Lexoni edhe:
Serbia udhëhiqet nga politika anti evropiane, nuk e kanë për interes integrimin por vetëm përfitimin nga fondet për investim dhe zhvillim
Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri
Përfundimisht, duket se edhe faktori ndërkombëtar, si dhe vet Bashkimi Evropian janë lodhur tashmë me gënjeshtrat e vazhdueshme të Serbisë hegjemoniste, mashtrimet serike e improvizimet cinike, si dhe nxitjet e pareshtura të situatave konfliktuoze në Kosovë dhe për Kosovën, për të vijuar kështu me kushtëzime të pafund ndaj Kosovës, mos bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, për zbatimin e marrëveshjeve që qojnë në normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe që realisht, do të hapnin rrugën për integrime të përshpejtuara euro-atlantike.
-Reagimet e zyrtarëve të BE-së për ndërhyrjet e pareshtura të Serbisë hegjemoniste përmes grupeve kriminale, duke organizuar edhe sulme terroriste, si ai i 24 shtatorit, në Kosovë, me arsyetimin absurd, gjoja për "mbrojtjen" e minoritetit serb nga "dhuna dhe terrori shqiptar", të cilat në fakt, nuk kanë ndodhur asnjëherë kundër serbëve lokal, çdo ditë e më shumë jo vetëm që po demantohen, por edhe po dënohen, përgënjeshtrohen dhe hedhen kategorikisht poshtë, si të pavërteta nga faktori ndërkombëtar. Veçanërisht i ashpër me Vuçiqin dhe Serbinë, ka qenë së fundi edhe deputeti gjerman Knut Abraham i cili ka kritikuar publikisht dhe akuzuar mjaft ashpër regjimin kriminal të Vuçiqit për mos bashkëpunim dhe mos-kapjen e terroristëve të cilët sulmuan Kosovën brutalisht, më 24 shtator të këtij viti.
Madje deputeti Abraham mbetet pafundësisht i habitur, sidomos me mosgatishmërinë e Serbisë për të bashkëpunuar me autoritetet e Kosovës në hetimin e sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator 2023 nga paraushtarakët serbë dhe në vend të kësaj, ai vazhdon të lavdërojë autorët, gjë që është krejtësisht e papranueshme” dhe Qeveria Gjermane duhet të jetë shumë e ashpër në raport me Serbinë, ka deklaruar me plot arsye Knut Abraham. Ai, më tej tha se Qeveria gjermane duhet t’i kërkojë Serbisë, në mënyrë shumë më të vendosur, që të bashkëpunojë plotësisht me hetimin dhe të ekstradojë të gjithë autorët kriminel të sulmit terrorist serb, të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, duke filluar me ekstradimin e krye terroristit tanimë të shpallur edhe me fletarrest ndërkombëtar nga INTERPOLI, për kapjen dhe dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe 20 bashkëkriminelëve të tij, pjesëmarrës në sulmin terrorist, me 24 shtator në Kosovë. Kurse sa u takon përrallave të Vuçiqit dhe përhapjes së gënjeshtrave të shpifura të tij, për gjoja ‘spastrim etnik’ dhe ‘pogrome’ në Kosovë, as që ka fare prova, ndaj kjo duhet të përfundojë” njëherë e përgjithmonë, ka theksuar Abraham, duke demantuar tërësisht shpifjet e Aleksandër Vuçiqit për kinse tentativën e autoriteteve kosovare për spastrim etnik të komunitetit serb. Përkundrazi, pikërisht aktin mizor të spastrimit etnik, tash e sa vite e kryen publikisht vet Serbia fashiste, kundër shqiptarëve të pambrojtur autokton, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, duke pasivizuar sistematikisht adresat e mijëra shqiptarëve, nga regjistrat civil.
Knut Abraham kërkoi po ashtu, që masat negative të BE-së, të vendosura padrejtësisht ndaj Kosovës, të hiqen urgjentisht, sepse “nuk ka asnjë arsye për të mos u hequr dhe mbetur ato akoma në fuqi, pa asnjë shkas”. Për aq më tepër deputeti Knut Abraham thotë se ndryshe nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq,“Kosova ka deklaruar në vijimësi gatishmërinë e saj, si për ta nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, ashtu edhe për normalizimin e marrëdhënieve, por edhe për ta zbatuar marrëveshjen plotësisht”. Deputeti gjerman theksoi po ashtu, se për të siguruar paqen afatgjatë në rajon, të drejtat e të gjithë qytetarëve, përfshi ato të minoritetit serb, duhet të forcohen brenda kornizës së Kushtetutës së Kosovës, kurse anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një hap, shumë i rëndësishëm dhe mjaft pozitiv në këtë drejtim.
Kështu që habit shumë fakti se si, çuditërisht vet BE dhe qeveria gjermane, prej mese një vit e kanë injoruar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE të dorëzuar qysh më 15 dhjetor 2022 dhe pikërisht “perspektiva e BE-së” për Republikën e Kosovës, si vend bashkëpunues, aktualisht, për fat të keq, mbetet vetëm një premtim bosh! Prandaj nëse vërtetë qeveria gjermane dhe BE-ja janë serioze, duhet t’u ofrojnë të gjitha vendeve në rajon perspektivën e anëtarësimit në tregun e përbashkët të BE-së, sapo të plotësohen kushtet dhe brenda pak vitesh t’i shpërblejë vendet me prirje reformash, përfshi edhe Kosovën, me një hap të ndërmjetëm tërheqës në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, ka potencuar deputeti i Bundestagut gjerman, Knut Abraham.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".