Animi kah e keqja e jo kah e mira!
Florim Zeqa
Shkruan: Florim Zeqa
Historia e Re për shqiptarët e Kosovës konsiderohet periudha e viteve të 89-90-të e këndej, e cila ndërlidhet me hapjen e proceseve demokratike dhe lëvizjen politike mbarëpopullore (LDK) për liri, pavarësi dhe demokraci në krye me liderin shpirtërorë, presidentin historik, Ibrahim Rugova, i cili me filozofinë e tij paqësore u bë sinonim i besës dhe shpresës së shqiptarëve të Kosovës dhe jo vetëm.
Manipulimi i kastave politike me njerëzit e pakurrizorë
Tendenca e disa shpirtëzinjëve për injorimin e vlerave të mirëfillta kombëtare dhe njerëzore është vetëvrasje kombëtare, e cila për qëllim ka kthimin prapa nga demokracia në diktaturë të proletariatit, të ndarjes dhe përçarjes së njerëzve në baza ideologjike dhe fetare, të cilët si qëllim të fundit e kanë kthimin e antivlerave dhe eleminimin e vlerave sublime, zhdukjen e traditës, dokeve dhe zakoneve tona shekullore.
Përmes njerëzve servil dhe të paarsimuar, pa traditë të shëndoshë familjare dhe pa taban kombëtar, e në veçanti me servilët dhe pakurrizorët kastat politike e kanë më të lehtë të manipulojnë dhe të vijnë në pushtet pa asnjë meritë personale. Të tillët e kanë qëllim vetëm pushtetin, por jo edhe shtetin dhe interesin e qytetarëve.
Nga fëmijëria më kujtohen disa nga thënjet e pleqve, si; “Vakti e ha kashtën”, “Edhe i ligu e ka ditën e vet”, etj. Thënje të vërteta që përkojnë plotësisht me realitetin e krijuar në Kosovën e pasluftës. Thënje këto që i kanë përdorur etërit tonë si ngushëllim për pamundësinë e ndryshimit të realitetit të krijuar gjatë pushtimeve të gjata barbare.
Ndërsa sot, kur jemi të lirë dhe në shtetndërtim e sipër, vendi ynë po përballet me dukuri të shumta negative, por më e rënda është pajtimi i popullatës me të keqen dhe largimi nga e mira!
Animi kah e keqja e jo kah e mira është dukuri vetëm e shqiptarëve!
Mbetet e pashpjegueshme, se si ka mundësi të ndodhë ky regres shoqërorë, gjegjësisht largimi nga kultura dhe traditat e mira popullore dhe pranimi me kaq lehtësi i traditave të huaja arabo-aziatike dhe degjenerimeve kulturore të vendeve evro-perëndimore.
Mbase, një nga arsyet e kësaj katandisje historike të shqiptarëve janë pushtimet e gjata. Ku pas çdo ndërrimi pushteti, popullit i është dashur t’i përshtatet regjimit të ri dhe rrethanave të reja të përcaktuara nga ‘titullari’ (pushtuesi) i ri.
Pra, si gjithnjë për të “mirën” e popullit është përkujdesur pushteti (hyqymeti) i ri, kurse populli është shndërruar në shërbëtor (hyzmeqar) të tij.
Kësisoji, populli gjithmonë i ka pasur frikën pushtetit. Për këtë arsye ka mbetur ajo thënja e moçme popullore: “Ujit, zjarrit dhe hyqymetit (pushtetit) duhet pasur frikën! E përkthyer ndryshe kjo thënje, se çfarëdo që bën pushteti nuk duhet kundërshtuar, ai është i plotfuqishëm. Zoti në qiell e pushteti në tokë”
Pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, prezenca e madhe ndërkombëtare na ka sjellur edhe një varg kulturash të huaja, të cilat bien ndesh me mentalitetin, traditat dhe kulturën tonë autoktone shqiptare.
Si pasojë e kësaj, është krijuar një mozaik kulturash të huaja në Kosovë, që ndryshe po u thonë multietnike, ku secili e ka mundësinë e rrëshqitjes në humnerën e pakthim të dukurive të importuara të cilat asnjëherë nuk kanë qenë prezente në truallin e Kosovës Dardane.
Mbase ne shqiptarët jemi i vetmi popull në Ballkan që e kemi afinitetin më të madh për rreshtim kah e keqja sesa kah e mira! Urojë që kjo të mos jetë gjenetike, por të jetë pasojë e pushtimeve të gjata!
Dukuria paradoksale e krijuar në Kosovën e pasluftës, e rreshtimit pas antivlerave dhe degjenerimit kulturor dhe kombëtarë është duke e rrezikuar të ardhmen e shumë gjeneratave në Kosovë.
Gjendja e krijuar pas lufte në Kosovë është reflektuar tejët negativisht edhe në mërgatën tonë. Ikja nga vlerat e mirëfillta dhe pozicionimi i një pjese të mërgatës sonë kah antivlerat, ka bërë që të bie interesimi i mërgatës për pjesëmarrje në organizime të shoqatave në Diasporë!
Vendi ynë Kosova ka nevojë që të hedhë hapa para e jo të bëjë kthim prapa. Pa humbur kohë populli i Kosovës duhet të këndellete dhe të rreshtohet përkrahë vlerave të mirëfillta kombëtare. Kosova ndodhet në një udhëkryq të madh historik dhe në një situatë delikate, me një lidership të papjekur politiksht i cili përballë e ka Serbinë armike me aspiratat e saja hegjemoniste për ripushtimin të sërishëm të Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".