Vetëvendosje për serbët, vetë-menaxhim për shqiptarët!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Pas takimit maratonik të Ohrit mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, gjërat janë çartësuar akoma më shumë. Serbia e nxori atë që dëshiroj dhe për të cilën punojë parreshtur, kurse Kosovës si ngushëllim i mbeti dëshira për liberalizim të vizave, për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në UNESCO, por pa asnjë shpresë për t’u bërë anëtare e BE-së dhe pa ulëse në OKB.
Epilog i dhimbshëm për Kosovën
“Asociacioni nuk është vetëqeverisje e serbëve por është vetë-menaxhim dhe natyrisht që unë jam kryeministër i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim etnie andaj angazhohem jo vetëm për shqiptarët por edhe për serbët dhe pakicat e tjera”, ishte deklarata e Albin Kurtit pas përfundimit të takimit trepalësh në Ohër.
Mirëpo e vërteta është krejt ndryshe, e dhimbshme dhe e hidhur për Kosovën!
Serbia e nxori atë që deshi dhe e planifikojë prej kohësh, shtrirjen ekonomike dhe të sovranitetit politik në veri përmes Asociacionit dhe në brendi të vendit përmes komunave (enklavave serbe siq i quante Kurti në të kaluarën) serbe dhe zgjerimit territorial të kishave dhe manastireve, të fuqizuara me eks-territorialitet.
Por shtrohet pyetja, çfarë përfitojë Kosova nga plani franko-gjerman, i nisur me 27 Shkurt në Bruksel dhe përfunduar në Ohër më 18 Mars 2023!?
Nëse ju referohemi gjërave praktike dhe atyre që janë premtuar prej kohësh nga kryeministri aktualë, Albin Kurti, atëherë lirisht mund të themi se Kosovës i mbeti në dorë të “Trashtë e Surlës”; pa njohje reciproke, pa ulëse në OKB, pa kompensimin e dëmëve të luftës, pa kthimin e të pagjeturve, pa kthimin e artefakteve të vjedhura gjatë luftës, madje pa liberalizim të vizave dhe pa asgjë tjetër.
Kurse ato që i janë premtuar Kosovës në njërin nga nenet e marrëveshjes së panënshkruar janë më tepër çështje teknike që i përkasin lirisë së lëvizjes, siq janë; njohja e pasaportave, e targave, vulave doganore dhe diplomave!
Njohja “De Facto” nuk është njohje “De Jure”
Dallimi mes njohjes “De facto” dhe “De Jure” është tek legjitimimi i realitetit të krijuar në një territor të caktuar. Ndarja faktike e 25 viteve më parë e pjesës veriore të vendit tonë nga forcat ruso-franceze apo “Zajednicës” së nënshkruar 10 vite më parë në Bruksel nga dy ish kryeministrat tonë, po legjitimohet tani nga plani franko-gjerman i pranuar nga Albin Kurti pa marrë asgjë në këmbim. Lugina e Preshevës mbeti jashtë fjalorit politik dhe përfundimisht nën juridiksionin e Serbisë!
Gatishmëria e Kurtit për nënshkrim të Asociacionit dhe mosnënshkrimi i palës tjetër e dëshmojnë mjerimin dhe miopinë politike të kryeministrit të vendit tonë për ta ruajtur pak pushtet në gjysëm shtet.
Kirurgët evropian dhe ata perëndimorë në përgjithësi po e cilësojnë si të suksesshëm “operacionin” e Ohrit, kurse pacientit (Kosovës) më shumë plagë të hapura, i mbetën nëpër këmbë zorrët serbe nga të cilat do të pengohet përsektiva zhvillimore, integrimet evropiane dhe transatlantike të shtetit tonë dhe me të cilat do të shpenzojnë kohë dhe energji (mjete financiare) të gjitha qeveritë e ardhshme të Kosovës. Shqiptarëve u mbetet që të vetë-menaxhohen të vetmuar dhe të plagosur në shpirtë nëpër shtëpitë e tyre, kurse mërgimtarët do të treten të harruar nga shteti i tyre.
Pushteti i lartë në Kosovë do të jetë analog me vetëqeverisjen (vetëvendosjen) serbe dhe do të jetë i barasflefshëm me pushtetin lokal në tërë territorin e Kosovës, pa të drejt mbikëqyrjeje të Asociacionit serb dhe pa asnjë lloj menagjimi të kishave dhe manastireve serbe. Tani e tutje do të vazhdojë beteja politike për pushtet në gjysëm shtet, pasi gjysma tjetër na shkoi për lesh!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".