Lexoni edhe:
Pa status autonom me Asociacion nuk zgjidhet as çështja e Luginës së Preshevës dhe as e Sanxhakut
Shkruan: ANALISTI- Shqiprim Pula
Politika është zeje që mund ta kesh dhunti por edhe të mësuar nga literatura. Kategori "politikanësh" nuk kanë mësuar kush janë e nuk kishin arrit ta kuptonin se kush mund të jenë. E në hyrje-daljet politike, disa "politikanë" dilnin nga dyer të ndryshme dhe jo nga dera përmes të cilës kishin hyrë në politik. Ky soji i "politikanëve" vraponin ndërkohë që s'kishin mësuar të ecnin në politik, e dëmet bëheshin të pariparueshme për kombin.
Kur rrëzohen apo ndërrohen sistemet politike, për disa, është tronditje e për të tjerë mundësi. Në shoqëritë Shqiptare, që në fundvitet e 80-ta e fillim vitet e 90-ta, këndej e andej Drinit, filluan transformimet politike dhe social-ekonomike. Rekrutimi i individëve të (pa) arsimuar e konformistë, politikanëve biznesmenë, e shpirtra skllevërish, të cilët, u bënë pjesë e mashtrimeve, demagogjive, hipokrizive, e manipulimeve, e edhe hajnive, ngritën antivlerat në zejen politike, krijuan turma njerëzish (si tufa delesh) amorfe, të pashpirt qytetar. Kështu, bëmë hapa pa i fiksuar qëllimet ...!, e kombëtarisht pësuam politikisht.
Dëmet nga hapat e paprecedent politikë përgjatë dekadash... Ish-oficeri i kundërzbulimit dhe juntës Greke, Anastas Janullatos arriti në Shqipëri, morri peng Kishën Autoqefale Shqiptare Ortodokse, që rrënjët e identitetit të saj i kishte tek ligjërimi i Fan Stilian Noli, dhe që atëherë, filloi 'Orthodhoksia Greke' në Shqipëri, duke e Greqizuar komunitetin Shqiptarë Ortodoks, me një shtrirje të gjerë në veçanti territorin Jugor të Shqipërisë!. Ishin rivendosur marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-Greqi, por, shteti fqinjë Helen, i mbante të kushtëzuara me çështjen e minoritetit Grek në Shqipëri, ndërlidhur edhe me varrezat kolektive në fshatrat si Këlcyra e Bularati, në kundërshtim të plotë me legjislacionin ndërkombëtar përkatës, varreza këto, afër kufirit e me prapavijë politike me pretendim jugun e Shqipërisë apo siç e quajnë ata me emërtimin fashist "Vorio Epiri"; çështja Çame që shteti Helen refuzon t'i jap zgjidhje, doli në skenën politike si temë, në vitin 1991, më pas në vitin 2000, u rikthye edhe njëherë në vitin 2013, por asnjëherë zgjidhje nuk u gjet për një plagë Shqiptare shekullore, si hapësirë tokësore prej pesëmbëdhjetë (15) mijë km katrorë!, e ndarë që 1913-tën nga Shqipëria; si dhe, së voni e shpikur çështja e detit përkatësisht delimitimit të kufirit detar, e për fatin e keq të Shqipërisë si më 2009 dhe 2018 marrëveshja mbahej e fshehur në detajet e saj e që konsiderohej në dëm të Shqipërisë!. Në Maqedoni, sllavo-maqedonasit mohonin Shqiptarët etnik si shtet formues, e si rezultat, më 2001 filloi konflikt i armatosur në Maqedoni me pretendime për territore Shqiptare (të paktën nga çfarë thuhej në komunikatat e tyre) po çuditërisht, u tkurren në vetëmjaftueshmëri civile-politike si të drejta të njeriut, dhe u përmbyll me dokumentin e quajtur "Marrëveshja e Ohrit", por, për fatin e keq, afati i zbatueshmërisë që do fillonte më 2002 dhe të përmbyllej më 2006 nuk gjeti zbatimin e saj përmbajtjesor, mbeti e cunguar. Shqiptarët në Maqedoni, duke qenë element konstituiv e shtet formues, mbeten në një popull 20 përqindë!. Në Kosovë pritej definimi i statusi juridik-politik gjatë bisedimeve në Vjenë, dhe pala Serbe arriti që t'a fitonte betejën duke e përvetësuar trashëgiminë materiale ortodokse shqiptare, si serbe. Kisha Serbe Ortodokse në Kosovë i përvetësoi objektet e zona me status special, 44 sosh me mbrojtje të veçantë!. Me dokumentin gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, pala Serbe arriti t'i fitoj dhjetë (10) Komuna për pakicën Serbe në Kosovë, po ashtu, dhjetë (10) ulëse të garantuara për pakicën Serbe në Parlamentin e Kosovës, të cilat u përvetësuan nga formacioni politik "Srpska Lista", si dhe të drejtën e veto-s për ligje të cilat konsiderohen si vitale!. Me dokumentin e 19 Prill, 2013 të cilën n'a e kanë shitur si "marrëveshje ndërkombëtare", dokument i cili ishte kundër frymës kushtetuese sepse parashihte "zajednicën", dhe e cila vazhdon të jetë e dëmshme politikisht edhe më tej, Kosova, e pranoi si triumf politik i dialogut!.
Në Parlamentin e Republikës, deputetët votuan për themelimin e Dhomave të Specializuara, për të administruar drejtësi si pjesë e sistemit të drejtësisë së Republikës, veçse me seli në Hagë. Sot vazhdojmë e vajtojmë!. Në Parlamentin e Republikës, më 2017 u amandamentua Ligji për Pensionet e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ndryshe nga Ligji i Pagave; më pas votuan edhe demarkimin e kufirit ku u humbën mbi tetëmijë (8,000) hektarë tokë, e si rezultat, ishte nënshkruar 'Deklarata e Presidentëve' të Kosovës e Malit të Zi, për trupën punuese të përbashkët mbi identifikimin, rishikimin dhe korrektimin e vijës kufitare në drejtim nga Çakorri dhe Zhlepi, për të cilën, akoma nuk ka asnjë rezultat!. Pra, secilin momentum veç-e-veç apo si të përmbledhura, i lejuan dhe pranuan politikanët shqiptar!.
Transaksionet politike ishin të shumta...!, e përkundër moshës kombëtare relativisht të re, politikanët tanë ishin me demencë kombëtare; ata mund të jenë konsideruar të mençur por jo edhe të ditur, mund të kenë qenë edhe inatçor por aspak këmbëngulës, ndoshta edhe trima si individë por të pa guximshëm si skuadra politike përballë fqinjëve, fatkeqësisht. Nga këto histori të përmbledhura është krijuar histori irracionale për kombin Shqiptar. Prandaj, n'a duhen politikan me identitet, me dinjitet e për sovranitet, që të mos jenë shërbëtor e vasal të përmjerr.
(Autori është njohës i Marrëdhënieve Ndërkombëtare)
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".