër se janë ura lidhëse mes të rinjëve, të cilat rreth vetes po tubojnë me qindra pjesëmarrës, siq ishte ky në Rovato, ku përveq 16 ekipeve me nga 10 lojtarë (160 futbollist) të listuar pjesëmarrës në garë dhe stafit përcjellës (prej 5-10 persona), ndeshjet i përcjellen edhe rreth 500 futbolldashësh, numër ky i dëshiruar, por i paarritshëm për aktivitet e tjera mërgatës në këtë pjesë të Italisë.
Ndarja mirënjohjeve dhe shpërblimeve
Pas përfundimit të ndeshjes finale, Arbër Llugagjiu në emër të Këshillit Organizativ fillojë me ndarjen e mirënjohjeve dhe çmimeve për mysafirët e nderit dhe më meritorët për lirinë e Kosovës, veteranët e UÇK-së.
Me motivacionin, për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës, me mirënjohje u nderuan: Florim Lumi, Jetullah Bytyqi dhe Arton Berisha (veteran të UCK-së), Fadil Bajraktari (mysafir nderi, veprimtarë dhe organizatorë i shumë turnireve), Florim Zeqa (gazetarë) dhe Lulzim Fana (kameraman i RTV 21). Me mirënjohje u nderua edhe lojtari më i ri i turnirit, Meriton Bajraktari.
Vlenë për të përmendur sponsorët të cilët me mjete financiare e ndihmuan organizimin e këtij turniri; Fratelli Berisha SRL, Noli Ponteggi SRL, Edil Ponte SRL, Nove Coperture SRL, Grupo Mirsad, Vali Costruzioni SRL dhe Rino Pavimntazioni SRL.
Kur jemi në këtë segment të kontributdhënësve, vlenë të theksuar edhe ata që i mbuluan shpenzimet e darkës së organizuar pas përfundimit të turnirit; Vellezerit Berisha, Kastriot Thaqi, Arbnor Llugagjiu, Mirsad Jahaj, Noli Ponteggi dhe Adnan Podrimqaku.
Këshilli organizativ i shpalli dhe i nderoi me nga një Kupë lojtarin më të mirë, portierin më të mirë dhe golashënuesin e parë, si në vijim;
-Golashënuesi i parë, Fatmir Osmani,
-Lojtari më i mirë, Amir Imamoviq,
-Portieri më i mirë, Davide Vengieri.
Lojtari më i vjetër i këtij turniri ishte veterani i futbollit, portieri i ekipit “Edil Sinani”, z. Xhemajli Hajdaraj.
Pa dyshim momenti më kulmor i këtij aktiviteti sportiv, ishte ai i nderimit me nga një kupë dhe medalje për dy vendet e para:
-Vendi i dytë, kupë dhe medalje të argjendit për lojtarët e ekipit “Damar”,
-Vendi i parë, kupë dhe medalje të arta për lojtarët e ekipit “Edil Sinani”.
Kur jemi në këtë segment, duhet falenderuar edhe referin profesionist, Giammarinaro Nicola, i cili është meritorë për mbarëvajtjen e ndeshjeve të këtij turniri.
Ky shkrim do të mbetej i mangët pa i përmendur emrat e 16 ekipeve pjesëmarrëse:
1) Fratelli Berisha SRL,
2) Mirsad Group,
3) Antegnate,
4) Noli Ponteggi SRL,
5) Vali Costruzioni SRL,
6) Euro Ponte SRL,
7) Rino Pavimentazioni (Vicenza),
8) Nuove Coperture SRL,
9) A.R. Ponteggi,
10) Hotel Maderno,
11) Edil Sinani (Treviso)
12) Black Eagles (Bergamo),
13) Alpi Coperture,
14) Balaj Group,
15) Damar,
16) Edil Ponte.
Turniri në Futboll të Vogël për nder të ditës së pavarësisë së Kosovës, e dëshmoj se për të rinjët shqiptarë nuk është pengesë distanca e gjatë për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes tyre. Bie fjala, të rinjët nga Treviso dhe Rovato (Lombardia) ka vite që bashkëpunojnë mes vete, të cilët vajtje-ardhje i bëjnë edhe nga 600-700 km rrugë për t’u bashkuar në ditët e shënuara kombëtare dhe shtetërore për të festuar së bashku.
Përderisa sportistët janë dhe mbetën ambasadorët më të denjë të kombit tonë në perëndim, të rinjët janë gjaku më i pastër dhe arterja jonë më e shëndoshë kombëtare.
Pavarësia e Republikës së Kosovës është rezultat i sakrificës së shumë brezave, i rezistencës së gjatë paqësore dhe luftës së lavdishme çlirimtare.
Pavarësia e 17 shkurtit 2008 është e arritura më e madhe historike e shqiptarëve në këto 110 vjetët e fundit.
Krejt në fund ia vlenë për të theksuar se, kësaj radhe, këtë turnir e përcjellen dy televizione: Televizioni Diaspora me korrespondentin e rregullt nga Italia, gazetarin Florim Zeqa dhe RTV 21 me kameramanin e mirënjohur Luzim Fana i cili me kurreshtje të madhe dhe në mënyrë profesionale i përcjelli të gjitha ndeshjet e këtij turniri si dhe ndarjen e mirënjohjeve nga ana e organizatorit.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".