Prot(f)estat në Veri!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Protestat e serbeve në veri tashmë kanë hyrë në javën e tretë dhe kanë marrë përmasat tragjikomike për Kosovën. Ato filluan në menyrë të vrullshme dhe të dhunshme ndaj forcave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave, per t'u kthyer se fundmi në protesta paqesore dhe festë njëkohësisht!
Prot(f)esta e serbëve në kundërshtim me vendimet e ‘Qeverisë së Kosoves’
Në fillim u përleshën dhunshëm me KFOR-in, por tani, duket sikur e kanë gjetur mirëkuptimin me ta, me ç’rast gjatë ditës zhvillojnë edhe aktivitete sportive me pjestarët e KFOR-it, të cilëve serbët ju ofrojnë edhe pije freskuese.
Kësaj çfarë po ndodhë tani nuk i thuhet më proteste por puro festë në perballje me qeverinë e Kosovës. Festa çdo herë është shenjë e fitores e jo e humbjes. Kur festohet nuk protestohet!
E quajta kështu për faktin se serbët protestën e kthyen në fitore politike të tyre dhe jo vetëm.
Nuk ka si të mos jetë ndryshe, kur BE dhe SHBA e trajtojnë Serbinë partnere në bisedime, e në të njëjtën kohë Kosovën e konsiderojnë jo bashkëpunuese, kurse kryeministrin e vendit e tonë e konsiderojnë destruktiv dhe të padëshiruar në bisedime!
Kjo është një situate tejët e palakmueshme për Kosovën.
Pozicionimi i kryeministrit tonë kundër rekomandimeve të miqve ndërkombëtarë, në veçanti SHBA-së, ka bërë që këta të fundit të përgatisin sanksione të reja kundër shtetit të Kosovës!
Sanksionet në ardhje ndaj Kosoves janë produkt i një hendeku të paparë politik mes Kosovës dhe SHBA-ve.
Situatë e rëndë dhe sfiduese për Kosovën
Situata është më serioze saqë mendohet. Përafrimi i BE-së me Serbinë nuk është risi dhe as befasi, por befasi dhe papritur mbetët përafrimi i SHBA-ve më shtetin të cilin 24 vitë më parë e bombarduan për ndaljen e dhunës dhe gjenocidit serb në Kosovë.
Kjo bëhet akoma më zhgënjyese për Kosovën, kur dihet se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuqiq ishte ministër dhe këshilltarë i parë i Millosheviqit 24 vite më parë, atëherë kur makineria vrastare e tyre kryente krime dhe masakra gjithandej Kosovës.
Ky ndërrim i kursit politik për 360° i SHBA-ve, aleatit numër 1 të Kosovës, përveq ndërrimit të rrethanave gjeostrategjike pas luftës në Ukrainë, është produkt edhe i gjuhës së ashpër dhe aspak diplomatike të kryeministrit Albin Kurtit në raport me amerikanët, i cili e injoron sekretarin e shtetit amerikan dhe jo vetem, i kundërshton të gjitha propozimet e tyre dhe i kundërshton të gjitha rekomandimet ambasadorëve të shteteve të Quint-it të akredituara në vendin tonë, dhe as që i merr në konsideratë emisarët evropian dhe amerikan si ndërmjetës të dialogut me Serbinë në Bruksel.
Na mbetet të shpresojmë që kryeministri ynë të këndellet 5 minuta para orës 12 për të mirën e shtetit të Kosovës, duke i pranuar të gjitha rekomandimet e mira të SHBA-ve, në të kundërten, Albin Kurti me kryeneqësinë e tij do t’i shkaktojë dëmin më të madh historik, e ndoshta të pariparueshëm në këtë fazë kritike nëpër të cilën po kalojmë si shtet.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".