Lexoni edhe:
Qeveria dhe Presidenca të deklarohen pa vonesë kundër përpjekjes për organizim të zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës
Shkruan: ANALISTI- Gani Qarri
Publikimi i Raportit të fundit të Progresit dhe mesazhet që dalin rreth zhvillimeve të fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, japin porosi të qartë për të dyja palët se, pa marrëveshje, dhe normalizim të marrëdhënieve, është e kotë të shpresohet për perspektivën e shpejtë evropiane dhe anëtarësim në BE e organizatat tjera për zhvillim dhe integrim që janë pjesë e Bashkimit Evropian.
-Në raportin vjetor të Komisionit Evropian, bie në sy presioni i theksuar ndaj Serbisë veçanërisht në kapitujt kryesorë 23 dhe 24 për sundimin e ligjit, ku Serbia ka marrë nota të këqija dhe theksohet se Beogradi nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, nuk ka mbyllur hapësirën për manipulimin e informacionit dhe ndërhyrjet e huaja. Normalizimi i marrëdhënieve është dhe mbetet, kusht thelbësor në rrugën evropiane për të dyja vendet dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, thuhet në raportin vjetor për Serbinë. Në dokument konfirmohet po ashtu se marrëdhëniet me Kosovën janë prekur nga disa kriza të “intensitetit të ndryshëm”, veçanërisht sulmi i dhunshëm ndaj policisë së Kosovës, si akti terrorist i 24 shtatorit 2023, në fshatin Banjë afër Zveçanit, ngjarje shumë e rëndë në Veri të Kosovës, e cila edhe në dokument është vlerësuar si “përshkallëzimi më i rrezikshëm i viteve të fundit”.
Madje pavarësisht aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) si qëllim strategjik, Serbia përveç marrëdhënieve me Rusinë, vijon edhe më tej, të lidh marrëveshje tregtare edhe me Kinën dhe vende të tjera të treta që nuk përmbushin as për së afërmi Standardet e Brukselit. Ndaj Komisioni Evropian thekson se Serbia duhet të bëjë kompromise dhe më shumë përpjekje në mënyrë që procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën të ecë përpara, siç është e nevojshme të përmbushë obligimet e saj në kuadër të dialogut dhe të angazhohet për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme të arritura me Kosovën. Raporti vlerëson gjithashtu se, marrëdhëniet me Kosovën mbeten kyçe në rrugën evropiane të Serbisë dhe ajo duhet të mbetet e angazhuar në Dialogun për Normalizimin e Marrëdhënieve me Kosovën, për çka kërkohet të tregojë përkushtim më serioz, të bëjë më shumë përpjekje dhe kompromise në mënyrë që të realizohet procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Për të ecur përpara dhe bërë përparim më të shpejtë e konkret, “Serbia dhe Kosova duhet të angazhohen në mënyrë më konstruktive duke treguar fleksibilitet, për të lehtësuar fillimin e negociatave dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve. Ky dokument konfirmon se marrëdhëniet me Kosovën janë prekur nga disa kriza të “intensitetit të ndryshëm”, e veçanërisht me sulmin e “dhunshëm” ndaj policisë së Kosovës, si akti terrorist i 24 shtatorit 2023, në fshatin Banjë afër Zveçanit, ngjarje shumë e rëndë në Veri të Kosovës, e cila edhe në dokument është vlerësuar si “përshkallëzimi më i rrezikshëm i viteve të fundit”. Dokumenti nënvizon pritshmërinë e Bashkimit Evropian që autorët të arrestohen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim. Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre të vazhdueshme për de-përshkallëzimin, si dhe të sigurojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Veriun e Kosovës me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës” sa më shpejt, thuhet në këtë dokument.
Kurse Serbisë i kërkohet të hetojë dhunën e kryer kundër trupave të KFOR-it gjatë protestave në fund të majit të këtij viti, ndërsa pjesëtarët e pakicës serbe të Kosovës duhet të marrin pjesë aktive në administratën lokale, policinë dhe gjyqësorin në veri të Kosovës. Në të njëjtin raport kërkohet edhe nga Kosova angazhim serioz në dialog me Serbinë dhe dinamizim të procesit të reformave, kurse Komisioni Evropian (KE) i ka qortuar Kosovën dhe Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) në raportet e tij të progresit për të dy vendet. Në raport përveç kritikave për Serbinë, sa i takon Kosovës thuhet se ndonëse është arritur përparim në miratimin e kornizës ligjore, janë shënuar “përparime të kufizuara” në luftë kundër korrupsionit, funksionimit të gjyqësorit, në luftën kundër krimit të organizuar, pasi që në të shumtën e rasteve, nuk ka pasur sa duhet rezultate në zbatim, për përmbushjen e standardeve të nevojshme për t’iu bashkuar BE-së.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".