Në emër të lirisë dhe demokracisë Shtetit të Kosovës po i tundet temeli!...
Ismail Muçiqi
Shkruan: Gazetari - Ismail Muçiqi
Historia në mëson se egoja e politikanëve, e liderëve, e bajraktarëve, e dilingjive i ka sjellë dëme të mëdha kombit Shqiptarë. Nga përqarjet, gabimet dhe dështimet e tyre çmimin e ka paguar populli i pafajshëm. Rrethanat e tanishme dhe zhvillimet që po ndodhin në Republikën e Kosovës po shkojnë në atë drejtim duke i rrezikuar të gjitha të arriturat në ndërtimin e shtetit ligjorë dhe demokratik. Më thotë mendja se klasa politike ishte dhe është ajo e cila për shkak të egos për të parin (bajraktar) po rrezikon që Kosova të shndërrohet në bure të barutit, duke nxitur konflikte vëllavrasje mes veti. Është lehtë të thirresh liri dhe demokraci të një shoqërie të papjekur, e të pa arsimuar, të pa edukuar larg emancipimit që e kërkon koha. Vlimet që po zhvillohen nga të gjitha anët kundër themeleve të shtetit, kundër institucioneve, kundër vlerave morale dhe njerëzore, duhet që sa më parë tu ndalet hovi në mënyrë që pasojat e të keqes të parandalohen.
Shteti po sfidohet nga brenda dhe jashtë. Kështu po sfidohet në vazhdimësi nga serbia, me përkrahjen e Rusisë dhe armiqve tjerë të Kosovës. Në anën tjetër zhvillimet e brendshme të grupeve të interesit të rrymave më të ndryshme destruktive, që dalin nga kazani i partive politike, përmes formave dhe veprimeve destruktive po punojnë në drejtim të rrënimit të shtetit dhe ardhmërisë së vendit. Ngjarjet e fundit në Parlamentin e Kosovës e treguan fytyrën e vërtetë të partive politike të cilat thirren në emër të popullit, por nuk kanë asnjë vlerë apo nuk kanë asgjë të përbashkët me sistemin demokratikë apo me vlerat e parlamentarizmit. Shoqërinë Kosovare e ka mbuluar amullia dhe pasiviteti, indiferenca gjendje kjo e cila nuk lenë shumë shpresë se nesër do të bëhet më mirë.
Profili i njeriut politikanë, (intelektual?) apo akademikë u pa në mbledhjen e fundit të Parlamentit këta protagonistë ishin me tituj të lartë të shkollimit të arritur pa dije pa meritë shkelë e shko, pa edukatë dhe integritet, duke e turpëruar Shtetin e Kosovës dhe qytetarët në arenën ndërkombëtare. Të gjitha këto që i thamë më lartë paraqesin rrezikë për ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha ndër njerëzorë ndërmjet njerëzve duke shkelur mbi ligjin dhe normat tjera kushtetuese të një shoqërie me vlera demokratike.
Është e pa kontestueshme se kësaj gjendje nxitëse po i ndihmojnë disa mjete të informimit, përkatësisht disa televizione private në krye me moderatorët permanent të cilët përmes telefonit i thërrasin njerëzit duke përdorur fjalor nxitës në acarimin e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve. Kjo mënyrë e politikës editoriale nuk ka asgjë të përbashkët me etikën e profesionalizmit të gazetarisë. Andaj ka ardhur koha që populli i Kosovës të gjejë rrugë dhe mënyra për ti tejkaluar vështirësitë dhe problemet duke i bojkotuar këto figura politike të cilat që nga pas lufta bëjnë rotacion permanent në institucionet e shtetit. Qka është mjaft mjaft!...
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"