Vetëm drejtësia dhe paqja Kosovën e shpiejnë në OKB e Serbinë BE!
Mehdi Hyseni
Shkruan: Mehdi Hyseni
Pavarësisht nga qëndrimi zyrtar i Serbisë “për” ose “kundër” njohjes së Kosovës së pavarur dhe sovrane, Kosova deri tani, do të duhej të ishte njohur de fakto dhe de jure nga ana Kombeve të Bashkuara, sepse Kosova, më 17 shkurt 2008, me t’u njohur ndërkombëtarisht nga më se 140 shtete të OKB-së me SHBA-në krye, ka humbur statusin e saj të dikurshëm kolonial 100-vjeçar nën Serbi (1912-1999). Këtu përfundon përjetësisht “tregimi” historik, politik dhe juridik i sundimit të egër kolonial të Serbisë mbi Kosovën. Ndaj, sistemi i drejtësisë së OKB-së, duhet të vihet në veprim dhe ta thotë fjalën përfundimtare, duke u bazuar në të drejtën historike, natyrale dhe të vetëvendosjes së shqiptarëve bi Kosovën, jo në “VETON’ e Rusisë në KS-së, që ka bllokuar sistemin e drejtësisë së organeve kryesore të OKB-së, duke hedhur poshtë të drejtën e ligjshme dhe legale të Kosovës për njohjen e vetëvendosjes. Kjo antidrejtësi, duhet të rishqyrtohet në KS-në dhe në AP-në e OKB-së.
Nëse Serbia nuk e njeh de fakto dhe de jure Kosovën, atëherë Tirana zyrtare urgjentisht nevojitet t’i bëjë Kërkesën zyrtare Asamblesë së Përgjithshme për shqyrtimin e statusit politik dhe juridik të Kosovës, duke qenë se shpallja e pavarësisë së Kosovës, është bërë në përputhje me normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së OKB-së. Këtë të vërtetë, de fakto dhe de jure e vlerësoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, më 22 korrik 2010.
Prandaj, nëse Serbia e refuzon Marrëveshjen e Ohrit të 19 marsit 2023, në brendinë e së cilës, është “njohja de fakto” e Kosovës nga ana e Serbisë, atëherë Prishtina dhe Tirana, duhet të dakordohen, që qeveria shqiptare, sa më parë të jetë e mundur, t’ia paraqes Asamblesë së Përgjithshme Kërkesën për dekolonizimin e Kosovës nga sundimi 100-vjeçar i Serbisë (1912-1999). Çdo alternativë tjetër veç njohjes de fakto dhe de jure të Kosovës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, do të jetë në kundërshtim me Dekalaratën e njohjes së pavarësisë dhe të vetëvendosjes së vendeve dhe të popujve të kolonizuar, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 14 dhjetor 1960.
Pas njohjes së pavarësis së Kosovës, jo vetëm qeveria e Serbisë dhe liderët udhëheqës të saj, por eddhe KOS-I dhe i gjithë popullim, duhet të dinë se territori dhe sovraniteti i Kosovës nuk mund të jenë objekt i politikës së brendshme të Serbisë (edhe pse Kosova figuron në Kushtetutë e Serbisë së vitit 2006, si pjesë imtegruese e territorit të saj), sepse që nga 17 shkurti 2008, Kosova është Republikë e Pavarur dhe Sovrane, e njohur nga më se 140 shtete të OKB-së.
Pas krijimit të këtij realiteti,ka ardhur koha e fundit, që Serbia në mënyrë paqësoe dhe të ngutshme ta njohë Republikën e Kosovës (dikur ish-koloni ilegale e saj, jo më pak se 100 vjet, 1912-1999).
Ndryshe, statu quo-ja e e politikës dhe e diplomacisë së Beogradit zyrtar, Serbinë e lënë në flakën e terrorit dhe të gjenocidit të Slobobdan Milosheviqit (1989-1999), të armiqësuar jo vetëm me shqiptarët, por me të gjitha vendeet fqinje të saj në Ballkan.
Me një fjalë, hedhja poshtë e Planit Paqësor Frëngo-Gjerman Makron – Sholc ( mars 2023) nga presidenti aktual serb, Aleksandër Vuçiq lë të hapur opsionin e luftës mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht mes Evropës Perëndimore dhe aleancës sllave evropianolindore, ashtu sikurse dikur më 1914, kur Serbia përmes organizatës së saj të fshehtë terroriste “Crna ruka”, të drejtuar nga Predrag Dragutinoviq (Apis) në Beograd, e detyroi Gavrilo Principin, që të bënte atentat politik ndaj “arkidukës së Austrisë (trashëgimtari i supozuar i fronit austro-hungarez, Franc Ferdinand dhe gruas së tij,Sofia më 28 qershor 1914”.( https://en.wikipedia.org/wiki/Assassination_of_Archduke_Franz_Ferdinand).
Ky akt terrorist ishte shkaktari, që çoi në luftën mes Austrisë dhe Serbisë, përkatësisht në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.
Fatkeqësisht, edhe 24 shtatori 2023 dëshmoi se Serbia bëri akt agresioni ndaj Kosovës, me ç’rast forcat terroriste paramilitare dhe policore të saj vranë policing shqiptar, Afrim Bunjakun dhe plagosën një tjetër. Me këtë ndërhyrje brutale subversive Serbia shkeli sovranitetin territorial dhe shtetëror të Kosovës, në shpërputhje me parimin e barazisë sovrane të shteteve dhe të drejtës së vetëvendosjes së popujve.
Sa më sipër, nëse Serbia fillon luftën në Kosovë, s’ka dyshim se, përgjigjja e faktorit ndërkombëtar (OKB, Amerika, NATO, BE), do të jetë e ashpër dhe vendimtare, që do të mbështetet nga e tërë bota demokratike , sepse agresioni është krim ndërkombëtar, që rrezikon prishjen e paqes dhe të sigurisë botërore.Një ndërhyrje e tillë e bashkësisë ndërkombëtare në mbrojtjen e terrritorit dhe të sovranitetit të Kosovës nga Serbia agresore, është në përputhje me zbatimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të Deklaratës së OKB-së mbi bashkëpunimin dhe miqësinë e shteteve anëtare të OKB-së.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".