KPK-ja e nënshtruar para nëntokës së krimit të organizuar

KPK-ja e nënshtruar para nëntokës së krimit të organizuar
KPK-ja e nënshtruar para nëntokës së krimit të organizuar

Gani Qarri

  • 04 November 2023 - 09:16

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Historia e habitshme e përzgjedhjes së kandidatit për kryeprokuror të shtetit, siç dihet tanimë edhe nga publiku i gjerë, është duke vazhduar që nga data 6 prill e vitit të kaluar, kur pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte votuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri, reaguan ashpër jo vetëm organizatat e shoqërisë civile në vend, por edhe diplomatët e huaj ndërkombëtar, madje duke e cilësuar procesin, përveçse të parregullt edhe ekstremisht të skandalizuar!

-Megjithëse Presidentja e vendit Dr. Vjosa Osmani mori vendim që të mos e dekretojë kandidatin e propozuar për kryeprokuror të shtetit, pikërisht për shkak të dallavereve dhe shkeljeve masive në procesin e përzgjedhjes, edhe përkundër faktit që sipas ligjit Këshilli Prokurorial ka të drejtë ta dërgojë vetëm një herë propozimin e kandidatit për Kryeprokuror, ata nuk i pengoi, ky argument as refuzimi i dekretimit nga presidentja, dhe për habi, me 1 nëntor KPK bashkë me një letër të nënshkruar nga kryesuesi i këtij Këshilli, Jetish Maloku ia dërguan përsëri presidentes, të njëjtin emër për dekretim. Dërgimi për herë të dytë i kandidatit të refuzuar Blerim Isufajt për kryeprokuror të shtetit, që të dekretohet nga Presidentja, pas refuzimit të parë, është dëshmia më e fuqishme dhe e pa kontestueshme se sistemi i kapur, prokurorial, duket thellësisht i frikësuar nga fillimi i shkëputjes së kontrollit të krimit të organizuar mbi prokurorinë dhe gjyqësorin.

Andaj edhe pse më 17 tetor, presidentja foli në detaje, për “shkeljet masive” të ndodhura në procesin e përzgjedhjes së Blerim Isufajt, e madje edhe vet ligji dhe Kushtetuta nuk parashohin situata apo mundësi që pas refuzimit të parë, të kandidatit të propozuar për Kryeprokuror të Shtetit, i njëjti propozim, të dërgohet edhe herën e dytë, për emërim, shihet qartë se KPK vërtetë është në siklet të madh dhe ka një hall të pa-kapërdishëm, të cilin nuk është në gjendje ta bëjë publik edhe për opinionin e gjerë. Por Presidentja e vendit i ka dhënë epilogun përfundimtar kandidaturës së Blerim Isufajt, duke ka sqaruar gjerë e gjatë, se pse nuk e ka dekretuar atë, kurse KPK, as që e ka parë të rrugës që të shpallte konkurs të ri, apo të paktën, të dërgohet një propozim tjetër nga ish lista kandiduese, por ka provokuar serish, kabinetin e presidentes duke dërguar serish emrin e Blerim Isufajt për dekretim.

Presidentja Vjosa Osmani, më 17 tetor gjatë një konference për media, sqaroi publikisht se pse nuk e ka dekretuar për Kryeprokuror të ri të Shtetit, Isufajn, meqë procesi i përzgjedhjes së tij, është cilësuar “i parregullt dhe diskriminues” nga të gjithë vëzhguesit, si nga organizatat vendore, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare të cilat kanë evidentuar “10 shkelje të rënda në procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit”. Madje faktori ndërkombëtar ka reaguar edhe pas dërgimit për herë të dytë të kandidaturës së Isufajt për dekretim, duke e kundërshtuar këtë formë presioni nga KPK-ja dhe ka kërkuar që të propozohet kandidat tjetër më i përshtatshëm me dinjitet dhe integritet moral e profesional. Dërgimi i emrit të Isufajt për të dytën herë për dekretim për Kryeprokuror të Shtetit, me të drejtë ka ngjallur reagimin e BE-së prej nga kanë bërë thirrje, që procesi për pozicionet brenda sistemit të drejtësisë të jetë transparent e të bazohet në merita, ndaj u kërkojnë autoriteteve të Kosovës që të mbështesin me vendosmëri parimet dhe standardet më të larta të sundimit të ligjit në zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në reagimin e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Pas dërgimit të emrit të Isufajt, te presidentja për dekretim, qysh herën e parë, ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog, pati reaguar publikisht, i cili theksoi nevojën urgjente që procesi i përzgjedhjes të jetë i bazuar në merita dhe transparencë. “Duke marrë parasysh deklaratën e Presidentes për Kryeprokurorin e Shtetit, theksoj nevojën urgjente për një proces përzgjedhjeje të drejtë, të bazuar në merita, transparencë për pozitat brenda sistemit të drejtësisë”, kishte shkruar aso kohe Szunyog në rrjetin social “X”. Mirëpo KPK-ja duket që është aq thellë e ndikuar nga nëntoka e krimit të organizuar, sa që vërtetë e kanë tepër të vështirë që ta fillojnë shkëputjen prej këtij rrjeti të rrezikshëm mafioz, për të filluar përfundimisht edhe me vetëpastrim dhe ndarjen e bashkëjetesës me krimin, ndarje kjo e cila herët e vonë, do të detyrohet të ndodhë sepse një ditë sistemi i drejtësisë së kapur, do të goditet me ligjin Vetting!

Edhe vet KPK e di mirëfilli se kandidatura e Isufajt është kundërshtuar që në fillim nga shoqëria civile e Kosovës dhe nga diplomatët ndërkombëtar, madje Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka kritikuar që në fillim mënyrën se si ishte përzgjedhur kandidatura e Blerim Isufajt, kurse pas refuzimit të tij nga Presidentja, ai shkroi në Facebook se vendimi i presidentes së vendit, ishte i drejtë, pasi që “Këshilli Prokurorial ka dështuar të udhëheqë një proces me integritet dhe të bazuar në meritokraci”. Përveç kësaj edhe dy organizata tjera, si "Grupi për Studime Juridike dhe Politike" (GLPS), si dhe "Lëvizja FOL", kanë kërkuar nga presidentja që të mos e dekretonte Isufajn, duke e konsideruar propozimin e KPK-së të papranueshëm. Por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe Bashkimi Evropian, e në veçanti Gjermania, e kishin konsideruar befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese, mënyrën se si Këshilli Prokurorial e kishte propozuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit më 6 prill të vitit 2022, madje megjithëse pas përfundimit të mandatit 7 vjeçar të Lumezit, për ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit ishte caktuar Besim Kelmendi, KPK e kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për pozitën e Kryeprokurorit gjë që me shumë arsye, po kundërshtohet nga të gjithë dhe nuk po dekretohet nga presidentja e Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".