Politika Kosovare duhet të vepron e bashkuar për t'i dhënë formë Asociacionit, pa kompetenca ekzekutive

Politika Kosovare duhet të vepron e bashkuar për t'i dhënë formë Asociacionit, pa kompetenca ekzekutive
Politika Kosovare duhet të vepron e bashkuar për t'i dhënë formë Asociacionit, pa kompetenca ekzekutive

Gani Qarri

  • 13 November 2023 - 07:44

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Fakti se faktori ndërkombëtar e ka detyruar Serbinë, që ta pranoj autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, mbi statutin e Asociacionit, kur dihen qëndrimet e deritanishme agresive të Serbisë, kjo është një e arritur relativisht e madhe të cilën Qeveria duhet ta shfrytëzoj në mënyrën më të mirë të mundshme dhe nëse Kosova medoemos detyrohet ta formojë asociacionin, ai të jetë vetëm në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

- Por duke pasur parasysh diskriminimin e pareshtur të shqiptarëve në Kosovën Lindore, nëse edhe përkundër trajtimit të shqiptarëve nën Serbi, Kosova detyrohet ta formoj asociacionin e komunave serbe, ajo duhet të insistoj medoemos, që marrëveshja për asociacionin, të paktën të mos nënshkruhet drejtpërsëdrejti me Serbinë, por me përfaqësuesit e pakicës serbe që jetojnë në Kosovë, si bie fjala me z. Nenad Rashiq dhe grupit që eventualisht serbët lokal, do ta formonin për pranimin e marrëveshjes, njëjtë siç e ka nënshkruar FYROM-marrëveshjen me shqiptarët në Ohër, apo një marrëveshje të tërthortë përmes emisarëve të BE-së, siç ka vepruar Serbia, në vitin 2001 me përfaqësuesit e shqiptarëve në Kosovën Lindore.

Përndryshe, përderisa Kosovës nga SHBA dhe BE, për zbatimin e marrëveshjeve, i është vendosur kushti për formimin e asociacionit, ky vërtet është shumë akt i rëndë për shtetin tonë të brishtë, kur dihet se shqiptarët nën Serbi, jo vetëm që nuk gëzojnë të drejta as të përafërta me pjesëtarët e pakicës serbe në Kosovë, por edhe numri i tyre, fatkeqësisht po bie përditë e më tepër, me spastrimin e maskuar etnik nga Serbia, përmes pasivizimit të adresave dhe heqjen e të drejtës së votës, diskriminim ky i paprecedent në gjithë Evropën, i cili vazhdon para syve të ndërkombëtarëve, që nga vitit 2011 dhe kryhet vetëm kundër shqiptarëve në Ballkan.

Prandaj në këto kushte, nuk është edhe aq e lehtë, të thuhet se partitë politike, do të arrijnë koncensus të përbashkët, pa bërë lojëra elektorale dhe garë për pushtetin, ta diskutojnë dhe pranojnë versionin e Asociacionit, për të cilin ka garanci të theksuara nga shtetet aleate se, kjo krijesë e paqenë kurrë, nuk do të fuqizohet edhe me kompetenca ekzekutive, por thjeshtë do të jetë një sistem organizimi dhe vetë menaxhimi për interesin lokal të komunitet, që nuk rrezikon funksionimin unitar të shtetit të Kosovës. Në fakt kjo garanci vjen nga SHBA, shteti më me ndikim në mbështetje të Kosovës, për çka foli një ditë më parë edhe vet Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, duke shpjeguar qëndrimin e SHBA-së për draftin e Asociacionit, të prezantuar së fundit nga Bashkimi Evropian, i cili në një deklaratë dhënë për mediet ritheksoi se draft-statuti i Asociacionit, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. “Siç e dini, tha ai, draft-statuti është prezantuar nga BE-ja, por ShBA-ja ka qenë e pranishme dhe pjesë e saj, ndaj Bashkimi Evropian – dhe Shtetet e Bashkuara – konsiderojnë se është hartuar në mënyrë të tillë që respekton plotësisht kushtetutshmërinë e Kosovës.

E kemi thënë shumë herë: duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e tanishme të Kosovës, nuk duhet të ketë asnjë ndryshim kushtetues, nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv, nuk duhet të jetë nivel tjetër i qeverisjes dhe do të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra duhet të jetë në përputhje me pikëpamjet që i kemi shprehur në artikullin e botuar në janar nga këshilltari i Departamentit të Shtetit Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm dhe zëvendës-ndihmësi i Sekretarit, Gabriel Escobar, e ne besojmë se ky draft-statut që i është prezantuar Qeverisë së Kosovës i përmbush ato kritere. E në të vërtetë është vetëm një organ që mund të vendosë nëse draft-statuti është në përputhje me Kushtetutën apo jo, e kjo është Gjykata Kushtetuese dhe siç tha edhe kryeministri Kurti në Kuvend të premten, një nga dispozitat e këtij draft-statuti është se do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, ashtu që ajo të shqyrtojë atë dhe të marrë vendim para se të hyjë në fuqi”, tha ambasadori.

Pas këtij qartësimi nga ambasadori amerikan, spektri politik Kosovar duhet të fillojë bashkërisht për ta përgatitur dokumentin final mbi të cilin, fjalën e fundit, gjithsesi do ta jap Gjykata Kushtetuese, pa pasur asnjë lloj ndikimi dhe interferimi Serbia hegjemoniste dhe politika serbe e cila aq shumë dhe për kohë të gjatë, ka lobuar me të gjitha mundësitë, për ta kundërshtuar rolin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vlerësim dhe interpretim të këtij dokumenti final, ndaj kjo, është një e arritur relativisht e madhe të cilën Qeveria duhet ta fus në veprim dhe shfrytëzoj në mënyrën më të mirë të mundshme që, nëse medoemos duhet të formohet asociacioni, ai të jetë vetëm në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".