Kujtesa e dhimbshme historike: Bllacë 1999!
Nexhat Haziri
Shkruan: ANALISTI - Nexhat Haziri
-Është e pafalshme që edhe pas 24 viteve, 15 vite të shtetësisë së Kosovës, nuk kemi një çmim dedikuar shqiptarëve të Maqedonisë Veriore, për t’ua njohur kontributin e tyre historik në ndihmë shqiptarëve të përndjekur nga Kosova që po deportoheshin nga policia dhe ushtria serbe drejtë Maqedonisë së Veriut, e që ishin mbajtur me ditë dhe net të tëra në zonën kufitare “Bllace” nga autoritetet maqedone për t’i penguar që të depërtonin brenda Maqedonisë së Veriut.
Mobilizimi i shqiptarëve në Maqedoni ishte i pashembullt, ata do ta sfidonin forcimin ushtarak të kufirit nga regjimi maqedonas,për të arrit deri te çdo shqiptar i Kosovës për t’ia shtrënguar dorën, për t’ia ndarë një bukë, një shishe ujë, një batanije, për t’i kaluar fshehurazi në Maqedoninë e Veriut të sëmurit, të plagosurit, për t’i inkurajuar dhe për t’iu dhënë shpresë, se nuk ishin të braktisur nga vëllezërit e gjakut, por ishin dhe do të jenë bashkë për ta kaluar këtë vuajtje biblike.
Duhet po ashtu , ta njohin meritën e Menduh Thaçit, kryetarit aktual të PDSH-së i cili bëri që Maqedonia ta hapte kufirin për të kaluar refugjatët shqiptar nga Kosova, duke e kërcënuar hapur qeverinë e Ljubço Georgievskit në atë kohe. Andaj si qytetar i Kosovës, do t’i propozoja Presidentes Vjosa Osmanit që në vitin e ardhshëm, në përvjetorin e kujtimit të eksodit “Bllaca ‘99” të ndaj një çmim për shqiptarët e Maqedonisë Veriore për kontributin e tyre historik.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".