Lexoni edhe:
Asociacioni vetëm mbi bazën e ligjeve she kushtetutës më të drejtë të anëtarësimit vullnetar dhe pa asnjë kushtëzim apo detyrim
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Thirrja e përsëritur e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë, është edhe një sinjal që flet hapur, se Kosova nuk do të bëjë asnjë veprim të njëanshëm lidhur me zbatimin e marrëveshjes, në këtë rast, as për asociacionin, derisa nuk adresohet fajtori dhe emërohet zyrtarisht përgjegjësi për përgatitjen dhe zbatimin e skenarit terrorist kundër shtetit të Kosovës më 24 shkurt në Banjë të Zveçanit!
-Madje kryeministri Kurti edhe këtë të premte u ka bërë thirrje publikisht, ndërkombëtarëve ta sanksionojnë përgjegjmbajtësin dhe të mos lënë hapësirë e të tolerojnë një përsëritje të re, të asaj që ndodhi në veri më 24 shtator, duke shtuar se Serbia duhet të sanksionohet, në mënyrë që të mos ketë një përsëritje tjetër të Banjë. “Konsiderojmë që është e domosdoshme që dy muaj pas sulmit terrorist në Banjë është kohë më se e mjaftueshme që të kemi hetime të hollësishme dhe konkluzione të mjaftueshme mbi këtë akt të agresionit të Serbisë ndaj vendit tonë, me të cilin ajo cenoi sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe sigurinë tonë kombëtare. Nga pikëpamja jonë edhe sovraniteti, edhe siguria, edhe sundimi i ligjit janë çështje që paraqesin edhe vlera, edhe interes dhe ne nuk bëjmë kompromis me to, e në një situatë sikurse ajo e Zveçanit, ato janë tri gjëra që praktikisht paraqesin të njëjtin rrezik për shtetin tonë.
Në njërën anë është i nevojshëm edhe konkluzioni i hetimeve të Bashkimit Evropian, KFOR-it, EULEX-it, SHBA-ve , por edhe sanksionet dhe masat ndaj Serbisë në anën tjetër, të cilat ne nuk i duam që të ketë vetëm dënim e ndëshkim, por para së gjithash që të mos ketë përsëritje të sulmit terrorist në vendin tonë. Ne nuk mund ta tolerojmë, as të durojmë çfarëdo përsëritje që i ngjan asaj të 24 shtatorit, andaj për këtë arsye edhe duhet të veprohet tash e jo nesër, kur mund të bëhet vonë, kur dihet se më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë, nga rreth 30 persona të armatosur, që sulmuan njësitet policore në fshatin Banjë, në veri të vendit. Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë të dyshuar se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pas u liruan, kurse Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshat, gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe targa e automjete me mbishkrimin KFOR.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".