Gjuha denigruese e parlamentarëve në Kosovë e Shqipëri, është më shumë pasqyrë e personaliteti, se sa “reklamë” partiake e ideologjike!

Gjuha denigruese e parlamentarëve në Kosovë e Shqipëri, është më shumë pasqyrë e personaliteti, se sa “reklamë” partiake e ideologjike!
Gjuha denigruese e parlamentarëve në Kosovë e Shqipëri, është më shumë pasqyrë e personaliteti, se sa “reklamë” partiake e ideologjike!

Fadil Maloku

  • 15 July 2023 - 11:59

Shkruan:Sociologu - Fadil Maloku

 Me gjuhen aktuale denigruese e irrituese, shumica e deputeteve të Kosovës e sidomos ata të Shqipërisë (pa dallime partiake), as që e meritojnë statusin e të qenit përfaqësues legjitim të qytetarisë shqiptare! Një ad hoc analizë sociologjike, na shti të mendojmë, se ka ca arsye të forta që të njëjtit të sillen me këtë sfond të (pa)njohur social.

1. Arsyeja e parë dhe kryesore, mendoj unë, se DISA prej tyre as që e kanë të qartë se përse gjenden dhe përse votojnë e debatojnë aty! Të njëjtit, në  vend të AVOKATISË qytetare në shumicën e rasteve janë shndërruar vetëm në makineri votimi e në figura shahu të “shefit” të tyre partiak;

2. Arsyen e dytë, duhet kërkuar te një standard tjetër (padyshim shumë joshës, por, padyshim absurd!) djalli që tashmë është ngulitur në (shumicën e legjislaturave) aulën e komunikimi ndër parlamentar, se të qenit deputet i Parlamentit, përveç pagës enorme gëzon edhe (VIP) privilegje e imunitet jo ekuivalent me pozitat tjera publike, në dy shtetet shqiptare;

3. Arsyen e tretë, duhet kërkuar tek sistemi (korruptues) zgjedhor që në vazhdimësi është duke “prodhuar” kryesisht deputet; infantil, mediokër, matrapaz…që lëre që s’i lexojnë fare as ligjet, as amendamentet, e madhe as projekt propozimet kuvendore, por, votojnë me inercion (klanor) sikurse i gjithë subjekti i tyre parlamentar;

4. Arsyen e katërtë, padyshim duhet kërkuar te handikapi i injorancës, ku dobësitë dhe komplekset e tyre: personale e profesionale, mëtojnë t’i kamuflojnë ekskluzivisht përmes zhurmës, kakofonisë, etiketimeve, dhe gjuhës (garuese!) irituese e denigruese. Dhe atë çka është më e rëndësishme; jo përmes kundërshtarëve të tyre ideologjik,(shkaku se nuk udhëhiqen dhe nuk i përkasin asnjë kodi etik ideologjik!) por, përmes klaneve dhe institucionit të fisit (lexo; Kanunit!?);

Në fakt, këtu kemi të bëjmë jo vetëm me kompleksin e inferioritetit dhe mjerimit të tyre social (se ai politik, po detektohet nga helikopteri!), por edhe me prirjet për mashtrime e dredhi djallëzore që në fakt, nuk mund të themi se janë as inventive e as dobiprurëse për shtetin e kombin! Ato, siç edhe mund të konstatohet nga shumica e rasteve (kur debatohet për ligjësi e sundim të ligjeve) konsistohen vetëm si copy paste, e propozimeve, ideve apo iniciativave që vijnë nga subjekti (e jo kompromisi i debateve të gjata me subjektet tjera!) përkatës partiak.

Them kështu, ngase, misioni, roli dhe imperativi i aulës parlamentare nuk janë kakofonia, gjuha e ashpër dhe urrejtëse, e as denigrimi e fyerja, e aq më pak mësymja fizike, por, janë: debati, kompromisi, interesi publik dhe utilitarizmi qytetar. Shikuar me “dioptri” sociologjike, fitohet përshtypja se; ky soj deputetësh (pa i nda fare nga ata të Shqipërisë) me këtë gjuhë, e me këtë qasje drithëruese e impotente ndaj qytetarisë (tashmë në një nivel shumë më të avancuar dhe më të emancipuar!) nuk gjendet fare në “tokë të bukës”!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".