Sakrifikimi në emër të Zotit virtyt i çdo myslimani
Afrim Tahiri
“Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve!” (El En’am, 162)
Nga Afrim Tahiri
Të dashur besimtarë, motra e vëllezër myslimanë!
Sot kemi festë! Fetsojmë Kurban Bajramin, përkujtojmë momentin dhe gatishmërinë për sakrifikim të më sublimes, të më të dashurës së qenies sonë si dhe, nga ana tjetër, ndërmendemi për bekimin dhe begatinë e sigurt që vjen nga i Madhi Zot për sinqeritetin e patundur në besim dhe devotshmëri, në përulje dhe në madhërim të Krijuest tonë.
Çdo veprim i mirë dhe human që bëhet për hirë të Zotit Fuqiplotë kthehet në Mëshirë dhe Mirësi, kthehet në harmoni dhe dashuri, në mirëqenie dhe prosperim. Këtë e garanton Krijuesi ynë dhe për këtë kemi shembullin më tipik, ngjarjen e Hazreti Ibrahimit a.s.
Të dashur besimtarë!
Zoti Mëshirëplotë nuk kërkon pej nesh që të therrim kurbanin në emër të sakrificës që i dedikohet Atij! Myslimani i denjë është i obliguar që në emër të Zotit të vet të sakrifikojë në çdo sekond, në çdo minut, orë, ditë, muaj, të jetë besimtar i devotshëm që sakrifikon gjatë tërë jetës së vet! Dhe, sakrifikimet bëhen pa interes personal, sepse bëhet në emër të Krijuesit. A ka sakrifikim më të denjë se sa të heqësh dorë nga interesat meskine, të heqësh dorë nga një e mirë personale në emër të së mirës së përgjithshme, të heqësh dorë nga një mundësi përmes së cilës e mban peng rehatinë dhe prosperimin e shoqërisë. Zoti nuk e kthen në mëshirë e në mirësi përkushtimin dhe angazhimin personal që sjell veç dëm për një shoqëri të tërë. I mirë dhe i devotshëm është vetëm ai që çdo lutje të veten, çdo veprim të vetin që e bën, e bën për ta arritur kënaqësinë e të Madhit Zot dhe jo për ta realizuar një kënaqësi të dobët. A ka nga ata që mundohen ta mashtrojnë Allahun e Gjithëdishëm? Ka, meqë për këtë mëkat flasin edhe ajetet kuranore (El Bekare, 8,9): “Ka disa njerëz që thonë: “Besojmë në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit!”, por në të vërtetë ata nuk janë besimtarë. Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, por në të vërtetë mashtrojnë vetëm vetveten, megjithëse nuk e ndiejnë.”
Motra dhe vëllezër myslimanë!
Kurani na mëson se tek Allahu nuk arrinë as mishi dhe as gjaku i kurbanëve, por tek Ai arrinë përkushtimi ynë! Duhet ta kemi të qartë se kurbanët që i therrim i kemi dhuratë prej Tij, që të hamë e të ushqejmë të varfër e skamnorë. Pra, nga Mëshira dhe Mirësia e Tij të shtojmë veprat tona humane. I varfëri, skamnori, i ngrati, jetimët jo domosdoshmërisht kanë nevojë për mish, porse ata kanë nevojë për dashurinë tonë, për respektin tonë, për veprat tona të mira e të përhershme, për angzhimin tonë që me ta të jemi natë e ditë. Mjer ai besimtar që përpiqet të përfitojë personalisht duke u shtirur si i devotshëm e human! Të tillët janë të mallkuar e do të jenë të zhdukur.
Pra, sakrificë është edhe të heqësh dorë nga një mundësi personale që ta ka falur Zoti dhe ta bësh të gëzuar, të lumtur, t’ia miklosh shpirtin një të varfëri, një skamnori, një jetimi.
Motra e vëllezër! Mosh shtroni sot sofrën e Bajramit pa e përkujtuar skamnorin që e keni fqi, në familje të gjërë apo që e njihni dhe, do ta arrini kënaqësinë e Allahut xh.sh. nëse do t’ia begatoni sofrën festive edhe këtij skamnori. Sot është çasti për të falur vetëmse dashuri të sinqertë, përqafime, për ta shtrirë dorën e humanizmit; është çasti për t’u përkujtuar se vetëm kështu na do dhe na ndihmon Krijuesi ynë.
Besimtarë të dashur, ju ftoj që të lutemi edhe për haxhilerët tanë, t’i përmbushin sa më lehtë obligimet e këtij kushti islam dhe, Zoti Mëshirëplotë ua pranoftë të gjitha lutjet që po i bëjnë në ata vende të shenjta.
Për shumë mote gëzuar Festën e Kurban Bajramit! Paçi bekimin e Allahut Mëshirëplotë!
(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma të BFI-së)
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".