Lista Srpska organizatë terroriste, thirrje për ndalim dhe ndëshkim

Lista Srpska organizatë terroriste, thirrje për ndalim dhe ndëshkim
Lista Srpska organizatë terroriste, thirrje për ndalim dhe ndëshkim

Gani Qarri

  • 28 September 2023 - 07:54

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Dëshmitë e transmetuara publikisht nga institucionet e shtetit të Kosovës nga Policia dhe hetuesia e vendit, ku në sulmin kundër Policisë së Kosovës, shihet hapur involvimi i drejtpërdrejtë i kriminelëve të të ashtuquajturës "listë serbe", obligojnë Qeverinë dhe institucionet përkatëse të vendit, që urgjentisht ta ndalojnë me ligj, veprimin politik të kësaj dore të zgjatur të Serbisë hegjemoniste në Kosovë.

-Duke parë veprimet kriminale dhe terroriste të vet nënkryetarit të saj, terroristit Milan Radojçiq kërkesa për ndalimin dhe shpalljen e të ashtuquajturës "listë serbe", Organizatë Terroriste , vije edhe nga shteti mik i Austrisë, e cila përveç Kosovës u bën thirrje edhe vendeve evropiane dhe vet Bashkimit Evropian, që "listën serbe" edhe ato ta shpallin Organizatë Terroriste! E ashtuquajtura "lista serbe", duhet medoemos të shpallet Organizatë Terroriste, edhe për faktin se të gjitha materialet e publikuara flasin me pamje, fotografi dhe argumente autentike, se ky subjekt "politik", së bashku me bandat terroriste të ardhura nga Serbia, e ka luajtur vazhdimisht rolin vendimtar në aksionet subversive dhe sulmet kriminale e terroriste serbe në veri të Kosovës.

Pjesëmarrja e saj në organizimin dhe kryerjen e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, është dëshmuar dhe dokumentuar në mënyrë të pamohueshme dhe plotësisht autentike edhe me video incizimet e publikuara nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku në krye të sulmuesve terrorist, shihet edhe vetë nënkryetari i Listës serbe, kryekrimineli Milan Radojçiq. Për aq më tepër, përderisa brenda saj, nuk ka njerëz të vullnetit të mirë që pranojnë realitetin, distancohen nga krimi e terrori dhe personat e inkriminuar të dirigjuar drejtpërsëdrejti nga Beogradi zyrtar, me të drejtë lind pyetja se edhe çfarë dëshmish tjera shtesë duhet të publikohen në mënyrë që ky subjekt politik, i përbërë nga kriminel dhe autor të organizimit dhe kryerjes së akteve terroriste, përfundimisht të ndalohet së ekzistuari.

Madje e ashtuquajtura "listë serbe" përderisa nuk distancohet as nga aksioni terrorist, i organizuar dhe udhëhequr nga nënkryetari i saj dhe kryekrimineli Radojçiq, ky grup kriminal, është krahu ushtarak i kësaj partie, ndërsa vet "lista serbe" është bishti politik i organizatës terroriste të udhëhequr nga kryekrimineli Milan Radojçiq. Kështu që, një orë e më parë, "lista serbe" duhet të shpallet organizatë terroriste dhe të ndalohet me ligj veprimtaria e saj subverzive, si në jetën politike aq më tepër në atë institucionale të shtetit të Kosovës. Edhe ashtu kryekrimineli Milan Radojçiq, tash e sa kohë është në kërkim për tu arrestuar nga organet e drejtësisë, për shkak të përfshirjes së tij, në veprime të ndryshme kriminale e së fundi edhe në sulmet terroriste kundër Policisë së Kosovës, andaj po të mos ishte e tillë edhe vet "lista serbe", është dashur, qysh me kohë të distancohet nga kryekrimineli Radojçiq, por ajo as pas vrasjes së policit në krye të detyrës, Afrim Bunjakut, nuk distancohet nga Radojçiqi.

Milan Radoiçiq, siç dihet, tash e sa kohë është në kërkim nga organet e rendit dhe të ligjit të Kosovës edhe për veprën penale të pjesëmarrjes në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, i cili njëkohësisht ka kohë që figuron edhe në listën e zezë nga ShBA.

Kështu që "lista serbe", të paktën tani pas vrasjes së qëllimshme dhe tinëzare të komandantit të stacionit policor të Zveçanit Afrim Bunjakut, është dashur medoemos të distancohet nga terroristi Radojçiq, ta përjashtoj nga partia dhe pezullojë funksionin e tij. Por, përkundër faktit që kryekrimineli Radojçiq është i implikuar në grupin terroristë që sulmoi Policinë e Kosovës, nuk iu ka dorëzuar organeve të drejtësisë dhe vazhdon të jetë nënkryetar fuqiplotë në “listën serbe”, grupi i tij, në mënyrë automatike, është krah i armatosur i "listës serbe" e cila pas gjithë këtyre akteve, përfundimisht duhet të ndalohet përgjithmonë.

Në një situatë të tillë, urgjentisht kërkohet të shqyrtohet i tërë pozicioni i këtij subjekti të dyshimtë dhe tërësisht konspirativ, i cili mund të jetë gjithçka tjetër, por jo edhe politik, ndaj dhe kërkohet me prioritet që e ashtuquajtura "listë serbe" të shpallet menjëherë organizatë terroriste dhe ndalohet veprimi i saj në Kosovë. Për dallim nga ky grupim kriminal i krijuar nga Serbia dhe Aleksandër Vuçiqi, ka subjekte të tjera politike që kanë pranuar realitetin, njohin shtetin e pavarur të Kosovës si shtetin e tyre dhe janë të gatshme për të punuar mbi bazën e ligjeve dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të cilat garantojnë për të gjithë shtetasit integrim, barazi dhe perspektivë pa dallim etnik dhe politik! Madje vet Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka reaguar ashpër, pas videos së publikuar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ku shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq në krye të grupit terrorist.

Von Cramon, pas kësaj ka pyetur e habitur edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian, duke etiketuar veçanërisht Joseph Borrell, Oliver Varhlelyi dhe Ursula Von Der Leyen dhe pyetur publikisht ata, se çfarë argumentesh duhen më shumë dhe kur Bashkimi Evropian do ti sanksionojë këta persona ashtu siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si ngrirja e aseteve, llogarive bankare dhe ndalimi i tyre që të udhëtojnë në vende tjera, të bëhet të paktën një fillim, siç bëri disa kohë më parë SHBA .”, ka shkruar ajo në platformën X.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".