Klerikët e paqes së pa arritur

Klerikët e paqes së pa arritur
Klerikët e paqes së pa arritur

Shqiprim Pula

  • 25 April 2023 - 13:23

Shkruan: Shqiprim Pula

 -Një maksimë latine thotë; për t'i dhënë problemit zgjidhje, problemin duhet ta njohësh dhe kuptosh. Në kontekstin historik, që kur Kosova u la jashtë Shqipërisë londineze, si dhuratë për sllavët, përgjatë një shekulli kishim klerikë që Kosovën nuk e 'njohën' por kishte klerikë që edhe nuk e 'kuptonin' si problem!. 

Disa etapa; që më 1918 Kosovës ju dha njëtrajtshmëria me sllavët e Jugut. Në Shkurt 1945, në Beograd, nga udhëheqja e Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ), u vendos që Kosova t'i bashkëngjitej Serbisë, e më pas në Korrik 1945, në Prizren, u mblodh një grup i quajtur, këshilli popullor i Kosovës dhe i rrafshit të Dukagjinit, që i referohen edhe si “Kuvendi i Prizrenit”, ku, nga të gjithë pjesëmarrësit, diku 30 prej tyre ishin Shqiptarë, ku u proklamua vullneti "gjoja" i popullit të Kosovës që të jetë me Serbinë. Në Janar 1946, kushtetuta e Republikës Federative Popullore e Jugosllavisë (RFPJ), përcaktoi Kosovën si territor autonom brenda Serbisë.

Në Shkurt 1974, u miratua kushtetuta e Republikës Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSFJ), e cila i ofroi Kosovës atributet e një republike por jo edhe emrin republikë. Apo, thënë ndryshe, Kosovës, ju njoh emri por jo edhe mbiemri. Në Mars 1989, autoritetet serbe përmes veprimeve kundër kushtetuese suprimuan statusin e Kosovës si njësi konstituive e Jugosllavisë, sërish duke e vendosur dhunshëm Kosovën si territor me popullatë shumicë Shqiptare, nën Serbi. Në Korrik 1990, nga Shqiptarët shumicë të Kosovës u nxor Deklarata e Pavarësisë, e më pas në Shtator 1990 nxjerrin Kushtetutën, që përcakton Kosovën si Republikë, madje, në nenin 1 të kësaj kushtetute ka një përkufizim; "Republika e Kosovës është shtet demokratik i kombit Shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve dhe pakicave që jetojnë në Kosovë".

Kështu, krijesa artificiale e quajtur Jugosllavi, u shthur edhe me front luftimesh ushtarake ndërmjet ish-njësive federative, me luftën e Kosovës si të fundit. Por, e gjitha, në tërësinë e etapave politike është histori e aspiratës Shqiptare për mëvetësi dhe për ribashkim me Shqipërinë. Pas përfundimit të luftës Kosovë-Serbi, në Qershor 1999, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, nxori rezolutën 1244 e cila jo vetëm se ka përkufizime të përgjithësuara por edhe të çuditshme si p.sh., njeh vetëqeverisjen substanciale brenda Jugosllavisë, nuk njeh burimin shekullor por vetëm pasojat e problemit e po ashtu nuk përcakton afat kohor të efektivitetit të rezolutës!. 

Po për çfarë ndodh ky gllabërim e përvetësim, nga sllavët e "Nova Rusia" çdo gjë Shqiptare?

Që kur perandoria otomane, tokat Shqiptare i kishte ndarë në vilajete për t'u administruar si të ndara ndër-Shqiptarë, por nën portën e lartë, deri në kapitullim dhe largim të tyre; nga Serbët fqinjë u rishfaq apetiti gllabërues e përvetësues, me frymën "sllavizmi nuk përfundon askund ..." i realizuar brenda konturës "Nova Rusia" por me aktorë të ndryshëm kohor. Ishin, pretendimet territoriale shekullore sllave për 'tokën e shenjtë', për 'identitetin kishtar', për 'ekzistencë kombëtare' dhe jo vetëm, kjo, bëri që të jetë prej kohësh një nga problemet më të vështirët në botë. Fshirja e plotë e vendbanimeve, toponimeve dhe e emrave me identitet Shqiptar, ka treguar ekzistencën, gjuhën, historinë tonë të hershme. Kishat tona Arbënore-Shqiptare, të përvetësuara e prezantuara si serbe-sllave, po ashtu tregon se deshën ta fshijnë plotësisht identitetin Shqiptar. Në vitet 1921, 1931, 1948 dhe 1953 kur ishte bërë regjistrimi i popullsisë së Jugosllavisë, identiteti kombëtar Shqiptar paraqiste problem, por jo ai mysliman!.

Atëherë, madje, shkruhej se numri i popullsisë i rritur në bazë të shtimit natyror është manipuluar dhe të dhënat mbi Shqiptarët nuk përkonin me realitetin fare. Sllavët, edhe mund të quhen një qytetërim si vlerë ndryshe, por kjo vlerë nuk ishte e pranuar për ne Shqiptarët, andaj, çdo herë e në çdo kohë u kemi thënë jo. 

Përpjekja diplomatike e kufizuar në "normalizim" si zgjidhje?

Diplomacia e dekadës së fundit e udhëhequr nga UE-ja, e fokusuar në zgjidhjen e çështjeve fondamentale përmes "normalizimit" duket të jetë e kufizuar. Serbia me ndërhyrjen e paprecedent në veriun e vendit, duke e aneksuar politikisht dhe institucionalisht nga autoriteti qendror i Prishtinës zyrtare, për vite, ka rivendosë një epërsi të saj të dikurshme, në marrëdhëniet ndërkombëtare bashkëkohore, duke sfiduar rendin dhe çdo lloj kërkese të Unionit Evropian, emisarëve të saj dhe të tjerëve ndërkombëtar!. Nëse Serbia, tolerohet tej mase në një horizont veprimi si kërcënues i paqes, ajo, po e ripërcakton dukshëm rolin e saj në gjeopolitikën rajonale, duke realizuar marrëveshje ushtarake në marrjen e sistemit raketor Rus e dronëve Kinez. Prandaj, dinamika e rolit të saj destruktiv ndaj vende fqinje, e posaçërisht Kosovës, dhe në zgjerim kundrejt luftës në Ukrainë, sa bëhet i dukshëm roli i saj kërcënues për të blerë përqafimin e faktorëve ndërkombëtar.

Serbia e rishfaqur si forcë për t'u pasur në konsideratë, përkundër ndërhyrjeve të paprecedent në realizim të interesave gjeopolitike sipas kornizës së "Nova Rusia" lidhur me çështjet strategjike kombëtare, kishtare-sllave; disa faktorë ndërkombëtar i ka shtyrë 'heshturazi' ta mbështesin atë. E në rrethet e studiuesve të 'Think Tank' për siguri ndërkombëtare, së fundmi, përmendet se, Serbia ka shprehur interesim për rotor nuklear me Rusinë e me furnizim uraniumi nga Kazakistani!, fatkeqësisht. Klerikët e Brukselit zyrtar dhe ata ndërkombëtar, po e respektojnë fuqinë e jo drejtësinë në raport me Kosovën dhe çështjen Shqiptare. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".