Fundi i paralajmëruar i getoizimit!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Fshatra të tëra kanë mbetur pa banorë, shkollat e boshatisura nga nxënësit në zonat rurale kanë filluar të mbyllen, për çka mësimdhënësit janë duke mbetur pa punë, ku më pas, edhe ata po vrapojnë pas nxënësve të tyre në perëndim!
Liberalizimit të harruar të vizave po i vjen fundi
Paralajmërimet nga BE-ja për liberalizim të vizave në Janar të vitit 2024 do t’i gëzohen vetëm të moshuarit e mbetur në Kosovë, ngase deri atëherë aq pak të rinjë do të mbesin saqë “Liberalizimi” apo lëvizja e lirë do të jetë sa e pa vlerë dhe e pa nderë nga bashkësia ndërkombëtare, e cila na mbajti të ngujuar dhe të getoizuar, sikur ne shqiptarët të ishim shkaktarët e të gjitha të ligave dhe vuajtjve të popujve të tjerë, sikur të ishim shkaktarët e të gjitha luftave në ish Jugosllavi!
Në janarin e vitit 2024, në vend të falenderimit, BE-së duhet t’i themi, turpi të mbuloftë sa vuajtjet, mundimet dhe skakrificat na i shkaktove, sa pritjet e gjata dhe maltretimet para ambasadave, sa hidhërimet dhe shpenzimet kur na ktheve pa na i dhënë vizat pa asnjë justifikim ligjor, pa asnjë kërkimfalje njerëzore për kohën e humbur dhe koston e lartë të dokumentacioneve të përgatitura së koti.
Turpi dhe mallkimi për të gjitha shtetet e BE-së do të bie nga të gjithë ata të rinjë dhe të reja shqiptare që paguan me mijëra euro për blerjen e vizave në mënyrë ilegale të lëshuara nga kancelaritë e përfaqësive tuaja diplomatike në Prishtinë!
Në vend të falenderimit për zyrtarët e BE-së
E tani, kur kanë mbetur fare pak të rinjë në Kosovë dhe janë duke u zvogluar kërkesat për viza, ju zyrtarë të BE-së keni filluar të tregoheni zemërgjërë me “Liberalizim” të vizave, jo për t’na ndihmuar dhe për t’na nderuar ne, por për të mbuluar turpin tuaj dhe për të mbuluar tregun e punës në vendet e juaja me ata pak të rinjë të mbetur në Kosovë.
Zyrtarët e BE-së sikur ta kishin pasur qëllimin e mirë për të na ndihmuar, e kanë pasur fare të lehtë, ngase i tërë territori i Kosovës është sa një rajon i vogël në shtetet perëndimore, apo përkthyer në numra, një qytet mesatar i secilit shtet evro-perëndimor ka më shumë banorë sesa krejt Kosova.
Andaj, meritat për zbrazjen e Kosovës nga popullata e saj në radhë të parë i ka klasa politike vendore e cila nuk bëri asgjë për mirëqenjen e qytetarëve, por edhe ju që e ndihmuat krijimin e një situate të pashpresë në Kosovë. Përderisa politikanët i pajisnit në vijimësi me viza diplomatike në çdo kohë, sekserët e tyre i pajisnit me viza turistike orar e pa orar pune, kurse në të njëjtën kohë i ndëshkuat qytetarët e rëndomtë të këtij vendi!
Përfaqësitë diplomatike u shndërruara në biznese fitimprurëse për matrapazët, të cilët, me shitjen e vizave dhe termineve për to, janë njerëz të lidhur me grupet mafioze dhe me partitë e inkriminuara politike në pushtet dhe opozitë.
Përderisa në të kaluarën, BE-ja mosliberalizimin e vizave e kushtëzonte me përmbushjen e qindra kushteve të arsyeshme dhe të paarsyeshme, paralajmërimi i heqjes së vizave pa asnjë kusht për qytetarët e Kosovës i vërteton edhe prapaskenat e tjera që janë përgatitur në emër të liberalizimit të vizave.
Na detyruat të falim krime dhe të dhurojmë tokë në emër të liberalizimit të vizave!
Pse vetëm shqiptarët, në veçanti Kosova u desht të paguaj çmim kaq të lartë për një të drejt universale që e gëzojnë të gjithë popujt në kontinentin evropian?!
Përgjigja është e thjesht, ne nuk patëm liderë të përgjegjshëm shtetërorë, ju i shfrytëzuat ata dhe vepruat me hipokrizi kundër nesh!
Pasi e zbrazët Kosovën, e shkretnut dhe e varfëruat skajshmërisht, si "shpërblim" po na sjellni liberalizimimin e vizave! Ju zyrtar perëndimor, mos mendoni se ne shqiptarë hamë bar. Ne do t’ju ishim mirënjohes dhe falenderues sikur t'na ndihmonit me investime kapitale në zhvillimin e vendit. Andaj, nuk kemi pse të ju falenderojmë që na i moret të rinjët tanë, i morët shpirtin Kosovës së martirizuar ndër shekuj.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".