Veriu i Kosovës dëshmi që flet me faktet për shtet me sovranitet

Veriu i Kosovës dëshmi që flet me faktet për shtet me sovranitet
Veriu i Kosovës dëshmi që flet me faktet për shtet me sovranitet

Gani Qarri

  • 04 August 2023 - 07:37

 

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Të gjitha raportimet e medieve vendore e ndërkombëtare nga veriu i Kosovës, bëjnë me dije, se pas forcimit të masave të sigurisë dhe shtimit të policisë së shtetit atje, dyqanet në veri të Kosovës, për herë të parë, janë pa produkte nga Serbia të cilat në këtë pjesë të territorit të vendit kanë depërtuar kryesisht duke u kontrabanduar në kooketim të ngushtë të ish udhëheqësve shtetëror me bandat kriminale të Radojçiqit! Kjo flet më tepër se mjaftueshëm, madje edhe me fakte tepër bindëse, se ishin vetë ish pushtetarët e inkriminuar, ata që qëllimisht e kishin lejuar kontrabandën dhe krimin e organizuar në veri, të cilët asnjëherë nuk kishin provuar seriozisht për ta vendosur rendin e ligjin dhe ta parandalonin kontrabandimin e mallrave serbe, sikur që po ndodhë tani në Qeverinë aktuale, me shkëputje të plotë të kanaleve të kontrabandës nga rrjetet e krimit të organizuar!

-Në pamundësi të kontrabandimit të mallrave përmes kufirit Kosovë-Serbi, tregtarët në veri të Kosovës tanimë u janë kthyer plotësisht rregullave ligjore, duke i zëvendësuar produktet e Serbisë me furnizime nga prodhues legal prej Kroacisë, Bosnjës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

Pra, për herë të parë, në krejt periudhën e pasluftës, në komunën e banuar kryesisht me pjesëtarë të pakicës serbe në Mitrovicën veriore, nuk ka më, produkte nga Serbia fashiste, madje, po-ashtu, për herë të parë, po ndodhë në masë, kaq të madhe, mungesa e produkteve serbe edhe në komunat tjera të Kosovës ku në fakt flitet shqip.... Ky hap rezultoi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës më 14 qershor 2023, për kontrollin më të rreptë të kufirit dhe parandalimin e kontrabandës të mallrave nga Serbia në veri të Kosovës, për shkaqe të sigurisë shtetërore. Vendim i Qeverisë së Kosovës erdhi pas kidnapimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat kriminale serbe, brenda territorit të shtetit të Kosovës ku ata u rrëmbyen, në mënyrë banditeske, duke shkelur në mënyrën më cinike të mundshme edhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës. Prandaj ashtu siç edhe ishte paralajmëruar me kohë, ky vendim u ndërmor nga Qeveria e Kosovës, pikërisht për arsye sigurie e jo ekonomike dhe përderisa të vijojë gjendja e tillë e brishtë, as që dihet se sa do të qëndrojë në fuqi. Përndryshe kjo nuk është hera e parë që autoritetet e Kosovës marrin vendim për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia dhe vendosjen e taksave për to, por deri me ardhjen e Qeverisë Kurti, në veri të Kosovës janë përdorur gjithmonë të ashtuquajturat “rrugë alternative” për import të lirë dhe kontrabandë të papenguar të mallrave nga Serbia në kooketim të vazhdueshëm me ish pushtetarët e inkriminuar të qeverive të kaluara. Kurse tani Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e shtetit, kanë zhvilluar disa aksione vendimtare kundër kontrabandës me mallra duke mbyllur “rrugët alternative” të ngritura enkas nga bandat kriminale për kontrabandë mallrash, armësh e gjërave të tjera kundërligjore, nga Serbia, rrugë të cilat tanimë mbahen nën kontroll të rreptë të Policisë së Kosovës. Kështu që, pa e zgjatur më shumë, vet ky fakt e dëshmon katërçipërisht se shteti funksionon vetëm nëse ekziston vërtetë, vullneti i pushtetit për ta ndërtuar dhe organizuar si duhet çdo segment të tij, mbi bazën e ligjit dhe të kushtetutës, duke mos provuar të përfitojë nga bashkëpunimi kriminal i grupeve të interesit në pushtet, me bandat kriminale serbe dhe nëntokën e krimit të organizuar!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".